NGA LIBRI I LETRAVE

20 gusht 2019 | 17:34

RAGIP SYLAJ

NGA LIBRI I LETRAVE

LETËR POEZISË

Ende pa të njohur të ëndërrova. Si një grua hyjnore të paarritshme. Kur të njoha, e pashë që ishe: ëndrra, malli, shpresa, toka, qielli, pavdekësia dhe vdekja. E dija se je e ishe kudo, si jeta, si dashuria, perëndia dhe se kudo e kurdo mund të të takoja. Por më vinte marre prej teje si prej nënës, motrës e gruas, ndaj të nisa letër. Letër.

Ti ishe peizazhi më i bukur që mund t’i ëndërrojnë krijesat e natyrës. Ti ishe si femra më e bukur që mund të ëndërrojë një mashkull. Ti ishe si shpresa më e madhe që mund të ëndërrojë një i pashpresë… Ti ishe bjeshka më e lartë që mund t’i gjunjëzohet vetëm qiellit.

Ti je Dielli që luan me rrufetë. Ti je shpella që gëlltit pikëllimin, shkretëtira që përthith pangopshëm shiun e mërzisë. Dhe trëndafili mbretëror që përhap hijeshi në mbretërinë e shëmtisë.

Nuk di pse të nisa letër…

Ndoshta të nisa letër që të mos më braktisësh se, pa ty mbetem si pa nënë, si pa grua, si pa fëmijë, si pa truall, si pa jetë. Ndoshta të nisa letër që të vish, sepse të presë si pranverën, si dashurinë, si përlindjen, si shpresën që të mbush energji për jetë e për të ardhme. Ndoshta të nisa letër që ta kapërcejmë humnerën që na ndan, që ta zhbëjmë terrin që na hyn në kujtesë e që ta kalojmë murin e mallkimit me flatrat e fjalës.

Sa herë zgjerohesh në bukuri, frymë merr vetëm në dashuri. Së paku ta kishe cakun pafundësi. Krejt këta emra pleksen e shkrihen në emrin e madh, të bukur e të dashur sa jeta subtile e sublime: Poezi.

Pastaj…

Deshe të flisje me mua apo të flisja unë me ty, me Muzën. E di se vetëm ti nuk më lëndon; se vetëm ty nuk të lëndoj… Deshe të më thuash je e gatshme të vish si dashnore ëndrrash parajsore me rrobat e nëpërdukshme. Deshe të më thuash se sa të më shkojë mendja te Ti – ti do të më futesh në qenie si ajri, do të më futesh në sy si pamje e përkryer, pastaj – në vesh – si fëshfërimë ere, në lëkurën e ashpër si ngrohtësi jetësore dhe në gjumë – si magji ëndrre, sa krejt pafundësia e gjallimit kozmik. Erdhe si haber Muze, si ngazëllim mitik e si frymë mistike, që shkon përtej qenies e përtej kohës.

Andaj desha ta shfaq admirimin tim për ty bukuri e bukurive e dashuri e dashurive, të të kallëzoj se për aq sa je brenda meje po për aq do të jem brenda teje. Tjetër është sa më zë shtrati yt e sa mund t’i stis ngasjet e mia në shtrat për ty. Sepse, ti më mundësove të jem i pasur me krejt ato që më munguan, madje të më kesh edhe kur s’të kam, duke u bërë qenie si vetë ekzistenca nëpërmjet esencës së fjalës.

LETËR MUZËS

Letra për Ty është si letra për dashurinë, për bukurinë e për harmoninë. Letra për Ty është si letra për përsosmërinë e për perëndinë… Unë të ndiej brenda meje, edhe kur nuk të shoh. Ti, nuk e di, në më sheh. Do të doja të më shihje, të më ndieje, të më flisje nga afërsia e nga largësia, nga prania e nga mosprania. Kjo letër është thirrje për të mos ikur nga unë, përgjërim për të mos më braktisur, kërkesë për të mos më harruar. Kjo letër është dëshirë për të më kujtuar, për të më ëndërruar, për të më përçuar mesazhet tua të hyjnueshme, për t’ia marr këngës në ditë e në natë, në ag e në terr. Kjo letër është lutje për t’iu dhënë gji vargjeve të mia. Kjo letër është si propozimi për dashurinë që i bëhet vajzës, nuses, gruas, dashnores, vetë dashurisë. Kjo letër për Ty është edhe përshpirtje për të mos u fundosur në harrim, për të mos u tretur në shkretëtirën e kujtimeve, për të mos mbetur i fundosur në llurbën e mëkatit. Kjo letër është mëtim për t’i parajsuar ditët e netët, për ta ndriçuar veten e të tjerët, është gjakim për të mos vdekur. Kjo letër është një lloj përgjërate që fjala të ngjizet me mendimin e me ndjeshmërinë, që fjala të ngjitet për fletën e bardhë e që kuantet e saj të rrezatojnë energji dashurie përtej meje, përtej teje, përtej vetë fjalës e kundrimit…

