NGA KHARTUMI ME NJOHJE, NGA PRISHTINA ME PËRÇMIM: NJË FJALË PËR CINIKËT E PËRHERSHËM!

13 prill 2025 | 23:27

Shkruan: Vigan Qorrolli

1. Është lehtë të bësh ironi me emrin e një shteti të dobët për të nënvlerësuar një akt të rëndësishëm diplomatik, por është e rrezikshme ta ndërtosh të gjithë argumentin mbi cinizëm, pa asnjë analizë substanciale. Çdo njohje është gur në themelin e shtetësisë ndërkombëtare të Kosovës. Edhe kur vjen nga vende në vështirësi, ajo kontribuon në numrat, në konturat ligjore e diplomatike të subjektivitetit tonë ndërkombëtar.

2. Sudani është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Çdo votë në OKB ka peshë, veçanërisht kur bëhet fjalë për rezoluta, anëtarësime apo procese të tjera multilaterale ku numrat dhe njohjet janë çështje me interes kapital.

3. Gjatë dy ditëve të fundit, një pjesë e komentatorëve vendor ka reaguar me përçmim dhe cinizëm ndaj lajmit se Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Kjo njohje, ndonëse e vonuar dhe në rrethana të ndërlikuara për vetë shtetin sudanez, është interpretuar si e pavlerë, madje si një lloj lajmi “qesharak”, që sipas disa komentuesve nuk përbën as arritje diplomatike, as ndihmon në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.

4. Ky qëndrim meriton një reflektim më të thellë. Jo për hir të polemikës, por për hir të parimeve mbi të cilat është ndërtuar rendi ndërkombëtar dhe të cilat, nëse do të trajtohen me përçmim, dëmtojnë jo vetëm njohjen e Kosovës nga Sudani, por vetë bazën mbi të cilën Kosova pretendon legjitimitetin e saj si shtet.

5. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, e drejta ndërkombëtare është ndërtuar mbi një parim të thjeshtë, por themelor: barazia sovrane e shteteve. Ky parim nuk është thjesht normë morale apo aspiratë ideale; ai është pjesë e traktateve themelore të rendit botëror: nga Karta e Kombeve të Bashkuara te Akti Final i Helsinkit dhe garanton që çdo shtet, pavarësisht nga madhësia, fuqia apo niveli i zhvillimit të tij, ka të drejtë të ushtrojë funksionet themelore të subjektivitetit ndërkombëtar, përfshirë njohjen e shteteve të tjera.

6. Kosova nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara. Në këtë situatë, çdo njohje e re është një gur në themelet e njohjes universale dhe nuk ka asnjë kriter juridik që i jep një vlere më të madhe njohjes nga një shtet skandinav sesa nga një shtet afrikan. Të sugjerosh të kundërtën do të ishte të rehabilitojmë një rend botëror të bazuar në hierarki koloniale, e jo në barazi ligjore.

7. Po, Sudani është një shtet në krizë të thellë. Por Sudani është gjithashtu një anëtar i plotfuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare, me të drejtë vote në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kur një shtet i tillë shpreh aktin juridik të njohjes, ai kontribuon në zgjerimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo është një e vërtetë që nuk e ndryshon as niveli i demokracisë në Khartum (kryeqyteti sudanez), as vlerësimet tona politike për regjimin e tij.

8. Cinizmi i disa zërave vendorë është jo vetëm i pajustifikuar, por edhe i rrezikshëm. Ai na çon drejt një relativizimi të legjitimitetit ndërkombëtar, ku shtetet ndahen sipas preferencave gjeopolitike apo ndjesive subjektive, e jo sipas kritereve të barazisë dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo është e papranueshme për një shtet si Kosova, i cili vetë bazohet në të drejtën për vetëvendosje dhe në aspiratën për njohje universale.

9. Në vend të përçmimit, duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e çdo hapi që na afron më pranë konsensusit global mbi pavarësinë tonë. Të mos harrojmë se për dekada të tëra edhe vetë ideja e një Kosove të pavarur është konsideruar “joreale”, “e pamundur”, “qesharake”. Sot, kur kjo ide është kthyer në realitet, detyra jonë është ta konsolidojmë, jo ta relativizojmë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I pari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka…