Nga qyteti me një mbi një dritare
Dibran Demaku
(Një ditë në Berat)
Në shtetin e Gjermanisë me kulturë dhe tradita mijëvjeçare është kjo shprehje: Nëse e keni vizituar Gjermaninë dhe nuk e keni vizituar qytetin Wajmar, atëherë nuk keni parë asgjë. Në qytetin e Wajmarit kanë jetuar dy kolosët e kulturës gjermane: Johan Wolfgang Gëte dhe Fridrih Shiler. Shtatoret e tyre edhe sot e kësaj dite e zbukurojnë qendrën e atij qyteti.
Duke marrë shkas nga kjo shprehje, do të thosha: Nëse e keni vizituar Shqipërinë dhe nuk keni shkuar në Berat, atëherë nuk keni parë asgjë.
Në një mëngjes të nxehtë korriku ne “sakrifikuam” një ditë plazhi në Durrës dhe ia mësymë Beratit. Donim që ta shihnim dhe ta preknim qytetin-muze mbi dy mijë e katërqindvjeçar të vjetër. Dhe pas një udhëtimi një orë e gjysmë me makinë, arritëm në Berat. Nën rrezet e diellit të korrikut qyteti kishte marrë një pamje si prej ari. Rrezet e arta të diellit binin mbi dritaret e shtëpive në të dy shpatet e malit dhe kur reflektoheshin krijonin mijëra ngjyra farfuritëse dhe madhështore. Derisa tashmë ne kishim hyrë në qytet dhe im bir e ngiste ngadalë makinën duke shikuar shtëpitë me shumë dritare në shpatin e malit, tha: – Ky qytet ngjaka me qytetet përrallore. Ato shtëpi të ndërtuara në shpat ngjajnë sikur janë të mbira nga toka. Një bukuri të tillë unë nuk e kam parë as përjetuar deri më tash asnjëherë… Im bir kishte të drejtë. Shtëpitë e ndërtuara në shpat mali dukeshin sikur qëndronin mbi njëra-tjetrën si në përralla.
E lamë makinën në një vendparkim në pjesën e re të qytetit të Beratit dhe ia mësymë këmbë pjesës së vjetër. Donim t’i shihnim nga afër të gjitha shtëpitë dhe rrugicat e qytetit të vjetër. Mësuam se njëra pjesë e qytetit të vjetër mbante emrin Mangalem, ndërkaq pjesa tjetër Goricë. Të dyja këto pjesë të qytetit i ndante si me shpatë lumi i Osumit. Ecëm e ecëm… Duke shikuar çdo shtëpi dhe çdo rrugicë. Bënte vapë dhe ne djersinim. Por ne dëshironim që të shihnim sa më shumë. Donim që të mos të na shpëtonte asnjë shtëpi dhe asnjë rrugicë pa e parë. Na kishin magjepsur bukuritë e këtij qyteti të rrallë e ne as që donim të ndjenim për lodhje edhe pse këmbët mezi na dëgjonin. Sa dëshironim të pushonim ndonjëri nga ne thoshte: Vetëm të shohim edhe atë rrugicë e pastaj… e pastaj… pastaj vinte tjetra… Dhe duke ecur na ra në sy rruga që çonte për kala… Do të shkojmë edhe atje! – tha me këmbëngulje im bir! – Si të ngjitemi aq lart?! – u ankua ime shoqe dhe vazhdoi: – Mua nuk më bëjnë më këmbët! – Mbase mund të shkojmë me makinë! – ia ktheu im bir. – Si shkohet me makinë aq lart?! – ia ktheu ime shoqe me mosbesim. – Derisa tabela tregon drejtimin e kalasë, do të thotë se në kala shkohet me makinë! – nguli këmbë im bir.
– Nëse shkohet me makinë mund të vijë edhe unë, në të kundërtën unë nuk ngjitem atje dot! – ia ktheu ime shoqe.
