Nga kush kishte frikë Ramiz Alia
Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Në historinë politike të 50 viteve komunizëm është e vështirë, në mos e pamundur, të gjesh një figurë kaq të mistershme, enigmatike dhe të pa kuptueshme, se ajo e Ramiz Alisë.
Në mesin e anëtarve të tjerë të udhëheqjes së lartë komuniste ai ishte i vetmi që të ndillte paqe, dukej ndryshe, më i përkorë dhe më i hapur, por do të jetë e vështirë për brezat të harrojnë atë që mund të quhet pabesia bizantine e syve të tij të kthjelltë.
Miqësia me të nganjëherë i ka kushtuar miqve të tij më shtrenjtë se çdo armiqësi, si do të ishte rasti i Todi Lubonjës apo i Fadil Paçramit; ai nuk tronditej nga çfarë ndodhte në byronë politike, gjithçka ishte e huaj për të dhe ndjenja e ftohtë kishte të bënte me jetën e tij.
Kishte në vete mirësjelljen e qëmotshme, por edhe të papriturën e skajshme; butësinë dhe bindjen nga njëra anë, por edhe durimin e pafund për të endur rrjetën e tij, në të cilën do të binin edhe dy më të fortët e pushtetit të Enver Hoxhës, ish kryeministri Shehu dhe ish ministri i brendshëm, Hazbiu.
I durueshëm si pak kush, ai , edhe pas vetë – vrasjes së Shehut, kur u bë në fakt figura numur Një në Shqipëri, e më tej, pas vdekjes së Hoxhës, nuk u bë kurrë diktator, por edhe nuk arriti të vërë poshtë vetes ata që ishin ngritur nga hiçi, frenetikë, nganjëherë deri në çmenduri.
Njëra nga drejtueset e tij që në ririnë e hershme, Liri Belishova, po ashtu një figurë ndjellë mirëse dhe rebele në genin e saj, në kujtimet e pas vitit 1991, ndoshta më mirë se askush tjetër ka sjellë portretin e njeriut që e donte si njërin nga miqtë e saj më të afërt, bashkëpunëtor besnik, armiqësia e të cilit do të ishte më e shtrenjtë se shumë miqësi të rreme.
Më konkretisht :
* * *
Thanas Nano ishte njeri i mençur, që e nuhaste të keqen nga larg dhe i shmangej asaj. Komunistët kinezë, menjëherë pas Kongresit të XX të sovjetikëve, ku dënohet kulti dhe krimet e Stalinit, për më tepër fjalimi sekret i Hrushovit ishte gjetur dhe bërë publik nga amerikanët, në prill 1960, meqenëse atëherë kishte qenë 100 vjetori i lindjes së Leninit, botuan në organin e tyre qendror një sërë artikujsh, nën titullin e përbashkët, “Rroftë Leninizmi”. Dukej qartë se ata, kinezët, jo vetëm që nuk ishin dakord me kursin e ri, por kishin vendosur të hapnin luftën e tyre.
Thanas Nano, asokohe drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e kuptoi se po i bihej dritares për ta dëgjuar dera. ATSH i dërgonte lajmet të daktilografuara në dy mënyra: Buletini blu, që i shkonte radiove dhe gazetave dhe lajmet që përmbante ai mund të publikoheshin, dhe, tjetri, më i rëndësishmi, Buletini jeshil, që u dërgohej vetëm anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave dhe një rrethi të zgjedhur. Asgjë nga ky buletin nuk mund të botohej pa pasur një leje speciale, që thuaj se nuk jepej kurrë.
Por kishte edhe një zarf të veçantë, që i dërgohej direkt Enver Hoxhës, nganjëherë sekretares së Komitetit Qendror të Propogandës, që ishte Belishova, si dhe Mehmet Shehut. Këto lajme as anëtarët e Komitetit Qendror nuk duhej t’i dinin. Sidomos kur çështja e kultit të individit dhe destalinizimit u bënë aktuale.
Artikujt kinezë u qarkulluan përmes Buletinit jeshil. Nuk duhej të botoheshin.
Dy ditë më pas Enver Hoxha thërret në zyrën e tij Liri Belishovën.
“I ke lexuar artikujt e shokëve kinezë?”
“Po, i kam lexuar.”
“Përse nuk janë botuar në gazetë, në “Zëri i Popullit?”
“Nuk janë botuar, shoku Enver, se ato bien në kundërshtim me ato që keni thënë ju në Kongresin e Tretë.”
“Mirë!”, i tha Enver Hoxha dhe ajo doli nga zyra.
Të nesërmen, sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, i telefonon. Enver Hoxha e kërkonte urgjentisht në zyrën e tij.
“Bisedova me shokët, me Mehmetin dhe Hysni Kapon dhe vendosëm të botojmë artikujt e shokëve kinezë.”
Liri Belishova e kundërshton përsëri. Enveri bie në një mendje.
Të katërtën ditë urdhëri është i prerë:
“Kemi vendosur që të botohet një përmbledhje, shkurtim i artikujve. Merr një nga shokët, merr Ramizin, shkurtojini dhe të botohen në “Zëri i Popullit”.
“Është e vështirë të shkurtohen shoku Enver.”
“Jo, do të shkurtohen dhe do të botohen. Kjo nuk është në dëshirën tënde.”
Liri Belishova do të kujtonte:
“Mora Ramiz Alinë, që ishte drejtor i Propagandës dhe u ulëm. Ishte shumë e vështirë t’i shkurtoje, sepse artikujt kishin një strukturë që, po të hiqje diçka, binte krejt artikulli. Ose, hiqje një paragraf, por e njëjta ide ishte në paragrafët pasardhës. I thashë Ramizit:
– O Ramiz, unë do të vete t’i them Enverit se këto nuk shkurtohen.
Ishim miq të vjetër dhe kishim pasur gjithnjë mirëkuptimin e njëri tjetrit.
Ramizi më tha:
– Ulu aty dhe hajt t’i shkurtojmë! A të tha Enveri se kanë vendosur t’i botojnë, e kanë ata përgjegjësinë.
Unë përsëri këmbëngula:
–Do të shkoj. Çfarë po ndodh kështu?
Ramizi përsëri nuk më linte dhe më thoshte: “Ulu, për deri sa Enveri këmbëngul, ai e di përse”.
