Nga një shitës limonadash, tek njeriu më i fuqishëm në Turqi
Me fitoren e balotazhit të së dielës, Rexhep Taip Erdogan fiton mandatin e tretë presidencial radhazi duke u bërë një nga njerëzit më jetëgjatë në pushtet.
Nga fillimet modeste në politikë, Rexhep Tajip Erdogan është rritur duke u kthyer në një gjigant politik, duke udhëhequr Turqinë për 20 vjet dhe duke reformuar vendin e tij më shumë se çdo lider që nga Mustafa Kemal Ataturku, babai i nderuar i republikës moderne.
Pavarësisht se u godit nga një seri krizash, e fundit tërmeti shkatërrimtar, ai përsëri ia doli të fitojë zgjedhjet edhe përballë një rivali të fortë si Kemal Kicdaroglu.
Kritikët e tij bënë të pamundurën për ta rrëzuar nga froni, duke e fajësuar për politika ekonomike jo të përshtatshme që për rrjedhojë përkeqësuan krizën dhe koston e jetesës në Turqi.
Për kritikët Erdogan është një udhëheqës grindavec që krijoi një rekord në modernizimin dhe zhvillimin e Turqisë, por ishte i ngadaltë për të reaguar ndaj humbjes së më shumë se 50,000 jetëve në tërmetet e dyfishta në shkurt.
Pasi i mbijetoi një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2016, ai e ktheu presidencën e tij në një rol ekzekutiv gjithnjë e më të fuqishëm dhe goditi kundërshtarët.
Fillimisht si kryeministër nga viti 2003 dhe më pas si president i zgjedhur drejtpërdrejt që nga viti 2014, Rexhep Tajip Erdogan ka përkulur muskujt e Turqisë si një fuqi rajonale, ka mbrojtur kauzat islamike dhe ka qenë i shpejtë për të manovruar opozitën politike.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve padyshim do të ketë ndikim përtej Ankarasë. Këto zgjedhje nuk përcaktuan vetëm udhëheqësin e Turqisë, një vend anëtar i NATO-s me 85 milionë banorë, por edhe se si do të qeveriset, cila do të jetë e ardhmja ekonomike e Turqisë, ndërsa vlera e monedhës vendase ka shënuar rënie të madhe.
Këto zgjedhje përcaktojnë edhe politikën e jashtme që do të ndjekë Turqia, një vend që ka zemëruar Perëndimin duke forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe vendet e Gjirit.
Recep Tayyip Erdogan është i biri i një roje bregdetare, i rritur nëpër rrugët e një prej lagjeve më famëkeqe të Stambollit, i shtrënguar nga varfëria në të cilën dergjej familja e tij të shiste nëpër rrugë limonada dhe simite. Erdogan ka marrë një arsim islamik shumë të ngurtë, përpara se të diplomohej në administrim biznesi në Universitetin e Marmarasë.
Ai është edhe tifoz futbolli, lojë në të cilën ka luajtur si profesionist gjatë viteve të universitetit. Erdogan tani është mysliman konservator, që deri pak kohë më parë e shmangte dhënien e dorës grave dhe preferonte që të mos ulej në tavolinë në qoftë se shokët e tavolinës konsumonin pije alkoolike.
Rasti i parë për të demonstruar aftësitë politike të tij, pas vitesh në Partinë Refah, i është paraqitur kur u zgjodh kryebashkiak i Stambollit në vitin 1994. Efektiv dhe karizmatik, nga kjo përvojë siguroi një konsensus të madh duke përballuar me aftësi çështje si mungesa e ujit, ndotja dhe trafiku metropolitan.
Protagonist i rikthimit të Turqisë në politikën ndërkombëtare, Erdogani duket se pasqyron kontradiktat dhe identitetet që përbëjnë imazhin e Turqisë së mijëvjeçarit të ri.