
Nga PDK-ja japin detaje për dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për konfiskimin e pasurisë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ditën e djeshme ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi sipas k saj partie ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Faton Fetahu, avokat i grupit parlamentar të PDK-së, ka konfirmuar për “Sinjalin” se është autorizuar për dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, janë 8 ditë afat nga dita e miratimit për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, të një ligji i cili votohet në lexim të dytë në Kuvend.
Fetahu nuk ka dhënë më shumë detaje për ditën se kur do të dërgohet.
“Sipas Kushtetutës janë 8 ditë afat nga dita e miratimit për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, të një ligji i cili votohet në lexim të dytë në Kuvend. Konfirmoj se jam autorizuar për dërgim të rastit në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Fetahu.
Ndryshe, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj, ka thënë dje se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën.
Projektligji për Byronë për konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është miratuar në votat e 66 deputetëve.
Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), krahas me deputetët e shumicës, kanë votuar për.