“Ore Ramiz, ne duhet t’i themi shokëve se këto artikuj nuk janë në rregull.”
Për Ramizin nuk kishte rëndësi nëse ishin në rregull apo jo. Ai nuk donte të rrezikohej, por të mos rrezikohesha as unë.
Ai nuk ishte as i egër dhe as i poshtër. Po të ishte ndonjë tjetër do të thoshte: “Lere të vejë, lere t’i thotë Enverit, kokën do të hajë, unë do i zë vendin”.
Kur desha të ngrihesha, më tha edhe një herë, disi më ashpër se më parë:
-Ulu! Çfarë të duhet ty? A do Enveri ta bëjmë kështu, kështu do ta bëjmë! Kur jep urdhër vetë shefi, çfarë na duhet ne?
Sidoqoftë, unë shkova dhe i thashë.
Nuk e dija se kishte filluar rrokullisja e fatit tim.”
*****
Udhëtimi në politikë i ish presidentit Alia i ngjan rrugëtimit të Çiçikovit në “ Shpirtrat e vdekura” të Gogolit. Një dalje e beftë, e ngadalshme, e mundimshme, e heshtur, e turbullt dhe herë pas here dramatike, për t’u kthyer përsëri, në mënyrë po aq të mjegullt, e ku tjetër, veçse në misterin dhe të fshehtën e vet.
Nganjëherë ai dukej i tjetërkohshëm, me të cilin mund të bisedoje, e pastaj, befas, zhbëhej. Sidoqoftë, nëse ai do të vazhdonte të qeveriste këtë vend edhe në vitet e para pluraliste, ka të ngjarë të ishte më i dobishëm se pasardhësit e tij.
Ai ishte një njeri që e njihte frikën dhe nuk e vriste dot atë. Idhulli i tij kishte qenë Nako Spiru dhe kishte parë se si në pak vite ky idhull ishte rrëzuar në humnerë. Pastaj nuk kishte pasur idhuj të tjerë. Kishte lindur për të qenë gjithnjë ndihmës, dhe, edhe kur u bë Pasardhësi i fuqishëm, nuk u bë dot i plotfuqishëm. Ata që qëndronin pranë tij , përgjithësisht mediokër, e urrenin, me aq forcë sa edhe ai i urrente ato.
Nga kishte frikë ai?
Një intervistë e disa viteve më parë e zotit Xhelil Gjoni, lidhur me të vërtetën e krijimit të partive të para opozitare në Shqipëri, të cilat njerën derë e kishin nga Komiteti Qendror i dikurshëm, nuk bëri asgjë më shumë, veç asaj që njerëzit e dinin, por që kërkonin një dëshmi të dorës së parë. Dhe kjo dëshmi erdhi, ndoshta shumë e vonuar, por mirë që ndodhi edhe kështu. Xhelil Gjoni nuk ishte një figurë e çkadoshme në jetën politike të së shkuarës në Shqipëri. Në dy-tre vitet e fundit ai ishte pa asnjë dyshim numri 2 i nomenklaturës dhe njëkohësisht dora më e ndjeshme e regjimit. E gjithë ajo që i mungonte Ramiz Alisë në autoritetin e tij si drejtues i shtetit, ndodhej tek statura politike e Gjonit, ndaj të cilit, thënë të vërtetën, njerëzit kishin droje të madhe, njëlloj si kishin dikur nga figura e Mehmet Shehut. Por ai ishte njëkohësisht edhe njeriu që lëvizte gjithë fijet e lidhjes së partisë-shtet me figurat më të njohura intelektuale, të cilët, edhe kur kalonin nga zyra e tij e dyfishtë, si sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe si sekretar i Komitetit Qendror, e ndjenin trazimin. Por, i mençur si pak të tjerë në atë udhëheqje të kalçifikuar, njeri i letrave dhe fjalëpak, është krejt e besueshme dëshmia e tij, pasi e dinin se rruga drejt pushtetit, rebelimi ose falja, pendesa apo përulja, mund të vinin përmes tij më shpejt se përmes të tjerëve.
Nuk e kam takuar kurrë në jetën time dhe nuk kam pasur përse: Kur unë fillova punë në “Zërin e Popullit” ishte pragu i pluralizmit, gjërat po ndërronin marramendshëm shpejt dhe vetëm një herë, kur më thirri shefi i gazetës, Spiro Dede, dhe më dha një letër, ku zoti Gjoni kishte lënë një shënim se, për të zgjidhur një ankesë nga Thethi do të ishte mirë të shkonte një gazetar, ndoshta B.I., e mora vesh se ai kishte dëgjuar për emrin tim.
Xhelil Gjoni bëri dëshminë e tij se, jo vetëm që është ditur se çfarë po ndodhte, jo vetëm është ditur se cilët janë bartësit dhe cilët duheshin dërguar në krijimin e partive opozitare, por edhe janë mësuar se si mund të bëhet politikë. Është fakt se opozita e sotme, edhe kur bëri gjithçka dhe shkroi për të gjithë rrangallën politike të së shkuarës, “kurseu” dy vetë: Hysni Kapon dhe Xhelil Gjonin. Për “kursimin” ndaj të parit, kam menduar gjithnjë se klani Kapo është ende i pranishëm në jetën e vendit dhe shpesh herë jam bindur për këtë. “Kursimi” ndaj të dytit, që në fakt muajt e fundit të monizmit ishte më i ashpri dhe më i drejtpërdrejti, më kishte intriguar, pa ditur shkakun. Dhe shkaku paska qenë më i thjeshtë nga sa mund të mendohej: Ai ishte mësuesi.
Si ndodhi që Partia e Punës në dhjetorin e vitit 1990 ra si një kala prej letre, kur deri atëherë ajo kishte qenë më e ashpër se gjithçka tjetër? Një ekonomi e shkatërruar ka qenë gjithnjë alibia kryesore e gjithë kësaj ndodhie, por kriza nuk ndodhi në dhjetorin e vitit 1990, ajo kishte shumë vite që e bënte racionin ushqimor gjithnjë e më të vogël. Dhjetori i vitit 1990 nuk erdhi nga qielli, ai kishte kohë që përgatitej, por, kur të gjithë pritnin se godina që do të shembej do të kishte qenë e llahtarshme në rënien e saj, ajo filloi të binte ende pa i thënë askush se duhej rrëzuar.
