Nga modeluese, në azilkërkuese (Foto)
Nga modeluese në Iran ka përfunduar e pastrehë në Paris. 29-vjeçarja Negin Ahm nuk ka pasur një jetë të lehtë.
E lindur në Teheran në një familje që nuk e donte regjimin, me babain inxhinier dhe nënën mësuese të jogës, Negin është rritur pa një edukim fetar, duke qenë më afër Perëndimit sesa parimeve të Republikës Islamike.
“Në Iran mund të pozosh për fotomode, vetëm se unë nuk u tregova e kujdesshme”, ka thënë ajo.
Vajza është rebeluar ndaj gardianëve të virtytit, siç i quan ajo, dhe me gati 120 mijë ndjekës në “Instagram” ishte e pashmangshme tërheqja e vëmendjes së regjimit, në një vend ku gratë nuk kanë të drejtën as të dalin në rrugë pa mbuluar kokën.
Negini ka arritur t’i shpëtonte policisë duke u arratisur në Stamboll, por edhe atje nga sa ka pohuar nuk i donin shumë vajzat me tatuazhe në shpinë.
Sot është në Paris në pritje të statusit të refugjatit dhe i kalon netët në rrugë, te ndonjë i panjohur apo në parkingje.
Burokracitë e gjata për qëndrim të ligjshëm në Francë e pengojnë që të punojë si modeluese, megjithatë shpreson që dokumentet të mbërrijnë sa më shpejt.