Nga pushimet në Dhërmi, Rama publikon shifrat rekord të turistëve
Pas zhvillime të furishme në Partisë Socialiste dhe ndryshimet në qeveri gjatë muajit që lamë pas, kryeministri Edi Rama ka nisur pushimet këtë fillim gushti.
Edhe këtë vit, kreu i qeverisë ka zgjedhur të relaksohet në Dhërmi, nga ku ndau shifrat e hyrjeve në vendin tonë, që flasin për një numër rekord të turistëve.
Duke lexuar hyrjet në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza”, Rama tha se në gjashtë muajt e parë të 2024, kanë hyrë 1.2 milionë turistë, 350 mijë më shumë se një vit më parë.
Sipas tij, aeroporti Rinasit po operon me qindra operime në ditë, duke u bërë i pari në rajon.
“Përshëndetje. Ca ditë pushim, si gjithnjë prej 10 vitesh, këtu në Dhërmiun magjik. Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri, vetëm nga kufiri ‘Nënë Tereza’ dhe në pikën kufitare të Morinit dhe m’u duke udhës t’i ndaj me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se sa vjet. Madje, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë. Fatmirësisht, për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë ‘u zbraz’ Shqipëria. Për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i parë në këtë rajon”, ka theksuar Rama.