E gjithë kjo, jam i bindur, ka edhe një shpjegim më të gjerë se kaq: frika e Ramiz Alisë ndaj së ardhmes. Në të gjithë jetën e tij politike ai e kishte ndjerë frikën. E kishte ndjerë si mik i afërt i Nako Spiros, i cili herë-herë ndiqej e përbaltej e pastaj befas shpallej hero, për t’u rikthyer tek tradhtarët; e kishte ndjerë në vitin 1956 kur ende nuk e dinte se cilën rrymë duhej të ndiqte, të dëshmisë së asaj që po ndodhte apo të dërrmimit të “deviatorëve”; dhe në fakt, gjatë gjithë periudhës që njihet si Konferenca e Partisë së Tiranës , ai nuk është i pranishëm; e kishte ndjerë në prishjen me Bashkimin Sovjetik, pasi jo vetëm që kishte qenë një i përkëdhleur fillimisht i trojkës drejtuese sovjetike, por edhe sepse mikja e tij e rinisë, Liri Belishova do të shpallej armike dhe ai do të ulej në zyrën e saj; e kishte ndjerë në Plenumin e IV për letërsinë e artet, kur nga shumëkush mendohej se ai do të ishte koka e parë e turkut që do të binte dhe këtë e kërkoi Mehmet Shehu, por që më në fund gjeti mbështetjen tek zonja Hoxha; ai ndjeu frikë pas vdekjes së Mao Ce Dunit, që u shoqërua me arrestimin e katërshes së Pekinit, njëri nga të cilët kishte të njëjtin post politik si edhe ai; dhe në fund do të vinte janari i vitit 1982, kur, ndërsa bëhej tabloja sinoptike e Mehmet Shehut, ai e ndjeu se koha e tij po vinte. Por, edhe nga kjo kohë ai kishte drojën e tij.
E gjithë statura politike e Alisë kishte kaluar përmes drojës, kjo e kishte bërë atë më të kujdesshëm, më pak hakmarrës dhe, më në fund, edhe mes një dyzimi, tolerant dhe inatçor.
Në fillimin e vitit 1990 Alia e kishte të qartë, ndoshta më shumë se gjithë të tjerët, se koha e tij kishte shkuar dhe se duhej përgatitur për t’i bërë ballë një kohe tjetër. Ai, edhe pas informacioneve që kishte marrë nga organet e specializuara, e dinte qartësisht se cilët nga intelektualët ishte i gatshëm të rebelohej dhe kishte dhënë shenja për këtë. Përplasja që kishte pasur Besnik Mustafaj me Nexhmije Hoxhën, sado që ishte bërë përpjekje për t’u mbajtur brenda vathës, përsëri kishte dalë jashtë dhe kishte jehonën e saj. Alia e dinte se rebelimi po vinte si një pranverë e vakët, ai e dinte po ashtu se ata që do të ishin pjesë e këtij rebelimi, mes tyre Pashko dhe një grup rreth tij, nuk do të kishin këllqe për t’i qëndruar deri në fund atij dhe do të shkërmoqeshin. Nëse lëvizja e tyre do të ishte memece, ajo do të sillte rebelimin brenda strukturave të tij partiake, sidomos në disa dikastere; nëse lëvizja e tyre do të dilte jashtë kontrollit, atëherë ajo do të mund të bëhej si një mashë në duart e ish të burgosurve politikë dhe familjeve të rënduara në pasluftë, dhe kjo do të ishte pastaj e pakontrolluar prej tij.
Një herë në jetën time e kam takuar Ramiz Alinë, në shtatorin e vitit 1992, kur tashmë kisha bërë një farë emri në “Zërin e Popullit”. Bisedën e bërë atëherë, natyrisht me disa shkurtesa, e kam botuar asaj kohe, së bashku me shënimin e përbashkët me poetin Frederik Reshpja, që ishte, për disa kohë, në atë takim. Frederiku ishte i ashpër dhe i drejtpërdrejtë, por Alia e respektonte mendimin e tij.
Pasi kishim folur për shumë gjëra, mes të tjerave e pyeta se nga cilët kishte pasur më shumë droje: nga studentët apo nga nomenklatura pranë tij, dhe i përmenda Simon Stefanin, ish ministër i Punëve të Brendshme, e po ashtu edhe Hekuran Isain, që kishte qenë po ashtu ministër i Punëve të Brendshme. Alia, si ishte në natyrën e tij, nuk e pranoi fjalën time “droje”, por më tha se në ato ditë rreziku më i ndjeshëm mund të ishte nga brenda, pra në rrethin e tij, i cili, ashtu si e kishte pranuar atë si lider, ashtu edhe mund ta rrëzonte. Nuk mendoj se figura e Çausheskut rrinte gjithnjë përpara tij, por jam i bindur se shumë nga njerëzit që ishin pranë tij, e mendonin atë.
Alia kishte pasur disa herë sinjalizime nga Sigurimi i Shtetit se gjendja në qytetin “Studenti” ishte drejt rebelimit. Edhe struktura të tjera afër tij e kishin sinjalizuar atë. Ai e dinte se mund të krijohej befas një shtjellë politike që mund të përmbyste gjithçka dhe kjo shtjellë të ishte brenda llojit. Këto ishin struktura të mirëorganizuara, të drejtuara nga njerëz që kishin përvojë në goditje të befasishme dhe që, po ashtu, nuk e kishin besuar atë. Në atë kohë qarkullonte një thënie se ndryshimi mes Hoxhës dhe Alisë ishte ky: Kur Hoxha fliste edhe në kuzhinë, merrej vesh në të gjithë Shqipërinë, ndërsa kur Alia flet edhe në mesin e Tiranës nuk merret vesh as në kuzhinë. Pranë tij, Hoxha kishte mbledhur njerëz pa vlera intelektuale, që u ishte dukur zbritje në parajsë dhe nuk ishin aq të gatshëm të hiqnin dorë nga parajsa. Kur Alia u bind përfundimisht se godina mund të shembej nga brenda, ai nxiti rënien nga jashtë, por me njerëzit e tij. Sido që të thonë dhe sido të gatuhet nesër historia e pluralizmit në Shqipëri, kryekuzhinieri i saj do të mbesë përherë i njëjti, Ramiz Alia dhe frika e tij.
Më shumë se një lëvizjeje nga jashtë, ai i trembej një puçi nga brenda; më shumë se sa një lëvizjeje rebeluese të vetëdijshme, ai i trembej një anarkie që mund të sillte përmbysjen e tij; më shumë se sa dhjetë intelektualëve që diskutonin gjithë pasion netëve dhe faleshin tek ai gjithë ditën, ai u trembej atyre, të heshturve në Sigurimin e Shtetit, në ushtri, në jetën politike, të cilët mund të fillonin duke kërkuar kokën e tij.
Ndaj ai i lëvizi të gjitha fijet dhe, duhet thënë, në fund, ai i qëndroi besnik fjalës që u kishte dhënë atyre: Do të mbante heshtje të plotë. Nganjëherë ai e thyente këtë vetëm sa pak, sikur të lëvizte një perde, si ndodhi në takimin tonë, por më shumë se dëshira për të dhënë një dëshmi, atë e kishte shtyrë inati që ishte në pragun e burgimit të tij, gjë që nuk kishte qenë në planet e përgatitura me aq kujdes, sa vetëm ai mund t’i bënte.
Kali i mbretit dhe kalorësit e rinj
Debati që ngjalli dëshmia e Xhelil Gjonit, e pritur prej disa kohësh, mbi të vërtetën e formimit të lëvizjes opozitare në Shqipëri, në fundin e vitit 1990 dhe disa muaj më pas, është e natyrshme të ketë pasur interesimin e pazakontë, jo vetëm sepse në këtë të fshehtë të hapur janë mpleksur bashkë disa enigma, por edhe sepse si një fakt historiografik, mban në vete zbërthimin e disa enigmave që, ose e kanë zezuar më shumë prespektivën e vendit, ose e kanë ngadalësuar atë deri në heshtje.
Shpesh herë është pranuar e vërteta se loja politike pluraliste erdhi nga sipër, ashtu si shirat që bien nga lart, por duhet pranuar edhe e vërteta se “tokën” politike e gjetën të rreshkur dhe të gatshme për ndryshim. Asfiksia ishte drejt katastrofës dhe ndryshimi do të bëhej, qoftë me hir, qoftë me pahir. Fakti që Ramiz Alia e bëri me hir, duke përdorur “pahirin”, dëshmon se gjithçka ishte përgatitur para dhjetorit të vitit 1990 dhe, në se nuk dihej data e saktë, të paktën ishte planifikuar “kaldaja” që do të ndezte dritat në dhjetor.
Si e kam thënë në një shkrim të mëparshëm, më ka qëlluar të jem i pranishëm si gazetar në takimin e bërë nga Adil Çarçani, ish-kryeministër, Skënder Gjinushi, ish-ministër i Arsimit dhe Ismail Ahmeti, ish-ministër i Ndërtimit dhe i sapozgjedhur si anëtar i Komitetit Qendror. Si e kam nënvizuar, ndryshe nga herët e tjera, nuk kishte asnjë entuziazëm të studentëve se po takoheshin me shefin e qeverisë, krejt ndryshe nga mirësia që dëshmonin ndaj ministrave.
Ishte një disakordancë e plotë dhe më ka mbetur në mendje se, ndërsa në sallë diskutimet po risilleshin në një cirkuinë të mbyllur, dy ministrat që dolën jashtë sallës, para godinës, u rrethuan nga shumë të rinj.
Pra, shteti i diktaturës së proletariatit ishte në të shembur. Lojtarët e vjetër të politikës ishin të lodhur deri në kulm dhe duheshin nxjerrë jashtë loje, sa më parë, aq më mirë dhe këtë mund ta bënte vetëm një njeri, i cili, ndërsa në darkë u jepte kulaçin, kur ishte i vetëm përballë tyre, në mëngjes u jepte kërbaçin, kur ishte i rrethuar edhe më të tjerë.
Një shembull sinjifikativ, sipas dëshmisë së Nimet Canit, njëri ndër anëtarët më njerëzorë të Komitetit Qendror. Në mbledhjen e Plenumit të KQ të Partisë para Kongresit të Dhjetë të PPSH-së, nga doli edhe Partia Socialiste e liderët e rinj të saj, Ramiz Alia, në fjalën që mbajti u tha se të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe të gjithë do të jemi bashkëveprues, ndërsa të nesërmen, në Kongres, ku ishin mbi 2000 vetë, tha haptas se “shikoni se me cilët kam punuar”, duke bërë de-fakto përjashtimin e tyre, e duke lënë veten brenda saj.
Janë shtruar shumë pyetje si u formua opozita, ishte apo nuk ishte dora “e ngrohtë” e partisë në këtë mes, u takua apo jo Berisha me Alinë dhe a u dërgua atje, tek pozita, prej tij; përse Berisha lëvdoi Alinë në takimin me studentët me një fjalor që i ngjante si dy pika uji të asaj që kishte deklaruar për të Enver Hoxha; si u krijuan republikanët, si ndodhi “Katovica”, përse më militantët lëvizën drejt opozitës dhe disa u bënë zëdhënësit e saj; përse u thirrën disa nga pinjollët e familjeve të njohura politike për të qenë pjesë e opozitës; përse ish të dënuarit si njerëz të UDB-së vrapuan drejt saj, etj. etj., por kurrë, ose shumë rrallë është shtruar pyetja tjetër: Përse pikërisht këto?
Kjo është edhe thelbi i çështjes. Përse u dërgua Nano tek Partia Socialiste, deri asaj kohe një figurë pak e njohur, ose aspak e njohur tek socialistët; përse u dërgua Berisha tek demokratët, deri atëherë një figurë e njohur për skajmërinë e theksuar politike dhe besueshmërinë si komunist fanatik, por njëkohësisht edhe dhëndër i një familje të njohur serbomalazeze; përse u dërgua Sabri Godo tek republikanët, si u bë që rektori i besuar i Universitetit të Kamzës, Xhuveli, shpejt e shpejt të bënte një parti të gjelbër, kush e njihte deri asaj kohe K. Islamin për ta bërë kryetar të Kuvendit e ministër; e në fund të fundit, përse u bë figura numër një e socialdemokratëve Skënder Gjinushi, i cili, për hir të së vërtetës, hyri në lojën e politikës kur portat po mbylleshin.
