Nga një muaj paraburgim për Salih Sekiraqën dhe katër të dyshuarit tjerë për vrasjen në Aktash
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të dyshuarve, të përfshirë në konfliktin e armatosur të dielën mbrëma në Aktash në Prishtinë ku mbet i vrarë Premtim Gashi dhe pesë të tjerë të plagosur.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit është mbajtur në ambientet e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Lajmin për masën e paraburgimit prej një muaji ndaj S.S., K.G., R.Ll., F.A., dhe V.A., e konfirmoi për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Dyshohet se të dielën në lagjen Aktash të Prishtinës u shkrepën rreth 100 plumba, si shkak i konflikteve që grupet kishin mes vete.
Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast? Detajet mund t’i lexoni duke klikuar KËTU
Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin dërguar mediave për caktimin e masës së paraburgimit në rastin në fjalë theksoi:
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurve K.G dhe V.A dhe persona tjerë NN, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë, të pandehurit R.Ll, S.S, F.A dhe të pandehurit tjerë tani të panjohur NN, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje Vrasja e rëndë, po ashtu të pandehurit K.G, V.A, R.Ll, S.S, F.A, secili veç e veç kanë kryer edhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurve K.G, V.A, R.Ll, S.S, F.A dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse të pandehurit K.G, V.A, R.Ll, S.S, F.A lihen në liri, paraqet rrezik se të njëjtit mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, mund të bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes dhe gjykatën, poashtu nëse lejohen të mbrohen në liri, të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në prova si dhe mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku potencial që të pandehurit mund të përsërisin veprat e ngjashme penale, andaj për të evituar rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke marr parasysh mënyrën e kryerjes, e po ashtu edhe ambientin në të cilin është kryer vepra penale, gjykata vlerësoi se është i nevojshëm caktimi i paraburgimit në këtë fazë të procedurës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.