Nga një takim me Adem Gashin në “Edi 2”
Izet ABDYLI
Dje u takova me poetin Adem Gashi në restorantin “Edi 2”. Takimet me të në mesditë pothuaj na janë bërë rituale. Bisedojmë kryesisht për artin poetik, por edhe për politikën. Takimi i djeshëm ishte disi më i veçantë. Ishte më ndryshe. Nuk isha mësuar ta shoh ndonjëherë në aso gjendje shpirtërore. Pranë kishte një faculetë letre të qullur nga lotët dhe ende po dëneste. Nuk e pyeta asgjë se e kuptoj që në situata të tilla njeriu ka nevojë për pak qetësi. Kisha parandjenjën se ai do të shpjegohej vetë. Dhe ashtu ndodhi. “A e lexove poezinë e Sabit Idrizit për gruan e tij. Më mbyti. Nuk po mund të përmbahem dot”. Pas pak iu kujtua që llogarinë time në “Facebook” këtë muaj të Ramazanit do ta lë “zgjerueshëm”. Do ta lexojë më tha: “Nuk mundem pa ta lexuar”. Ende i mbërthyer nga emocionet filloi leximin e poezisë së Sabitit.
Sabit IDRIZI
BISEDA E FUNDIT ME TË
(Gruas sime të ndjerë, Hajries)
Kësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisë
Po (ia ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re
Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)
Do të punësohet njëri djalë
Po ia ktheva (i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri
Posa të ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse të mira
Po ia (ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin e Liridonin
Do të na mbushet shtëpia me plot nipa e mbesa
(u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)
Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës…
Po (ia ktheva) do të… (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)
Kur u ktheva sërish në dhomë
Ajo tashmë ishte nisur pakthyeshëm
Dhe po fluturonte drejt yllit të vet
Në dy pika loti të kristaltë
Që ende po rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura
Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra…
Gjatë leximit sërish e tradhtuan lotët, njëjtë ndodhi edhe me mua. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Shpirti i poetit dhe ndjenja e dhemburia njerëzore për njeriun më të dashur ishin ngjizur në majat e artit poetik. Mbetëm disa çaste pa fjalë. Pastaj më tregoi se edhe ai kishte bërë një postim pak më herët se Sabiti, një poezi me motivin e kujtimeve për babanë e vet. I kërkova telefonin e tij që ta lexoj:
Adem Gashi
ARKIVI I FAMILJES SIME
Kur më vdiq babai më 1960
Unë s’isha veçse gjashtë vjeç
E një stinë
Krejt çfarë na la
Qe një dhimbje e madhe dhe një kutizë
Një arkëz e vogël që ruhej mbi një tra
Dikush ma pat falur një Abetare të vjetër
Me shumë mungesa fletësh
Veç zanoret qenë të gjitha dhe një h
E mjaftë për të formuar shtatë klithma
Shtatë pasthirrma, ah, rit i vjetër
Pastaj u rrita
Aq sa për ta hapur kutizën
Ç’të shihja
Një tapi e fshirë pronësie
Një foto të babait ushtar Serbie
(s’e di në qe Serbi e dytë a e parë)
Pastaj një letërnjoftim të Shqypnisë
Nën N.T.M Emanuelin
Me shqiponjën stemë vënë nën sëpatë
Kapitulli i socializmit
S’kishte veçse gjoba mali e fushe
Dëftesa të fryra tatimi
Me ftesa me tri vija të kuqe
Me vulë prej UDB-e
Lufta e fundit
e zhbëri edhe kutinë e vogël prej druri
tashti arkivi i familjes sime
s’është veçse një kujtim i portretit të babait
me shikim zhbirues ngjyrë tungji
Kjo poezi kishte marrë mbi 160 pëlqime dhe shumë komente, ndërsa më bëri përshtypje sugjerimi i poetit Gashi që ua bënë komentuesve: Të dashur, shumë të dashur, miq e mike të mia, për juve që lexuat, pëlqyet e komentuat këtu, kam një adresim të ri me lutjen: kërkojeni Sabit Idrizi dhe lexojeni kryeveprën e tij poetike, pa diskutim lirikën më të mirë të vitit “BISEDA E FUNDIT ME TË”! Ju jam mirënjohës pafundësisht!
Kur u qetësua pak ai po kërkonte ende diç në telefonin e vet, mbase shikonte komentet në “Facebook” dhe mua vetiu më ngacmoi muza që ndjesinë e këtij çasti ta thur në vargje. Ai po vazhdonte kërkimin me kokën ulur dhe unë, po ashtu, po bëja sikur po kërkoja diç në telefon e, në fakt, në notesin e telefonit po radhisja vargjet e një poezie që pas pak do t’ia jepja Ademit për lexim.
Izet ABDYLI
KUR QAN POETI PËR POETIN
Sot në ‘Edi 2’ e gjeta poetin e përlotur
ai dëneste e unë e vështroja me habi
asnjëherë nuk kisha parë lot në sytë e tij
mes çurkës së lotëve mezi foli:
më mbyti më bëri me vaj poeti Sabit Idrizi
me poezinë për gruan e tij
nuk mundem të mos ta lexojë edhe ty
vargjet më rëndonin si tungji
e jashtë binte shi
sërish u përlot ai
u përlota edhe unë
nuk kishte si të ndodhte ndryshe
kur dhembja e shtrirë në art
po ngjizej mes lotëve e mërzisë
“Edi 2”, 30 maj 2019, 12.54
Ai sapo kish marrë pak veten duke e lexuar poezinë time sërish i rrëshqitën lotët. “Eu… – më tha – mu gjete edhe me këtë… po nashtë”. E pashë në fytyrën e tij dhembjen njerëzore që asnjëherë nuk e kisha parë. Ma pohoi me kokë dhe me gjysmë zëri se poezia ime që rrodhi aty për aty i kishte pëlqyer. Kjo gjendje e rëndë mbase do të vazhdonte ende sikur të mos vinte pranë tavolinës sonë miku ynë Xhavit Gruda që do ta shtendoste këtë situatë duke i dhënë bisedës kah tjetër.Kësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisëKësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisë