Nga libri deri te Teatri
Dita e librit dhe leximit!
Nga Agron Gërguri
Duke e lexuar, cilindo libër por gjithsesi të zgjedhur, përjetoj një çast lumturie krijuese, një moment humbjeje në vetvete, ku zë fill një mendim-ide për diçka, kjo diçka është momenti kur e zë veten se kam hyrë në një botë tjetër pa detyrim se duhet të jem aty, por duke ndje kënaqësinë e komunikimit me të panjohurën që më thërret si akt krijues!
Jo rrallë harroj se çka jam duke lexuar, si njeriu kur harron çka tha vetmevete, kur nuk guxon të flas zëshëm. Ndërsa në ndër-dije më “dëftohet” vetja duke ndjekur jetën e cila po ikën shpejt, si diçka që nuk e kuptoj, e shtirem se po e kuptoj, si librin e palexuar kur e ritregojmë për dikë që e ka lexuar?!
Dhe konstatojë se libri po më lexon mua. Ashtu më rigjen, më shqyrton, më provokon, më zgjon ndjenjat e fjetura, më krahason me vetveten në kohë dhe raport me të tjerët. Dhe shqetësohem kënaqshëm kur e konstatoj se kam harruar jetën duke tjerrë mendimet e mia në t’bëmat e tjerëve, lotit, buzëqeshjen e dashurisë së humbur, e cila pëlcet në heshtje!
Pas ekskursionit të leximit tashmë më i pasur për një ndjenje, përvojë, dilemë apo dyshim, deri tek bukuria e vdekjes e cila na thotë: jeta është dashuri. Dhe vazhdoj të lexoj sepse aty e gjej dashurinë, e cila jeton në mua.
Kënaqësia që më plotëson është kur librin e lexuar e riprodhojë duke e konvertuar në teatër, në cakun e dashurisë sime, aty ku gjithçka provohet për hir të jetës së madhe ku ne jemi personazhe të vegjël. Nga libri deri te teatri me dashuri për librin | Teatrin!
Podujevë, 23 prill 2023