Socialistët, që erdhën në skenë nga kongresi i fundit i komunistëve, në vitet e fundit kishin mes vetes disa figura të njohura politike, por jo vetëm kaq, por edhe autoritete të spikatura shkencore, realizuese dhe autoritare. Hyrja e re që kishte ndodhur aty, e cila kishte qenë e detyrueshme edhe për shkak se statura e tyre mund t’i jepte shtetit një pamje më të moderuar, ishin jo vetëm njerëz të mësuar, krejt ndryshe nga elita e mykur dhe e lënë pas e klasës drejtuese, që përmblidhej rreth Byrosë Politike, por edhe njerëz të dëshmuar, me vlera, të cilët karrierën e tyre e kishin ndërtuar vetë, me dije, përkushtim dhe seriozitet.
Ata asnjëherë më parë, e si do të dëshmohej, asnjëherë më pas, nuk kishin pasur në vete drojën se mund të ishin përmbysur në karakterin e tyre për hir të mbijetesës, ashtu si nuk e kishin ndjerë për detyrë të rrinin gatitu para një klase politike që nuk ishte më as e hajrit, e as të së ardhmes. Ndoshta nuk kishte qenë kurrë. Hyrja e re në politikën e fundvitit 1990 kishte disa emra të spikatur, si Ismail Ahmeti, staturën e të cilit e kam sjellë edhe më parë në shkrime të tjera, Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Farudin Hoxha, Spiro Dede, e disa të tjerë.
Ramiz Alia vetë, por edhe të tjerë, kanë dëshmuar se figura e parë që i shkoi ndër mend për të drejtuar partinë e re ishte Maqo Lakrori, një njeri i pastër, por që nuk pranoi, ndoshta edhe nga ndershmëria e tij. Pastaj Alia u drejtua tek Nano dhe pas disa “përplasjesh” në seancat e pushimeve të Kongresit “ia mbushi” mendjen të jetë shefi i partisë së re. Rreth tij ai dërgoi edhe disa figura të tjera, të cilët ishin të përkohshme dhe që e kuptuan shumë shpejt se pas gjithë kësaj po luhej me baste të rënda.
Përse e pengonin Ramiz Alinë figura të tilla si Ismail Ahmeti, Farudin Hoxha, Spiro Dede e të tjerë rreth tyre? Për dy shkaqe shumë të thjeshta: Nuk do ia varnin atij; dhe, së dyti, nuk ishin të shitur, pra nuk shiteshin. Alia e kishte provuar Ismail Ahmetin kur i kërkoi mendimin se sa kohë do të duhej për të hequr përmendoren e Stalinit nga Bulevardi i Tiranës. Ish-ministri i Ndërtimit e hoqi brenda natës dhe kur Alia i tha “më preve në besë”, mes tyre u krijua çarja që ndodh mes politikës në sipërfaqe dhe asaj në thellësi.
Ismail Ahmeti nuk ishte figurë që nuk kishte emër. Ai ishte ndërtues i tri veprave të mëdha, së bashku me Emin Musliun; kishin ndërtuar tri hidrocentralet mbi lumin Drin, dhe ndërtimi i tyre nuk ishte si llogjet e mbledhjeve të Byrosë Politike. Ai vinte nga një familje e luftës, jetim, i ati i pushkatuar nga gjermanët, në kampin e përqendrimit në Prishtinë, dinjitoz dhe e gjithë jeta e tij kishte qenë një sfidë për pushtetin. Mjaft figura të tjera rreth tij kishin të njëjtën staturë. Ishin komunistë, të zgjedhur në forumet e larta partiake, por ishin të gatshëm të rebeloheshin. Ata, në fakt, ishin rebelimi brenda partisë.
Njerëz pa vese, jo lakmitarë, jo pushtetdashës, por të pushtetshëm, njerëz që e njihnin forcën e shtetit, por nuk ishin bërë kurrë goditja e tij, që i njihnin mëkatet, por nuk ishin mëkatarë; këto të gjithë sëbashku, nëse do të kishin qenë liderët e së ardhmes, do i kishin mbyllur llogaritë me të djeshmen brenda ditës. Jam i bindur se asnjëri prej tyre nuk kishte pasur ndonjë nostalgji për Enverin, (kur ditën e hapjes së Kongresit të Dhjetë botova artikullin “Punëve u duhet shkuar deri në fund”, duke kërkuar kërkimin e ndjesës ndaj asaj që kishte ndodhur, distancimin nga figura e Enverit dhe komunizmi, njëri prej tyre, megjithëse kishte qenë shefi im, më tha se do u shkonin deri në fund, por nuk e kishte ditur se jeta e tij politike do të ndërpritej shumë shpejt) dhe mbi të gjitha nuk kishin qenë pjesë e asaj që kishte ndodhur në dëm të vendit.
Mbi të gjitha ishin njerëz të punës, pa vese. E theksoj, pa vese, sepse ata që u zgjodhën në vend të tyre, nuk ishin të tillë.
Ndërtimi i partisë së re nuk duhej të ishte vepër e liderëve të vjetër. Alia ishte njëri prej tyre. Por ndërtesa e re politike që mund të ngrihej jashtë hijes së tij dhe të njerëzve rreth tij nuk ishte e sigurt për të. Nuk ishte e sigurt edhe nga konservatorët, të cilët mund të shtroheshin më lehtë përmes parullave për “mbrojtjen e pushtetit”, por nuk ishte e lehtë edhe ata që mund të quheshin të moderuar brenda kësaj force politike, dhe këto nuk do të bënin parti duke pasur si “busull” mësimet e Ramiz Alisë. Këto ishin njerëz praktikë, të cilët kishin lënë gjurmët e tyre; nuk ishin njerëz të mbledhjeve dhe, njëkohësisht, nuk kishin asnjë fije dyshimi në jetën e tyre politike e njerëzore. Jam i bindur se figura të tilla nuk ishin në listën e klanit apo bordit serb në Shqipëri, e po ashtu nuk ishin as në bordin e lobit grek. Ata nuk mund t’i kapje dhe, po ashtu, ata nuk kishin droje për reforma rrënjësore. Ajo do të kishte filluar që nga emërtimi i partisë, si një heqje dorë nga socializmi i vjetër dhe do të kishin ndërtuar shumë më shpejt një të majtë evropiane. Ata, me domosdo do të kishin bërë reforma të thella, sepse, duke qenë gjithnjë në punë, e dinin fare mirë se si jetonin njerëzit.
