Nga monografia për masakrën e Deliajve të Abrisë së Epërme
Afrim Hysenaj
Veprimtaria shkrimore nuk është as vokacion dhe as profesion imi, por është një shtysë më e madhe e brendshme që nuk më ka lënë, nuk më la e nuk më le të qetë pa hedhur në letër mbresat dhe kujtimet. Një shtysë e dytë, ende më e madhe, m’u bë barra e ndërgjegjes dhe borxhi ndaj atyre që qenë pjesëtarë të kësaj ngjarjeje, të vrarë a të mbijetuar.
Tashti po bëhen dy dekada. Dy dekada nuk janë pak. Po e morën të mirëqenë mesataren e rrojtjes së njeriut prej shtatëdhjetë deri tetëdhjetë vjet del një e katërta e saj. Brezi i sotëm i njëzetvjeçarëve dhe, ende më shumë, nuk di sa e si duhet për këtë tragjedi. Nuk ka një paraqitje më të plotë e më shteruese të saj, as në rrafshin shkrimor dhe as në planin dokumentar (konferenca a simpoziume a aspekte të tjera shkencore-hulumtuese për të). Ja edhe një shtysë e tretë motivuese për t’i hedhur në letër dritëhijet e saj.
Në shënimet e mia për këtë monografi ka gjetur vend kujtesa, imja dhe e dëshmitarëve, kronikat e kohës, burimet e mediave elektronike e të shkruara, analet e portaleve, rrjeteve sociale dhe të internetit. Pavarësisht prej faktit se kam qenë edhe vetë pjesëmarrës aktiv në veprimet dhe rrjedhat e të ndodhurave të atëkohshme jam përpjekur që ta disiplinoj botën emocionale, të mos cenoj vërtetësinë dhe objektivitetin. Kam respektuar me ngulm parimet themelore shkencore rreth mbledhjes së materialeve, sistemimit të tyre, mbarështimit dhe strukturimit të lëndës, por pa u bërë rob i formave të ngurta didaskalike e metodike. Krahas boshtit tematik monografik, i kam dhënë vetes dorë të lirë edhe në paraqitjen panoramike të kohës dhe vendit të ngjarjes.
Një tundim më vete më ka dhënë përzgjedhja e titullit të këtij libri. Është e padyshimtë se ngjarja s’është veçse një tragjedi përmasash të mëdha me shifra, po akoma më e madhe me dramën e brendshme të shpirtrave njerëzorë. Kështu, nocionet masakër, plojë, kërdi më rrihnin si çekan në ndërgjegje. Sa doja t’i shmangia më shfaqeshin prapë. I lexoja e rilexoja ngeshëm shpjegimet në Fjalorin e Gjuhës Shqipe: “MASAKËR f. Vrasje e therje e njerëzve të pambrojtur në masë dhe në mënyrë mizore; shfarosje në masë; kasaphanë, kërdi, mizori…; PLOJË f. bised. Gjakderdhje, kërdi…; KËRDI f. Vrasje a vdekje në masë, gjakderdhje; shkatërrim a dëm i madh; fatkeqësi e madhe; shfarosje…”. Të gjitha qëndronin, varësisht nga nuancat e veçantitë kuptimore po, megjithatë, ma jepnin një qark të mbyllur të mizorisë që kishte ndodhur. Kështu zgjodha një titull përshkrues që i rri për shtat atmosferës dhe tensionit të kohës e të hapësirës, “Toka skuq e qielli nxin”, me dedikimin në nëntitull: Monografi për masakrën e Deliajve të Abrisë së Epërme.
Kujtesa jonë historike ka shumë hone dhe mungesa dokumentesh e burimesh. Tragjeditë tona kombëtare pothuajse asnjëherë nuk i njohu bota plotësisht, në përmasën e tyre reale. Këto tragjedi, për fatin tonë të keq, shpesh u dhanë e u pasqyruan si gjysmë të vërteta.
