Nga promovimi i librit “Programi dhe Statuti i LRBSH (1964) shkruar nga Adem Demaçi / Recension nga Prof. Dr. Ibrahim Gashi
Me rastin e 60 vjetorit të hartimit Programit dhe Statutit të LRBSH sot, për nderë të festave të nëntorit u promovua libri Adem Demaçi, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – Programi dhe Statuti”, Pejë 1964, botoi Agjencioni Shtetëror i Arkivave të Kosovës
Prof. Dr. Ibrahim Gashi
Jam i nderuar qe sot ne vigjilje të festave të nëntorit, në ditën e fillimit të Demonstratave studentorë të vitit 1968 të jem pjesë e promovimit të një libri që për përmbajtje ka dy nga dokumentet më të rëndësishme programatike të Lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve – Programin dhe Statutin e LRBSH.
Të flitet për LRBSH-në dhe aktet formale themeluese të saj, Programin dhe statutin autor i të cilave është veprimtari, intelektuali dhe simboli i organizimit dhe i rezistencës kombëtare, njëri nga pasuesit më besnikë të ideve të Rilindjes Kombëtare z. Adem Demaçi dhe bashkëveprimtari i tij z. Ramadan Shala, duhet të kemi një koshiencë të lartë për të kuptuar se sa kompleks ishte realiteti politik i atyre viteve për shqiptarët që jetonin nën Jugosllavi.
Zoti Demaçi, si një intelektual i ri dhe si një nga disidentët më të rëndësishëm politikë në Jugosllavi, përmes programit të LRBSH-së kishte shprehur pikëpamjet dhe analizën e tij mbi zhvillimet e brendshme politike dhe mundësinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi në realitetin kompleks ndërkombëtar të luftës së ftohtë.
Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, siç do ta cilësonte studiuesi dhe veprimtari z. Selatin Novosella “rrihte çështjen e kara-kterit kombëtar, çështjen e çlirimit kombëtar, çë¬shtjen e bashkimit territorial, çështjen e një tregu të përbashkët dhe çështjen e një ndjenje shpirtërore “për një gjuhë të përbashkët letrare. Të gjitha këto çështje analizohen në kohë dhe hapësirë, për të nxjerrë mësime se nga duhej të shkohej në të udhëkryqet e së ardhmes”
Në kapitujt hyrës libri sjell një parahistori të lëvizjeve për bashkimin kombëtar të shqiptareve qe nga passhpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, (kapitulli I) për të vazhduar më idenë dhe aktin e krijimit të LRBSH dhe ideatorin dhe kreatorin e saj z. Adem Demaçi (kapitulli II).
Kapitujt në vijim i III, IV, V dhe i VI-ti përbejnë pjesën kurrizore të këtij studimi ku krahas sjelljes së dokumentit origjinal arkivor të Programit të LRBSH, në versionin e shkruar më dorë nga z. Demaçi dhe në versionin e shkruar më makinë shkrimi, si dhe analizën dhe interpretimin kritik të përmbajtjes së pjesëve kryesore të programit.
Në pjesën hyrëse të tij Programi qartëson karakterin dhe synimet e lëvizjes. Ai hapet me pyetjen; Çfarë karakteri ka lufta jonë duke dhënë përgjigjet: Karakter të bashkimit kombëtar dhe karakter të çlirimit kombëtar. Me tej në pjesën hyrëse të programit hartuesi i tij z. Demaçi ka bërë një vlerësim teorik lidhur me kombin shqiptar, përkatësisht cilat kritere duhet të përmbushë një komunitet për tu konsideruar si komb. “Populli ynë ende nuk mund ta quaj vetën komb, sepse për me mund një popull me u shendrru në komb duhet me i plotësue përves tjerash këto katër kushte themelorë: me qenë I bashkuem teritorialisht, me pas një treg të përbashkët ekonomik, me pas një gjuhë të përbashkët letrare dhe me qenë I përshkuem nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror”. Sipas Demaçit dy nga kushtet e fundit shqiptarët i kanë të plotësuara ndërsa dy të parat jo.