Ismail Ahmeti, për shembull, e dinte se në kantieret e ndërtimit të hidrocentraleve jetesa po bëhej gjithnjë e më e vështirë, Farudin Hoxha e dinte se nuk mund të ndërtoheshin vepra të mëdha në forcat e veta, mjekë, specialistë të jashtëzakonshëm, politologë e dinin të vërtetën se kishte ardhur koha për ndryshim rrënjësor dhe jo për kozmetikë. Në fund të fundit këto ishin njerëz që jetonin me racionin e zakonshëm ushqimor. Kush nuk i donte ata? Njerëzit i donin, liderët e vjetër i përbuznin. Alia shkoi sipas mendësisë së liderëve të vjetër, megjithëse shfaqej modern.
Përse e bëri Alia këtë zgjedhje? Ka pasur shumë fjalë dhe shumë hamendje. Në adresën time të internetit, edhe nga figura të njohura, më kanë ardhur mendime, ku, sipas tyre, shprehet ideja se kjo vendosje politike nuk ishte e Alisë, por e klanit serb në Shqipëri, të cilit i takonte edhe vetë presidenti i kohës, Alia.
Nuk do të shkruaj sot për këtë temë, por fakti është se shumë liderë të komunizmit në Shqipëri, disa të etur nga dëshira për pushtet dhe disa nga naiviteti politik që sillte me vete agu i komunizmit, u lidhën me Dushan Mugoshën në një pjesë të jetës së tyre dhe fijet që u krijuan, edhe kur deshën ata që të shkëputeshin, nuk i hiqte pala tjetër. Dushan Mugosha, serbi që fliste shqip dhe njëkohësisht antishqiptari më i thekur, është në themelin e njësimit të figurave politike shqiptare me politikën serbomalazeze. Tashmë është fakt i ditur se njerëz të politikës si Koxi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Nako Spiro kishin qenë pararoja e lobit serb në Tiranë. A ishte edhe Alia në këtë listë? A kishte qenë edhe ai në “vathën” e mugoshëve të luftës dhe të pasluftës? Hamendjet nuk janë të arsyeshme, mosha e tij e re gjatë luftës dhe lidhjet me Nako Spiron dhe Lirie Belishovën, ishin më shumë romantike dhe në fakt, asaj kohe ai nuk ishte një ndër figurat që mendohej se i takonte e ardhmja. “Ujqërit” që ishin para tij aso kohe ulërinin në politikë dhe fjala e tij ishte si blegërimë e tretur.
Por fakti është se kur strukturoi dhe ndërtoi të ardhmen e Partisë Socialiste ai nuk solli në lidershipin e saj njerëz që ishin të denjë për të bërë një forcë politike autoritare, të dinjitetshme dhe të besuar. Luhatjet e kësaj partie, herë nga e majta dhe herë nga e djathta, dhe fakti që as sot nuk dihet se ku është, majtas apo djathtas, rrëmuja në lidershipin e saj, largimi i disa figurave që njiheshin si kryeneçë, mosafrimi i disa figurave të tjera, të cilat më pas, përkohësisht gjetën strehë tek opozita dhe u larguan edhe prej saj; qëndrimi në poste të larta drejtuese prej më shumë se dy dekadave i figurave besnike ndaj Alisë, pengesa që u sollën të rinjve, sidomos disa grave të emancipuara dhe dinjitoze, që u bënë sinonim i modernizimit të kësaj force politike, dëshmoi se gjërat nuk u bënë në rrëmujën e “qametit”, por, ashtu si ishte përgatitur gjithçka për të ndërtuar opozitën, ashtu ishte skicuar edhe ringritja e forcës së vjetër politike nën kalorësit e rinj.
A i bëri qëllimisht Alia të gjitha këto, apo gjërat dolën jashtë kujdesit e mendimit të tij? Ishte sjellja e Nanos në drejtimin e partisë rastësi kongresuale apo gjetje e menduar? Largimi figurave dinjitoze ishte në të mirën e vendit apo në dëmin e tij?
Kush ia rekomandoi Alisë emrin e Sali Berishës? Përse Berisha, kur doli nga takimi kokë më kokë me Alinë, natën e dhjetorit, fjalës së Besnik Mustafajt, i cili e priste jashtë, se “mbaroi edhe kjo punë”, iu përgjigj, “Përkundrazi, tani filloi”.
A kishte dorë klani serb në ndryshimet që ndodhën në Shqipëri apo është thjeshtë një ngulitje e dëmshme e mendimit në këtë temë?
A i bëri qëllimisht Alia të gjitha këto, apo gjërat dolën jashtë kujdesit e mendimit të tij? Ishte sjellja e Nanos në drejtimin e partisë rastësi kongresuale apo gjetje e menduar? Largimi i figurave dinjitoze ishte në të mirën e vendit apo në dëmin e tij?
