“Nga ‘munësh’ te ‘nuk munësh’: Si Vjosa Osmani ia ktheu Kurtit me rrëzimin e ligjit që shkaktoi shkarkimin e Agim Veliut”
“Munësh por pastaj nuk munësh, sepse t’shkarkojnë”, sigurisht ju kujtohet kjo deklaratë e Kryeministrit Kurti. Ishte “kumtesa” e shkarkimit të Ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Agim Veliu. Kurti e pati shkarkuar Veliun, sepse ai ishte “pro” shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme (atëherë kohë pandemie), e ku kompetencat e udhëheqjes së Kshillit të Sigurisë i takonin Presidentit, atë botë Hashim Thaçi. Pikërisht Ligji për Këshillin e Sigurisë Presidentja e tanishme, Vjosa Osmani ia ka kthyer mbrapa Kuvendit, dhe atë një ndër arsyetimet është pikërisht sepse me këtë ligj, të cilin e votoi mazhoranca (LVV), do të cënoheshin kompetencat e Presidentit, në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Presidenca: Dy ligje në kundërshtim me Kushtetutën
Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se presidentja Vjosa Osmani ka kthyer në rishqyrtim Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe atë për mbrojtjen e konsumatorit.
Në një komunikatë për media, ku janë publikuar edhe vendimet për rikthimin e ligjeve në Kuvend, presidenca ka thënë se Osmani ka përdorur të drejtën e vetos.
Ligji për Këshillin e Sigurisë, siç thotë presidenca, me përmbajtjen aktuale rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë. Për më tepër, bashkëngjitur gjeni dokumentet me arsyetimet përkatëse.” – thuhet në komunikatë.
Siç u raportua më herët, në arsyetim, Presidentja thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.
Po ashtu, Presidentja në vendimin e saj ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, krijon vakum juridik.
Në anën tjetërLigji për Mbrojtjen e Konsumatorit u rrëzua nga Presidentja me arsyet që kanë, kanë të bëjnë me nenin 17, paragrafin 4 të Ligjit të miratuar, i cili pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit.
“Kjo sepse i njejti cënon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin.” – thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Arsye tjetër që përmendet është se e njëjta dispozitë e kufizon Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit që të ndërmarrin masa alternative që mund të lejojnë përdorimin e materialeve më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, siç janë qeset e letrës (eco-friendly) apo materialet tjera të biodegradueshme.
Sipas Presidentes, Ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 7 dhe nenin 52 (3) të Kushtetutës dhe në anën tjetër krijon kolizion ligjor me Ligjin përkatës për mbeturina.
Përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, neni 17 (4) i Ligjit të miratuar është në konflikt me legjislacionin ekzistues, konkretisht Ligjin për Mbeturinat, i cili sipas Presidentes përcakton procedurat dhe masat për menaxhimin e ambalazhit dhe paketimit, përfshirë masat për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike.
“Ky ligj, në nenin 11, paragrafin 2 të tij, e ka mandatuar Qeverinë e Republikës së Kosovës me kompetencë për të njerrë akt nënligjor me të cilin përcakton kushtet, procedurat dhe detyrimet për prodhuesit dhe importuesit, duke krijuar mundësinë për të përcaktuar sisteme të tjera për menaxhimin e mbetjeve plastike, përfshirë një sistem të rimbursimit të depozitës.” – thuhet në arsyetimin e Presidentes. Nacionale