Nga seria e tregimeve të mia për Zvicrën
Daut Dauti
Në Zvicër shkova në muajin qershor me një vizë pune tre mujore që atëherë u ofrohej studentëve. Ishte një mik i imi që ma mundësoi këtë gjë. Puna kishte të bëjë me sallatat, që nga mbjellja e deri te paketimi.
Përfshirë portugezët, kemi qenë diku rreth 20 veta, por shumica shqiptarë, që merreshim me këtë punë. Udhëheqësi i punës që merrej me ne quhej Anton, por shqiptarët ia kishin lënë emrin Gjokë, në mënyrë që kur të flitnin për të dhe në prezencë të tij, ai të mos e dinte këtë gjë.
Antoni, pra Gjoka, ka qenë diku rreth 40 vjeçar dhe njeri shumë i poshtër. Ka qenë austriak dhe në rini kishte ardhur në Zvicër dhe kishte mbetur aty përgjithmonë. Pasi që puna ishte fizike, ai ka qenë muskuloz dhe i ndërtuar mirë edhepse me trup mesatar. Nuk ka qenë i martuar, por e kishte një dashnore, e cila me moshë ishte më e vjetër se ai. Sa herë që shkonin bashkë në restoran, paguanin secili për vete. Kisha përshtypjen që Gjoka frikësohej nga martesa. Ishte i pashëm dhe në shikim të parë dukej i këndshëm pasi që fytyra i rrinte e qeshur prore. Kurrë më nuk kam parë njeri me karakter të keq, por me fytyrë të këndshme si ai.
Gjoka sillej keq me punëtorët shqiptarë. Mes tjerash ua shante edhe Krishtin dhe kjo gjë për ta ka qenë e rëndë pasi që ata, të gjithë, pos meje, kanë qenë katolikë. I kapte për krahu dhe i shtynte kur atij ia merrte mendja se nuk punonin boll. Unë quditesha pse e duronin dhe pse donin t’i hynin në hatër. Më vonë e mora vesh se të gjorët nuk kishin rrugëdalje tjetër pos t’i shtrëngonin dhëmbët e t’i duronin vuajtjet. Shumica e tyre kanë qenë të moshës 40 deri në 50 vjeçare dhe pasi që nuk e kishin mësuar gjermanishten dhe nuk kishin ndonjë zanat, e kishin vështirë të gjenin punë diku tjetër.
Në Zvicër ka qenë një sistem i punës i kurdisur në atë mënyrë sa që i mbante punëtorët në punë edhe me zor. Punëtorët sezonalë që punonin nga 9 muaj në vit, mundoheshin që t’i mbërrinin katër sezona të plota për ta fituar vizën B që u mundësonte punësim dhe qëndrim më të gjatë e më të sigurt. Nëse e kishin vizën B, përsëri kërkohej një afat prej katër viteve që ta fitonin vizën C. Po i thyenin rregullat e kohëzgjatjes së punësimit, pra nëse u mungonin ditët e duhura, numërimi i stazhit të punës niste nga fillimi. Ky ka qenë një mjet me të cilin punëdhënësi e kërcënote punëtorin. Për të qenë edhe më keq, shpesh ndodhte që punëdhënësi nuk i dërgonte garancionet e punës me kohë ose nuk ua dërgonte fare atyre që mendonte se nuk i duheshin për vitin e ardhshëm. Si rezultat, njerëzit mbeteshin në shtëpi dhe mundi për ta arritur kushtin e vizës u shkonte kot. Prandaj, duke qenë në kushte të vështira në Kosovë, shqiptarët ishin të detyruar që të duronin sharjet, bërtimat dhe poshtërimin që ua bënte Gjoka.
Gjoka stilin e tij të sjelljes e provoi edhe me mua, por unë ia ndava herët vadën kësaj pune. Mua nuk më duhej garancioni i punës për vitin e ardhshëm. Unë nuk do t’i braktisja studimet për punë bujqësie në Zvicër dhe ai e dinte këtë gjë. Prandaj, ai me mua nuk fliste gati kurrë, as për të mirë e as për të keq.
Shqiptarët e kishin bërë një gabim me Gjokën. E kishin ftuar dy herë në Kosovë dhe i kishin bërë muhabet siç e do zakoni jonë. Me këtë rast Gjoka i kishte parë se si jetojnë këta shqiptarë në fshat ku jeta atëherë ka qenë e vështirë. Krahasimi me Zvicrën, ka qenë matje e dy botërave të kundërta.
Prandaj, Gjoka sa herë që dëshironte u bërtiste duke iu thënë:’Punoni. A e dini ju se çfarë jete keni në Kosovë? Ju WC-të i keni jashtë dhe larg shtëpisë. A mos keni harru?’ Në raste tjera edhe i shpotiste. Varfëria e tyre për Gjokën ka qenë adut që ai e shfrytëzonte për poshtërim.