Emërimi i Fatos Nanos, fillimisht si zëvendëskryeministër në qeverinë e fundit Çarçani, e më pas, si shef i qeverisë, ishte një befasi për njohësit e politikës, për më tepër kur ai, të vetmen periudhë kur e kishte njohur nga afër ekonominë, kishte qenë ajo e periudhës së stazhit të anëtarit të Partisë së Punës. Nano ishte një njeri me rreth të gjerë shoqëror, i mençur, polemist i dorës së parë, më shumë i përfolur si garip dhe ndjekës i bitëllsave. Por ai kishte një kartë të fortë në dorë, kartë që shpesh herë shoqëron fillimet politike: i biri i babait, Thanas Nanos, dorës së fortë në propagandën shqiptare. Do të ishte një nga rastet e pakta kur, që në fillimet e pluralizmit, një vazhdues i familjeve pushtetore të jetë në majën e piramidës. Më shumë se sa zgjedhje e Alisë, ai ishte një përzgjedhje e Nexhmije Hoxhës, por, në fakt, as njëri e as tjetri nuk e kishin menduar se gjërat do u dilnin shumë shpejt nga parashikimet e tyre. Zgjedhja e tij me këmbënguljen e Alisë nuk ishte një rastësi kongresuale, por gjë e menduar. Ishte ideja se përmes ndjenjës liberale të tij dhe njëkohësisht besnikërisë familjare ndaj regjimit, mund të kishin ende gjërat nën kontrollin e largët të tyre, por edhe të kishte një vazhdimësi të linjës ekonomike. Ata që mund të mendojnë se në brezin e parë të socialistëve nuk do të kishte “pragmatistë ekonomikë”, janë naivë. Në mjedisin më të lartë politik ishte një përzierje mes idealistëve, që mendonin mbarësi për të gjithë, dhe “prakticienëve” që mendonin për liçencat dhe tenderët e parë. Sa më shumë që figurat dinjitoze të ishin larg këtij përbashkimi, aq më shumë fryma e njohur si e Katovicës mund të gjente strofullën e saj.
Skema e partive politike në shpërthimin e parë, u shtua edhe me një parti e cila, thënë të drejtën, më shumë se sa të ishte frymë e partisë në pushtet, ishte ndjenja rebele e lënies jashtë strukturave të linjave të reja partiake: Socialdemokratët. Ata në atë kohë, njërën këmbë, të djathtën, e kishin me opozitën; ndërsa tjetrën, të majtën, e kishin me socialistët, nga e kishin edhe fillesën. Shumë nga figurat e socialdemokratëve ishin intelektualë të njohur, për më tepër ajo mund të quhej edhe si parti e tyre, por, është po ashtu fakt, se shumë prej tyre kishin pasur role jo të pakta në zhvillimet politike, arsimore e kulturore të deri asaj kohe. Jo të paktë vinin nga strukturat drejtuese në rrethe dhe u gjendën aty pasi kishin marrë një miratim të heshtur nga organet e pushtetit. Ndjenja rebele e lënies jashtë zgjati deri sa disa prej tyre gjetën vendet bosh tek të tjerët, më shumë si bashkëngjitje, dhe ndodhën ndarjet që nuk u bashkuan më, si e Laços e, më pas e Milos. Duke qenë përherë të ndërmjetëm, ata e kishin të vështirë të gjenin staturën e tyre, gjë që e kanë të vështirë edhe sot e kësaj dite.
Por ajo që bën rëndësinë më të madhe është enigma e krijimit të taborit të parë të forcës kryesore opozitare, e cila më pas u bë për shumë vite forcë qeverisëse, dhe që, në dy mandatet e saj, solli pas vetes gjëma të ndjeshme, të cilat mund të ishin katastrofa kombëtare. Në vitin 1997 ata lanë pas vetes një vend të djegur dhe me kërcënimin e luftës civile; në vitin 2013 pas tyre ishte një shkretëtirë financiare që nuk do të “gjelbërohet” dot në katër vitet e para të qeverisjes së re. Pinjolli më i njohur i kësaj dinastie do të jetë një njeri, të cilin zoti e krijoi për të keqen e këtij vendi, Sali Berisha.
Askush nuk ka më dyshim se futja e tij në lojën e madhe të politikës kishte nga pas vetëm një usta: Alinë.
Kush ia rekomandoi Alisë emrin e Sali Berishës? Përse Berisha, kur doli nga takimi kokë më kokë me Alinë, natën e dhjetorit, fjalës së Besnik Mustafajt, i cili e priste jashtë, se “mbaroi edhe kjo punë”, iu përgjigj, “Përkundrazi, tani filloi”.
Ramiz Alia nuk ishte nga ata liderë që nuk e mendonin të ardhmen. Ndoshta në të gjithë elitën komuniste ai ishte më i mençuri, më i hapuri, që mblodhi rreth vetes edhe disa figura të njohura intelektuale, e që njëkohësisht, megjithëse i detyruar të punonte me ta, kishte alergji ndaj udhëheqjes së vjetër. Ai ishte ndër ata që donte të bënte një hap të madh prapa, si me kongresin e vazhdimësisë dhe dy hapa të vegjël para, si me tufëzat dhe me arëzat. Duke qenë gjithnjë në pragun e tjetërsimit të figurës së tij, ai i kishte bërë hesapet para se të ndodhnin, dhe, megjithëse disa prej tyre nuk i dolën në pazarin e politikës, për shumë të tjera ai ishte ustai që i kishte përgatitur.
Për herë të parë, emrin e Berishës si njeri i opozitës së ardhshme, sipas burimeve të besueshme të lëvizjes ilegale në Shtetet e Bashkuara, Alia e mori në takimet e veçanta me disa nga krerët e emigracionit politikë të atjeshëm, disa nga të cilët kishin kaluar nëpër filtrin e shërbimit sekret serb. Njeriu, i cili e përcaktoi për herë të parë emrin e Berishës si një lider politik opozitar është i njëjti që më 14 shtator 1998 e urdhëroi atë përmes një shqipeje me theks malazez, që të tërhiqej nga rebelimi dhe grushti i shtetit. Dhe Berisha e dëgjoi.
Më saktësisht: Më shumë se sa i zgjedhur prej tij, Alia ishte i detyruar ta përcaktonte emrin e tij, duke pasur nën dorë edhe një as tjetër të politikës: Berisha deri në dhjetor 1990 kishte qenë njëri ndër komunistët radikalë brenda një strukture radikale. Besimi i Alisë ishte që përmes një figure të tillë ndryshimet do të ishin më shumë brenda kozmetikës se në rrënjët e saj dhe, njëkohësisht, do të ishin jashtë hakmarrjes që mund të pritej. Në fjalimin e tij të parë publik para studentëve, Berisha provoi pikërisht kozmetikën e politikës, por kur ndeshi në vërshëllimat e protestuesve, të cilët tashmë kishin zaptuar frikën, e ndjeu se loja me dy porta duhej mbyllur urgjentisht.
