‘Nga janari kanë hyrë në Kosovë rreth 12 milionë kg grurë dhe 6.5 milionë miell’
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka bërë me dije se nga muaji janar në Kosovë janë importuar rreth 12 milionë kilogramë grurë dhe 6.5 milionë miell.
Me këtë rast, ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos kenë panik dhe të qëndrojnë në shpi për shkak të situatës me Covid-19.
“Nga 1 janari i këtij viti e deri dje në Kosovë janë importuar 34.2 milionë kg miell (35 për qind nga Bullgaria, 25 për qind nga Hungaria e pjesa tjetër nga Kroacia e Rusia. Nga kjo sasi vetëm gjatë muajit mars janë importuar afërsisht 12 milionë kg grurë. Kjo do të thotë se importi ka vazhduar me ritëm të njëjtë si në muajt paraprak, andaj, nuk ka bazë për panik. Paniku po shkaktohet qëllimisht nga disa prodhues dhe tregtarë me shumicë. Në të njëjtën periudhë kohore (nga 1 janari e deri dje) janë importuar edhe 6.5 milionë kg miell prej të cilave gati gjysma vetëm në muajin mars. Këto janë të dhëna zyrtare prandaj pa panik dhe rrini në shpi. Së bashku, do ta kalojmë këtë sfidë!”, ka shkruar Bajqinovci në llogarinë e vet në “Facebook”.