Këto kanë qenë momente të rënda për t’i parë e dëgjuar. Një ditë qëllova aty kur baca Gjin e ftoi Gjokën për dasmë gjatë dimrit për martesën e djalit. Gjoka e shikoi pa asnjë respekt dhe i tha me përtesë:’Po, nëse ma paguan rrugën dhe qëndrimin në hotel’.
Nuk u durova pa e pyet bacën Gjin:‘Pse bre pe thirrë këtë bërllog n’darsëm?’
Gjoka nuk ka qenë shembulli i vetëm i kryepunëtorit apo shefit të keq. Sa kam qenë në Zvicër, por edhe më vonë, kam dëgjuar dhe kam parë edhe raste tjera të ngjashme. Njerëzit tanë atëherë e kanë patur jetën shumë të vështirë që gjasonte me atë ushtarake. Zgjoheshin herët dhe ktheheshin vonë nga puna. Kur ktheheshin, të gjitha punët e shtëpisë i kryenin vetë. Flenin shumë veta në një dhomë të ndërtesave që nuk i plotësonin kushtet e standardit të banimit zviceran. Larg familjes dhe duke u munduar të kursenin deri në maksimum, gati kurrë nuk dilnin në qytet apo restorane, e lëre më për vizita të vendeve turistike. Nuk i lejonte varfëria që kishin lënë pas në Kosovë. Mendja i mbante të lidhur gjithmonë me familjen dhe shtëpinë. Gjeneratat e para të punëtorëve tanë në Zvicër, kanë qenë gjenerata të sakrificave të mëdha. Tregimet e mia për këta punëtorë e kanë ngjyrën e atyre të Orwellit për mbledhësit e kulprës që ky shkrimtar i madh i kishte përcjellur duke punuar me ta në arat e Kentit të Anglisë.
Sidoqoftë, me ne punonte edhe një zviceran që quhej Hans Ruedi. Ka qenë djalë i mirë dhe unë u shoqërova me të, e cila gjë më ndihmoi ta kuptoja pozitën dhe mentalitetin e një të riu zviceran që punon në bujqësi. Ka qenë thatanik nga trupi dhe më i ri se unë nga mosha. Hans Ruedi i ka pasë tetë vëllezër, dmth vet i nënti vëlla, që për Zvicër ka qenë gjë shumë e pazakonshme. Punonte shumë i gjori dhe shkonte në shkollë të natës për bujqësi.
Një ditë Hans Ruedi kaloi me traktor pranë meje ku isha në ara duke i paluar disa gajbe. Dukej shumë i lodhur. E mbajta në sy pasi që më interesonte ta dija ku po shkonte. Pas disa minutave, kur u largua, ndoshta 1 km, ai ra me kokë për timoni kurse traktori mori kthesë në të majtë dhe me lëvizje të lirë dhe shpejtësi të shtuar u zhduk në pjerrtësi që çonte te një përrua. Hans Ruedi me siguri u alivanos nga lodhja dhe nxehtësia e madhe e asaj dite verore. I fishkëllova Gjokës që e shihja në anën e kundërt duke punuar. I dhashë shenjë që të vinte. Erdhi me boll përtesë. I tregova se si ishte puna dhe që të dy shpejtuam me një Land Rover ushtarak që e përdornim nëpër ara.
Për fat të mirë, traktori ishte ndalur në trungun e një qershie. Sikur të mos ishte qershia, Hans Ruedi, së bashku me traktor, do të binte në përrua dhe vështirë se do të shpëtonte. E gjetëm të alivanosur dhe me hundë të përgjakura. Në trupin e lëshuar mbi timon, duart i qëndronin të varura sikur të ishte i vdekur. Kur erdhi në vete, u drejtua nga ne dhe pastaj e shikoi orën. Me keqardhje dhe frikë bëri me dije se i kishin humbur disa minuta punë. Merreni me mend, nuk e kishte hallin e shëndetit, të cilin sapo ia kishte kërcënuar vdekja, por bëhej merak për minutat e punës së humbur. Gjoka, si i poshtër që ishte, e shau dhe i bërtiti për një kohë të gjatë.
Këtë rast, pasi që përfundoi mirë, e shfrytëzova që t’i haja disa qershi. I haja nën vështrimin e mrrolave të Gjokës. I gjori Gjokë nuk kishte mendim të mirë për mua. Mendoj se e kishte problem ta kuptonte nonshalancën time. Me siguri mendonte se unë nuk vlejë as pesë pare.
Gjoka nuk kishte ndonjë respekt për vlerën e njeriut. Punëtorët i trajtonte duke mos i llogaritur për njerëz. Kjo e bënte njeri shumë të gërditshëm. Sikur të mos ishte rroga, për këta punëtorë jeta do të kishte karakter të sistemit skllavopronar.