– Përse të mos provojmë?! – tha im bir dhe pastaj ne të gjithë iu drejtuam vendit ku kishim lënë makinën.
Hymë brenda në makinë dhe ia mësymë kalasë. Rruga që të çonte në kala ishte e tëra e ndërtuar me gurë. Nga lëvizjet e shumta të makinave gurët ishin lëmuar aq shumë saqë nganjëherë rrotat e makinës sikur rrëshqisnin mbi ata gurë. Pas një rrugëtimi prej rreth dhjetë minutash arritëm para hyrjes së kalasë. E parkuam makinën dhe ia mësymë kalasë.
Kur e kaluam portën kryesore të kalasë na priti një befasi. Brenda kalasë ishte thuajse një pjesë e tërë e qytetit. Edhe aty ishin ndërtuar shumë shtëpi dhe shumë banorë të qytetit jetonin në shtëpitë e tyre brenda në kala.
Kishte arritur tashmë mesdita dhe dielli i korrikut tashmë piqte si saç. Megjithatë ne vazhduam rrugëtimin nëpër kala. Së pari vizituam Muzeun e Onufrit. Siç mësuam nga personeli i Muzeut, Onufri njihej si piktori më i rëndësishëm i ikonave në Shqipëri. Lindi në shekullin e gjashtëmbëdhjetë (pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu). Duke qenë se Shqipëria në atë kohë ishte në pushtimin turk (ishte periudha kur turqit po kthenin një pjesë të shqiptarëve në fenë myslimane), vizatimi dhe pikturat kishtare ishin pjesë e rezistencës kundër ngjarjeve të kohës. Në muze ishin vendosur ikonat dhe afresket e pikturuara nga Onufri. Nga muzeu kombëtar Onufri mësuam se Shqipëria trashëgonte një traditë të gjatë kulturore, kulturë dhe traditë mijëravjeçare.
Pas vizitës në muzeun Onufri kishte afruar koha e drekës. Afër muzeut ishte një restorant i ndërtuar, i tëri nga gurët. Aty drekuam. Personeli i restorantit na priti me mirësjellje dhe dashamirësi të veçantë. Pas ngrënies së drekës na priste rrugëtimi nëpër kala.
Lokja çame në kala
Në kala e takuam edhe një loke e cila shiste kartolina me pamje nga qyteti i Beratit si dhe kartolina me pamje të kalasë. Ishte ulur nën një hije bredhi dhe priste vizitorët që të blinin ndonjë kartolinë. Nga larg pamja e saj ngjante me pamjen e të gjitha nënave shqiptare. Kur u afruam e përshëndetëm njëzëri. Ajo si një nënë e mirë u ngrit nga vendi ku ishte ulur dhe donte të na përshëndeste me shtrëngim dore.
– Nga ju kemi, të keqen nëna? – na pyeti me një zë dashamirës.
– Jemi nga Kosova! – iu përgjigj ime shoqe që ishte më pranë saj.
– Nga Kosova?! – dhe bëri një hap përpara. – Afrohuni t’ju puth nëna në ballë! – dhe bëri hapin tjetër duke zënë time shoqe nga duart.
Pasi na puthi të gjithëve në ballë, me një zë të dridhur që nuk dihej në i vinte nga mallëngjimi apo nga gëzimi, vazhdoi: – Ndërsa unë jam nga Çamëria! Ju kosovarët dhe ne çamët kemi vuajtur shumë! Por ju kosovarët dolët në selamet, e rifituat vendin tuaj! Ndërsa ne çamët…?! – dhe shikimin e drejtoi nga jugu sikur donte të shihte Çamërinë, ndërsa një lot i rrodhi nga sytë e i rrëshqiti faqeve.
– Do ta fitoni edhe ju Çamërinë loke! – ia ktheu ime shoqe dhe vazhdoi: – Sepse e drejta është në anën tuaj!