Ndoshta nëpërmjet kësaj letre është dashur që ta shpreh mirënjohjen e falënderimin për sa herë që më ke qëndruar pranë dhe m’i ke mëkuar plagët e shpirtit dhe për herë sa më ke ardhur pa përtesë, vakt e pa vakt, sa herë kam pasur nevojë për Ty, qoftë për të ma fashitur zjarrin e pasionit, qoftë për të ma ndriçuar mendjen, qoftë për ta prekur shpresën kur më tretej humbëtirave të fatkobit. Kjo ka mundur të ndodhë edhe kur kam mundur ta humbas besimin në Ty, siç mund ta humbasë besimtari i devotshëm besimin në Zot, atëherë nuk e di a e ke humbur edhe Ti besimin në mua… Por diçka e fshehtë, si besëlidhje, si dashuri e epërme na ka mbajtur në mosharrim. Eh, sa mirë e sa bukur është të besosh e të shpresosh te Ti. Është sikurse të mos e humbasësh besimin se pas çdo nate sado të errët do të gdhijë dita e gëzueshme, se pas çdo dëshpërimi vjen shpresa, se pas çdo pikëllimi vjen edhe lumturia, se pas çdo humbjeje vjen edhe fitorja që e ke gatitur, se pas çdo të tatëpjete vjen përpjetëza, sikurse pas çdo rënieje vjen ngritja.

E magjishmja Muzë, ta kam përfytyruar fytyrën herë si hënë e plotë e herë si diell jetëdhënës, herë si orë e qiellit e herë si zanë e malit… Nuk e di kah ke hyrë në mua, as nuk e di se kah kam hyrë në Ty. Por, një gjë e di, se pa ty nuk kam jetë, nuk kam frymë, nuk kam dritë, nuk kam shpresë. Andaj mos vono të vish në gëzime e në hidhërime të mia, mos vono të vish në bollëkun e zemrës e në zbrazëtinë e shpirtit, mos vono të më vish në ëndërr e në zhgjëndërr. Vetëm me Ty, sa herë vdes – ringjallem. Vetëm me Ty fjala ime merr forcë dhe bëhet qenie që flet, vetëm me Ty kënga ime merr jetë në udhën e përjetësisë, vetëm me Ty unë jam Unë. Amin!

LETËR VETMISË

Në fillim të fillimit je vetënjohje, në vazhdim të vazhdimit je dhembje e vuajtje, e në fund të fundit je përsosmëri.

Në fillim të fillimit je ikje nga rrëmeti, në vazhdim të vazhdimit je braktisje, e në fund të fundit je përndritje.

Në fillim të fillimit je në sprovën e furtunës, në vazhdim të vazhdimit je në provën e tërmetit të brendshëm, e në fund të fundit je lartësimi drejt Qiellit.

Në fillim të fillimit je i mësuari, në vazhdim të vazhdimit je mësuesi, e në fund të fundit je Krijuesi.

Në fillim të fillimit je përdëllimi, në vazhdim të vazhdimit je i përdëllyeri, e në fund të fundit je përdëllyesi.

Si ta mbush hapësirën tënde, me çka ta dendësoj mangësinë tënde, si e me ça ta përmbush zbrazëtinë time? Mbase duke qenë unë në ty apo ti në mua, duke qenë unë yti apo – ti imja… A mbushet me diell, me këngë, me gjellën e shenjtë apo me besimin te ylli im?

Si të dal prej teje vetmitar, i këqyrur shtrembër, i përbuzur, i molisur, i sprovuar persekutimesh të jo njeriut? Atëherë je gjendje e urryer, nevrikosëse, e mërzitshme, pa e ditur nëse të tjerët përreth m’kanë ngritur mure akulli dhe m’kanë kurthuar në burgun e frikës. Atëherë dhe vetëm atëherë ia plasi vajit e këngës (vajit si këngë e këngës si vaj) për ta kërkuar vetveten në humbëtirat e qenies. Pastaj kërkoj të hyj në ty apo të identifikohem me përsosmërinë e Krijuesit. Atëherë mund të jem vetvetja në lartësinë e gjakuar, ku stiset hiri i fjalës, ndërsa në ëndrrën kozmike shndërrohem në demiurg. Por, në fund të fundit, tregomë, a më ke urryer aq sa më ke dashur, apo më ke dashur për aq sa je bërë obsesioni im?!

LETËR DASHURISË

E dashura Dashuri, sa herë nuk vish tek unë ose nuk vij unë te ti, më kaplon zbrazëtia, më kaplon uria, etja, moskuptimësia. E di se m’ke bërë Ti, ti që ke krijuar tokë e qiell, yje… E unë, çka mund të krijoj pa ty (?): vetëm këngën e pa gjak, vetëm lulen pa polen, vetëm jetën pa frymë, vetëm një yll pa dritë. E tash, ec e dije nëse ti më ndjek mua apo unë të ndjek ty. Ti më shfaqesh herë si poezi, herë si pikturë, herë si simfoni, herë si devocion i besimtarit, herë si pëllumbeshë, e herën tjetër si Muzë. Kur nuk më arrin ti, a të arrij unë? Kur nuk të arrij unë, a më arrin ti, ti – zjarr i fshehtë që ngazëllen gjakun e mishin, gurin e drurin…

Kur ti vishesh në bukuri, unë vishem në mallëngjim…

Kur kridhem në shkretëtirën e shëmtisë, afshi për ty m’është si vetë epshi për jetën, andaj të kërkoj në ëndërr e në zhgjëndërr, në gurgullima përrenjsh, në pingërrima zogjsh e në vallëzime zanash. Sa më duhesh kur nuk të duhem? Sa më duhesh kur më duhesh tepër, domosdoshmërisht?

Kur më preke ti si të më prekte hyjnia. E pashë veten ku kisha mbetur, se më duhej të udhëtoja edhe për një etje e uri te Edeni a te bregu i Venusit, aty ku më pret kryqëzimi: unë kryqëzohem në ty apo ti kryqëzohesh në mua? Në këtë akt shenjtërimi, në këtë akt ekstaze ngrihem në lartësinë e Hyjit apo Hyji zbret në mua e në ty: në kulmin e lartësisë sensuale, para se të mbyllemi në Kullën e fjalës, kridhemi në parajsën e heshtjes.

Prandaj po të nis letër, që ta përmendësh për mua ëndërrimtarin. Letër nga unë te unë. Me çka ta dërgoj, kujt t’ia besoj këtë të fshehtë? Letër Jetës, letër gjithësisë, letër Zotit.

Jam i uritur për dritën tënde… Vetëm bukuria jote më bën të bukur, vetëm jeta jote më bën të gjallë, vetëm mrekullia jote më bën të mrekullueshëm dhe përjetësia jote – të përjetshëm. Dhe se vetëm eliksiri yt më bën poet, qoftë kur e marr si erë nga trëndafili i përsosmërisë hyjnore, qoftë kur e pi atë lëng mistik jetëgjatësie…

LETËR JETËS

Pata dashur t’i shkruaja Letër Vdekjes, por sikur pata harruar se së pari e së fundi duhet çuar Letër Jetës.

E dashura Jetë, ti krijuesja ime, nuk e kemi çuar bash mirë njëri me tjetrin. Më ke ardhur shpeshherë e rëndë dhe padrejtësisht të kam përbuzur. Vetëm tash kur vjen koha të ta kthejmë shpinën e shohim sa e bukur dhe e mrekullueshme paske qenë. Ndoshta paskam rrejtur se nuk të doja, sepse kur isha në gjendje të keqe rrokesha pas teje si i mbyturi për shkume. Ti ishe foleja ime, fryma ime, blerimi dhe lulëzimi vërgjilltë i Nënës Natyrë. Unë isha vetëm pseudo heroi yt, që me fjalën e bukur e luftonte të keqen dhe mendonte e shestonte ta ndërtonte kalanë e mirësisë. Kisha harruar se unë isha fëmija yt dhe me ty sillesha si fëmija i pasjellshëm me Nënën. Ah, vetëm unë e di sa të kam lënduar. Tash e kam kuptuar se ne kurrë nuk mund të të duam aq sa na do Ti neve. Oh, ti na fal gjithmonë për gabimet tona, siç na fal e shtrenjta Nënë!

Ti më ke ushqyer kur kam qenë i uritur, ti më ke dhënë ujë kur kam qenë i etur, ti më ke veshur kur kam mbetur i zhveshur, ti më ke mbrojtur kur më ka sulmuar e keqja, ti më ke gëzuar kur më ka kapluar trishtimi.

Por, edhe kam kënduar për t’u liruar nga hidhësitë tua dhe për ta prekur shpeshherë edhe anën tjetër tënden. Ah, sa plagën ma ke shëruar e ma ke mbyllur, sa dhembjen ma ke larguar e sa lumturinë ma ke sjellë. Të kërkoj ndjesë e dashura Jetë, por me të dashtë Ty gjithmonë kam menduar se është dobësi, se është egoizëm, madje edhe marrëzi…

Ti je bukuria e bukurive dhe dashuria e dashurive, mirësia e mirësive dhe kënaqësia e kënaqësive të pafundme. Ti je misteri i ekzistencës sonë. Ti je nëna e botës dhe trashëgimtarja jonë. Ah jetë, o jetë, ndoshta duke menduar se të urreja pavetëdijshëm të paskam adhuruar!

E di se nuk po e zbuloj Amerikën e as ndonjë gjithësi tjetër, por nëse s’kam ditur ta bëj e ta them në fillim, po them më në fund: Lavdi Jetës!

(Marrë nga numri i parë i revistës “Akademia”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arjen Robben ka punuar me shumë trajner gjatë karrierës së…