Tashmë është folur shpesh herë për figurën e Berishës dhe lidhjet e tij familjare me pjesë të klanit serb në Shqipëri e jashtë saj; për shkëmbimet e mesazheve, takimet e fshehta me njerëz të besuar të Millosheviçit, takimet me shefin e qeverisë malazeze, dora e djathtë e Millosheviçit, ashtu siç është saktësuar tregtia ilegale e naftës, armatimit, hapja e portave për një linjë trafikante serbe, jo vetëm përmes Fazlliçit. Ai do të jetë shefi i parë i një qeverie shqiptare që do të deklarojë haptas se e kishte mik shtëpie – ndërkohë që kishin biznese të përbashkëta familjare – nipin e shefit të UDB-së serbe, të akuzuar për krime lufte në Kosovë. Po ashtu, do të jetë shefi i vetëm i një qeverie, e cila jo vetëm mohon, por është ashpërsisht kundër luftës çlirimtare që bënte një pjesë e kombit të tij, si ndodhi me qëndrimet ekstreme të Berishës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë kryeministrat socialistë, të cilët kanë drejtuar në kohën e luftës në Kosovë, Nano, Majko e Meta, kanë mbështetur këtë luftë, ndoshta edhe ngaqë tashmë ajo kishte fituar përkrahjen ndërkombëtare; ndërsa i vetmi që ishte kundër saj, për më tepër nga një zonë thellësisht veriore, do të ishte i zgjedhuri i Alisë në vitin 1990 për të qenë shefi i opozitës së ardhshme.
Nuk mund të besoj se të gjitha këto veprime në të njëjtën linjë të jenë një rastësi e politikës apo e dëshirës për pushtet. Nëse i shtojmë kësaj edhe risjelljen në rolin e liderit politik të opozitës të një figure si Basha, i njohur për rolin e tij në hetimin e liderëve të luftës në Kosovë dhe njëkohësisht mik besnik i Fazlliçit, gjërat bëhen edhe më të rënda. Përse i duhej bordit serb një lider opozitar si Berisha, edhe nëse ai nuk do të ishte drejtpërsëdrejti në një lidhje të kahmotshme me ta?
Njëri ndër katër themeluesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë klandestine që më pas formoi dhe drejtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është Ibrahim Kelmendi, njohës i saktë i rrjedhave të politikës shqiptare, pasi vetë puna që ka bërë dhe natyra e tij ka qenë për afirmimin e të vërtetave. Në njërën nga bisedat me të, ai ka dhënë edhe këtë mendim:
“..udhëzimet e Sali Berishës me kasnecët e tij, gjegjësisht me spiunë të UDB-së dhe të OZNA-s, që i kishte bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, për të shkatërruar gjithçka në Shqipëri: shkollat, uzinat, madje edhe plantacionet e frutave, teoria e Çekut të bardhë apo teoria e nivelit ZERO etj., ishin argumente të tjerë që ma thellonin dyshimin se ato urdhra vinin po nga Beogradi nacionalist, që ta lodhnin Shqipërinë për ta zhveshur deri në palcë…”.
A kishte dorë klani serb në ndryshimet që ndodhën në Shqipëri, apo është thjesht një ngulitje e dëmshme e mendimit në këtë temë? Po klani grekomadh, i cili kishte po të njëjtat interesa nacionaliste ndaj Shqipërisë?
Duhet të jesh naiv të mos e mendosh këtë, dhe njëkohësisht, të mos e pohosh. Në Shqipëri, duke përjashtuar katër vitet e para të pasçlirimit, kishte një ndjenjë të fuqishme anti-serbe e anti-greke, sidomos anti-serbe. Fobia ndaj çdo gjëje që vinte nga andej ishte aq e ndjeshme, sa që dashje pa dashje, kishte zënë vend edhe tek njerëzit e zakonshëm. Hapja e vendit ishte një urë e ndjeshme për nacionalizmat fqinje, të cilët gjetën tek liderët e politikës që po vinte, njerëz të gatshëm për t’u shitur e për t’u blerë. U gjetën me një shpejtësi të jashtëzakonshme figura politike që e morën përsipër këtë rol makut, por kjo nuk ishte më një rastësi, por një vijë politike në emër të shkuljes së të keqes që kishte ardhur nga mbyllja.
Shumë njerëz i njohin Ramiz Alisë meritën e kalimit të pushtetit pa gjak, pra në një rrugëtim disi paqësor, çka shpesh herë është cilësuar edhe nga vetë ai, si një veçori e këtij vendi.
Unë jam i një mendjeje se Shqipëria nuk është qendra e botës, por jam po ashtu i një mendjeje se është qendra jonë. Ramiz Alia dhe liderët e tjerë të kohës moniste kishin në duart e tyre shumë më tepër se sa është ditur. Shpeshherë, përmes hutimit, pasigurisë dhe lidhjeve të mëhershme, ata bënë gabime, të cilat koha e atëhershme mund t’i justifikonte, por ajo që erdhi më pas i gjeti tragjike.
Instalimi në Shqipëri një bordi serb legal në politikën shqiptare, lejimi i bordit grek për të bërë të paudhin e ligjshëm në Shqipëri, qoftë edhe përmes lejimit të një figure tejet enigmatike si Janullatosi, amnistia dhe përfitimet që patën ish agjentët e deklaruar të shërbimeve sekrete serbe apo greke, riciklimi i tyre në politikë dhe në vendimmarrje, krijimi i një paternalizmi vulgar mes pjesëve të ndara të kombit, mohimi deri në rrënjë i gjithçkaje që ishte bërë në dyzet vitet e fundit, njollosja e historisë për të ringritur historinë e mercenarëve dhe bashibozukëve, shumë nga të cilët kishin qenë vegla serbe të njohura, mohimi i vlerave që kishin tashmë legjitimitetin e tyre, përçmimi i luftës çlirimtare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën ish Jugosllavi – të gjitha këto, së bashku e veç e veç, janë ndër ato faje tragjike që kanë zanafillën e tyre që kur liderët e vjetër bënë ndarjen e re të roleve të politikës, pra që nga dita kur vendosën se cilët do të jenë kalorësit e rinj në kalin e pushtetit.
Dhe e keqja është se ata, edhe sot e kësaj dite, nuk po i zbret askush nga ai kalë i mallkuar.
https://gazetadita.al/nga-kush-kishte-frike-ramiz-alia-2/