– Të lumtë goja moj bijë! – ia ktheu lokja time shoqeje duke e shtrënguar për trupi si të ishte bija e saj. – U bëftë ashtu siç thua ti moj bijë! – dhe një lot tjetër i doli nga sytë dhe i pikoi në tokë pasi i përshkoi faqet e saj.
– I ka mbushur nëna tetëdhjetë e katër vjet jetë! Edhe pak e do të shkoj tek të shumtët! Sa do të doja që para se të shkoj në atë botë, ta vizitoja edhe njëherë Çamërinë time! – dhe hapi krahët sikur ashtu dëshironte ta përqafonte Çamërinë e saj, dashurinë e saj, ëndrrën e saj, dhembjen e saj…
– Do ta shohësh edhe ti vendlindjen tënde loke! – ia ktheva unë dhe vazhdova: – Sepse ti do ta arrish qindin e viteve!
– Me mend në kokë! – ma ktheu duke prekur kokën me dorë. Dhe pasi na tregoi se jetonte me djalin dhe nusen (kishte edhe një nip dhe një mbesë) në shtëpinë e vet aty në kala vetëm pak hapa larg, vazhdoi: – Sikur të vinit tek nëna të pini nga një kafe?! – dhe nuk ia lëshonte duart sime shoqeje.
– Të të rrojnë djali dhe nusja dhe nipi e mbesa! – ia ktheu ime shoqe dhe vazhdoi: – Do të vinim me gjithë dëshirë, por nuk kemi kohë të mjaftueshme! Mbase herën tjetër!
– Si të dëshironi, të keqen nëna! – dhe duke u përshëndetur na uroi rrugë të mbarë: – Të fala Kosovës! – u dëgjua edhe njëherë zëri i saj tashmë kur ne veç ishim larguar disa hapa.
E falënderuam nga larg duke e përshëndetur me duar.
Dasmë në kala
Dhe vazhduam rrugëtimin nëpër kala. Dëshironim që t’i shihnim të gjitha shtëpitë dhe rrugicat e kalasë, por tashmë lodhja kishte bërë të vetën. Mezi lëviznim këmbët.
– Mbase sot pamë mjaft! – u dëgjua zëri i sime shoqeje. – Sikur të fillonim kthimin?!
Unë nuk thashë asgjë, ndërkaq të dy djemtë u pajtuan me mendimin e së ëmës.
Dhe morëm rrugën e kthimit. Pak para se të arrinim te porta e daljes në kala arritën një grup dasmorësh. Këngët dhe vallet e dasmorëve sikur dridhen themelet e kalasë. Kënga e dasmës e Shqipërisë së mesme u përplas për mure të kalasë. Në krye të dasmorëve të gëzuar prinin nusja dhe dhëndri. Nusja e bukur si vetë kalaja e Beratit, ndërkaq dhëndri shtatlartë si Mali i Tomorit përbri. Nën rrezet e ngrohta të diellit të korrikut shkëlqente edhe më shumë nuri i bukurisë së nuses dhe buzëqeshja e dhëndrit. Për ca çaste u ndalëm edhe ne të shikonim ato valle të bukura të dasmës. Ime shoqe e entuziazmuar nga ato valle të bukura të dasmës shqiptare m’u drejtua: – Kjo ditë paska qenë me fat për ne! E pamë qytetin e mrekullueshëm të Beratit, e vizituam dhe e prekëm kalanë që prek qiellin. E takuam loken çame dhe ja tash dasmën! Çfarë i duhet më shumë njeriut brenda një dite?!
Dasmorët me dhëndrin dhe nusen vazhduan me këngë e valle nëpër kala, ndërkaq ne lamë prapa kalanë dhe hymë në makinë. Kur e morëm rrugën e kthimit për në Durrës, dielli i asaj dite korriku po fshihej pas kodrave malore. Po binte mbrëmja e asaj dite të mrekullueshme të kaluar në qytetin e Beratit.
Berat, 2011