Ndërsa sa i përket çështjes së çlirimit, përkatësisht të bashkimit kombëtar sipas pikëpamjeve të Demaçit, gabimisht kërkojmë që të zgjidhet vetëm nga “naltë dhe nga jashtë”, përderisa zgjidhja është e mundshme vetëm nga “brenda dhe nga poshtë”
Duke elaboruar në mënyrë mjaftë të qartë dhe të detajshme formulën e çlirimit përkatësisht të bashkimit kombëtar nga brenda dhe nga poshtë më tej Demaçi bënë një vështrim të përbërjes së popullit duke kalkuluar gjithë potencialin që ka populli shqiptar në Jugosllavi, përmes një përshkrim që i bënë “katundarisë”, “punëtorisë”, “zejtarisë” dhe “intelegjencisë” shqiptare vetëm e vetëm për të treguar se ky potencial i brendshem gjithëpopullor ishte forca kryesore shtytëse e procesit të çlirimit, përkatësisht të bashkimit kombëtar.
Programi vazhdon me paraqitjen e një trajektoreje historike të përpjekjeve të shqiptarëve për çlirim të titulluar: Lufta jonë ka qenë e gjatë, e ku në mënyrë të përmbledhur është përvijuar më shumë sens lëvizja jonë e rezistencës që nga paspavarësia e deri në fillimin e viteve të 50-ta. Pjesa më shumë të dhëna janë veprimet politike dhe të armatosura të shqiptarëve në Jugosllavi pas L.II.B dhe dhuna e madhe shtetërore kundër shqiptarëve në emër të shuarjes së kësaj rezistence. Programi përmbyllet më tre nënkapituj të rëndësishëm: Analiza konkrete e situatës konkrete brenda nesh, Analizë konkrete e situatës konkrete brenda në Jugosllavi dhe Analizë konkrete e situatës në botë.
Në këta tre nënkapituj autori ka prezantuar një vështrim shumë analitik me argumente dhe të dhëna për gjendjen e gjithmbarshme dhe konkrete, politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe arsimore brenda Kosovës, brenda Jugosllavisë por edhe përgjithësisht në botë. E gjithë kjo analizë është bërë në funksion të gjetjes së një strategjie veprimi për shqiptarët, të cilën në Program z. Demaçi e ka emërtuar Strategjia jonë, në të cilën ai ka prezantuar pikëpamjet kryesore që e dominojnë opinionin e shqiptarëve në Jugosllavi.
Sipas tij ekzistojnë dy pikëpamje kryesore si duhet të zgjidhet çështja e çlirimit përkatësisht bashkimit të shqiptarëve: E para“passive-arsimore” dhe e dyta “revolucionare avanturiste”. Demaçi do të zhvilloi një pikëpamje të tij përkatësisht të LRBSH. “Ne nuk mundemi me u pajtu plotësisht as me pikëpamjen e parë e as me pikëpamjen e dytë por prej të dy pikëpamjeve mund të marrim atë çfarë është e vlefshme për të krijuar strategjinë tonë”. Në përmbyllje të programit Demaçi dhe LRBSH dalin më disa konkluzione të cilat përbejnë strategjinë të lëvizjes, dhe e cila në versionin me të shkurtë përmblidhet në pesë pika kryesore: 1. Lufta jonë ka qenë e gjatë, 2 Lufta jonë duhet të përfshijë në gjiun e vet të gjitha shtresat dhe mbarë popullin tonë, 3. Lufta jonë duhet të zhvillohet në pajtim me kushtet dhe rrethanat që mbretërojnë Brenda popullit tonë…, Brenda në Shqipëri, Brenda aneksionistëve tan dhe në pajtim me kushtet dhe rrethanat që mbretërojnë në botë dhe 4. Lufta jonë duhet të mbështetët në forcat tona të brendshme, kurse ndihmat që mund të ofrohen nga jashtë mund të jenë faktor plotësues dhe ndihmës.
Udhëheqje e LRBSH me Adem Demaçin në krye dhe i pasuar nga bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët si Ramadan Shala, Zeqir Gervalla, Ahmet Haxhia, Fazli Grajqefci, Avdyl Lahu, Selahudin Daci, Mustafa Venhari etj krahas Programit hartuan edhe Statutin e LRBSH.
Statuti si akti më i lartë normativ i organizatës përbehej nga dy pjesë: Pjesa e përgjithshme (neni 1-5) dhe Pjesën organizative (neni VI-X). Statuti përcaktonte qartë qëllimin e organizatës (neni 1), mjetet për arritjen e qëllimit (neni 2), përkrahjen morale dhe materiale ngado që mund të vije (neni 3) qëllimin final të luftës, çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve (neni 4). Anëtarësinë dhe kush mundët me qenë anëtar i LRBSH (neni 6).
Komiteti Revolucionar për Bashkimin e shqiptarëve, si organi më i lartë drejtues i lëvizjes (neni 7-8-9) dhe neni i fundit sanksiononte ndëshkimin e tradhtisë ndaj lëvizjes.
Të nderuar të pranishëm
Duke e analizuar më shumë kujdes Programin dhe Statutin e LRBSH-së nga një retrospektivë 60-vjeçare dhe nga një këndvështrim historik dhe politik mund të nxjerrim disa përfundime.
Programi dhe të Statuti LRBSH, të botuara në këtë studim, mundëson lexuesin profesionist dhe jo vetëm të kuptojë një pjesë të rëndësishme të historisë politike shqiptare, kryesisht të pjesës ilegale, që nuk u shndërrua në politikë zyrtare, por që, po të analizohet me vëmendje kishte një orientim programor shumë të avancuar konform konstelacionit politik ndërkombëtar të kohës.
Sado që LRBSH ishte krijuar në rrethana shumë të ndërlikuara të një dhune të shfrenuar shtetërore dhe diskriminimi ekstrem të shqiptarëve Programi dhe Statuti i saj ishin të ndërtuara mbi paradigmën e njohur të krijimit të kombshtetit që mungonte. Preambula e këtyre dokumenteve fillonte me fjalët: çlirim dhe bashkim kombëtar.
Në fund, duke lexuar drejtë pikëpamjet e Adem Demaçit të shprehura në dy dokumentet programore të LRBSH qe po promovojmë sot mund të thuhet se në rrethanat politike ndërkombëtare të luftës së ftohtë dhe ndikimet e tyre në Ballkan veçmas tek shqiptarët Demaçi mbetet njëri nga analistët më të mprehtë dhe më vizionarë që arriti ta kuptonte drejt kompleksitetin e situatës ndërkombëtare në një rend botëror dy polesh dhe pamundësinë e ndërhyrjes së asnjërës nga fuqitë e mëdha. Strategjia e Demaçit se “… ne besojmë në ndihmën e fuqive të mëdha, por edhe në angazhimin e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, por faktorin përcaktues të zgjidhjes duhet kërkuar nga brenda dhe nga poshtë. Kjo do të thotë se çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës është vendimtare nga vetë rreshtimi i popullit dhe nga veprimi politik në kuadër të tij”.
Në optikën time, besoj edhe të studiuesve tjerë, kjo për kohën ishte pikëpamja më racionale dhe më frytdhënëse. Zaten këtë do ta provojë bindshëm rrjedha e ngjarjeve në trajektoren tashmë të njohur të zgjidhjes së Çështjes së Kosovës përmes një lëvizjeje politike dhe një lufte çlirimtare si faktor i brendshëm, një procesi të shpërbërjes së Jugosllavisë, një ndihme të drejtpërdrejtë të Shqipërisë dhe në fund një ndërhyrjeje ndërkombëtare. Kjo në fakt ishte trajektorja historike që ka ndjekur Kosova e që me shumë zgjuarsi e kishte përshkruar Adem Demaçi gjysmë shekulli më parë.
E përgëzoj Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës që më rastin e hartimit të këtyre dy dokumenteve të rëndësishme kombëtare na i sollën ato në një botim të veçantë.