Nga përdorimi i armëve ilegale, 29 të vdekur këtë vit në Kosovë
Janë 29 persona që kanë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armëve pa leje në periudhën kohore janar- shtator të këtij viti. Këto shifra, janë publikuar për Radion Evropa e Lirë nga ana e autoriteteve të rendit, sipas të cilave, mbajtja apo posedimi i armëve ilegale paraqet rrezik potencial për të gjithë si për qytetarët, po ashtu edhe për institucionet në përgjithësi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë, se për vite me radhë ka pasur incidente të raportuara dhe raste penale si pasojë e posedimit dhe përdorimit të kundërligjshëm të armëve.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës, bazuar në kompetencat ligjore gjatë realizimit të detyrave operative dhe hetimore, konfiskon armët që mbahen apo përdoren në mënyrë të kundërligjshme nga qytetarë apo kushdo tjetër.
“Bazuar në statistikat që ne kemi si Polici e Kosovës, gjatë një viti mesatarisht konfiskojmë rreth 1200 armë të llojeve të ndryshme dhe municion të kalibrit të ndryshëm. Gjatë viti 2017, kemi konfiskuar 1211 armë të llojeve të ndryshme dhe 26 mijë e 200 copë municion të kalibrit të ndryshëm. Kurse, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë konfiskuar 599 armë dhe 832 lloje të municioneve të ndryshme”, ka thënë Hoxha.