Nga janari deri në tetor diaspora solli në Kosovë rreth 800 milionë euro
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti ka deklaruar në konferencën për media për fundvit, se remitencat nga diaspora në këtë kohë të vështirë pandemike vazhduan rrjedhën, prej muajt janar deri në tetor kanë shënuar 796.5 milionë euro, me një rritje vjetore 12 përqind.
Guvernatori Mehmeti ka thënë se sektori bankar në këtë vit ka pasur rol kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike, derisa ky sektor vazhdon të jetë i qëndrueshëm, stabil dhe mirë i kapitalizuar.
Sa i përket arbitrazhit me “Iute Credit”, guvernatori tha se veprimet do të jenë në bazë të legjislacionit në fuqi dhe presin të fitojnë rastin në arbitrazh.
“Sa i përket argumentimeve dhe fakteve ky proces do të jetë në favor të Kosovës”, theksoi ai.
Ai foli edhe për normat e interesit në kredi.
I pyetur nëse mund të këtë rënie në vitin 2021, ai ka thënë se është shënuar rënie dhe se janë një varg faktorësh që ndikojnë. “Nga 6.5 normat e interesit kanë shënuar rënie në 6.3 përqind. Janë një varg faktorësh që ndikojnë në ulje të normave të interesit dhe që janë të ndërlidhur”, u shpreh ai.