Të vërtetës së hidhur e fatkeqe të luftës së fundit, të luftës për çlirimin e Kosovës, ky studim monografik synon t’i japë një kuadër më të plotë dukshmërie mbështetur në dëshmi faktesh, dokumentesh dhe të dhënash të tjera, duke zbatuar metodën e intervistimit e të bashkëbisedimit edhe me dëshmitarë të mbijetuar.
Përmasa e saj tragjike, dhe sidomos jehona në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar jo vetëm tronditën mendjet e njerëzimit, por edhe u bënë ndikim me peshë në rrjedhat e pastajme të luftës për çlirim të Kosovës.
Është e çuditshme se si edhe pas, pothuajse dy dekadave, kujtesa e njerëzve dëshmitarë dhe e atyre që e mbijetuan masakrën ka arkivuar me aq besnikëri pamje e përjetime, thua se koha ka ngrirë në shkallën zero. Kjo provohet edhe me ngjashmëritë e përmbajtjeve dhe të shifrave e detajeve pothuajse në narrativën e secilit.
Krahas rrëfimeve të tyre këtu kam sjellë edhe dëshmitë nga këndi tjetër, nga gazetarë e diplomatë të jashtëm; kam sjellë reagimet e tyre dhe pasqyrimin që i kanë bërë kësaj ngjarjeje në mediat përkatëse anembanë botës.
Është fakt i pakontestueshëm se masakra e Abrisë së Epërme ka tundur e shkundur ndërgjegjen e njerëzimit dhe kjo provohet me fakte në kapitullin që flet për jehonën dhe ndikimin e saj në politikën dhe diplomacinë botërore. Këtu nuk ka asnjë teprim po të thuhet se kjo ngjarje, në kuptimin më të plotë të fjalës, shënon kthesë në historinë bashkëkohore të Kosovës, përkatësisht në historinë totale të kombit shqiptar.
Këtu nuk dua të flas tani për mundin dhe vështirësitë, sepse ato i përballova falë gatishmërisë dhe ndihmës së pakursyer të të gjithë atyre miqve e dashamirësve që m’u gjetën pranë; bashkëpunëtorëve e bashkëbiseduesve që me kurajë më mbushën shpirtërisht me rrëfimet e tyre pa kursyer kohën e çmuar. Ndaj s’kam si t’i kursej falënderimet për familjarët e Deliajve dhe miqtë e tyre. Vend nderi rezervoj sidomos për heroin tim, Imer Deliun. Atë bashkë me redaktorin, Adem Gashin, i pata dorë të djathtë që t’i dilja mbanë këtij libri.
Falënderoj të gjithë rrëfyesit, gra dhe burra të fshatit tim e të fshatrave përreth, të cilët në ditët e kobshme qenë të pranishëm në Lagjen Deliu. Po ashtu, dua t’i falënderoj edhe dy recensentët që, me insistimin tim dhe vullnetin e tyre, u bënë pjesë e këtij libri. S’do mend, s’mund t’i mbetem borxh përkthyeses së vyer të gjuhës angleze, Besarta Hamdi Demakut. Ajo mbi baza krejt të vullnetshme nuk kurseu mundin e saj në punë të shqipërimit të teksteve. Falënderoj sinqerisht bashkëfshatarin dhe bashkëluftëtarin tim, z. Fadil H. Demaku, për bashkëpunim e ndihmë të pakursyer!
E ruaj për fund falënderimin e përzemërt edhe për prindërit, bashkëshorten, fëmijët, motrën time dhe vëllezërit, të cilët më kanë mbështetur moralisht, ekonomikisht dhe, para së gjithash, me kohën e konsideratën që më kanë kushtuar.
Jo, jo. Pa këta njerëz nuk do të bëhej gjë, aq më pak ky libër që e kisha peng të shpirtit tim.
(Nga libri “Toka skuq e qiell nxin: monografi për masakrën e Deliajve të Abrisë së Epërme”)