Nga paslufta në Kosovë janë asgjësuar mbi 95 mijë mina
Që nga paslufta në Kosovë janë pastruar mbi 62 milionë metra katror dhe janë gjetur 95 mijë mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera. Kështu u tha sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vetëdijesimit ndaj Minave dhe aksionit ndaj tyre.
Ky aktivitet është organizuar nga Qendra Koordinuese për Deminim, organizata norvegjeze NPA (Norwegian People’s Aid), HALO Trust, Policinë e Kosovës dhe KFOR-i.
Në këtë aktivitet, drejtori i Qendrës Koordinues të Deminimit, Ahmet Sallova ka prezantuar progresin e arritur prej vitit 1999 e deri më tani, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u ndje krenar me shifrat dhe rezultatet e deminmit.
“Falë punës se tyre janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave për shfrytëzim nga komunitetet, megjithatë ende nuk konsiderohemi një zonë e lirë nga minat, andaj kërkohet përkushtim”, deklaroi Mehaj, sipas të cilit, çdo minë e pastruar do të thotë një jetë e shpëtuar.
Në përmbyllje të fjalës së vet ministri Mehaj ka shprehur gatishmërinë që ka Kosova për të dhënë kontributin për Ukrainën në fushën e deminimit dhe kërkim- shpëtimit me kapacitet që ka FSK-ja.
“Megjithatë siç e përmenda në fillim problemi i mjeteve të pashpërthyera nuk është vetëm i Kosovës, por i çdo zone pas konfliktit. Është problem njerëzor. Dhe këtu nuk mund të mos përmend Ukrainën dhe popullin ukrainas që në baza ditore përballet me minat e vendosura nga agresori rus. Ky shtet ka nevojë për ndihmën tonë dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë përkrahjen e nevojshme përmes ekipeve tona të specializuara të trajnerëve të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit”, deklaroi ai.
Njësitë e deminimit të FSK-së dhe organizatave tjera të angazhuara në pastrimin e zonave te rrezikshme siç është NPA dhe HALO Trust, janë duke rivendosur dhe krijuar një mjedis të sigurt në fushat e tanishme të rrezikuara, duke mundësuar zhvillimin e jetës normale, thuhet në njoftimin e MM-së.