Nga modele në këngëtare
Veprimtarinë e saj artistike e ka nisur me modelizëm, duke qenë një nga protagonistet kryesore në agjencitë e modelizmit në Zvicër.
Bernadeta Nikollbibaj ka vendosur të largohet nga kjo fushë për ta nisur karrierën muzikore.
Nikollbibaj, me emrin artistik “Ana”, e cila sapo ka lansuar projektin muzikor së bashku me reperin Abin, “Je t’aime” (Të dua), i cili është shndërruar në njërin nga këngët më të pëlqyera.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ana ka zbuluar planet e saj për karrierën dhe muzikën.
“Epoka e re”: Për publikun shqiptar jeni njohur si modele. Si ju lindi ideja të bëni edhe muzikë?
Nikollbibaj: Karrierën e kam filluar si modele në fillim në agjenci të modës këtu në Zvicër, ku edhe jetoj, për të vazhdar në spektakle të modës në trevat shqiptare, ku kam marrë çmimin ‘Miss Grande Kosova’ në njërin kompeticion të organizuar në Kosovë. Pasionin për muzikë e kam pasur më herët, por tash erdhi koha që të merrem më intensivisht me muzikë.
“Epoka e re”: Kënga juaj e parë “Je t’aime” (Të dua) është duke u pëlqyer mjaft nga publiku. Si erdhi deri te ky bashkëpunim?
Nikollbibaj: Unë kam marrë një ofertë bashkëpunimi me reperin Abi, me të cilin është realizuar ky duet. Këtë bashkëpunim e kam pranuar me kënaqësi. Jam shumë e kënaqur me këtë projekt pasi është mirëpritur shumë mirë nga publiku, sidomos refreni është një gjë të cilin e kam shumë për zemër.
“Epoka e re”: Cilat janë planet e juaja për muzikën?
Nikollbibaj: Pas këngës “Je t’aime” unë kam angazhuar menjëherë edhe bashkëpunëtorët e mi për të punuar edhe në dy projekte të tjera muzikore, ku shumë shpejt njërin do ta sjell me videoklip. Besoj shumë në të pasi është një ritëm i cili do t’i përgjigjet mjaft mirë tregut muzikor.
“Epoka e re”: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj për projektin e radhës?
Nikollbibaj: Në bazë të konsultimeve të menaxhmentit tim, për projektim tim të dytë kemi vendosur të sjellim një këngë solo, ritmike të zhanrit RNB. Kënga është punuar në studion e Hekuran Krasniqit, teksti dhe muzika nga Alban Miroci, të cilën së shpejti do ta sjellim me videoklip.