Nga shef kabineti te drejtimi i ministrisë, kush është Blendi Gonxhe
Një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standardeve evropiane.
Kështu shkruan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për Blendi Gonxhen, drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor – i cili tashmë pritet të marrë “bekimin” e presidentit për t’u bërë ministri më i ri në kabinetin qeveritar.
Gonxhes i është besuar një nga ministritë më të rëndësishme duke marrë në vëmendje shtrirjen e saj dhe epokën në të cilën jemi.
Ai është propozuar nga Rama që të drejtojë ministrinë e sapokrijuar, atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Tre fusha të cilat – për kryeministrin – funksionojnë më së mirë së bashku.
Ministria e Gonxhes “ka zhdukur” atë të Kulturës së drejtuar nga Elva Margariti, dhe ka marrë një pjesë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (tashmë vetëm e Ekonomisë) e drejtuar nga Ervin Mete.
Vetë Gonxhe në drejtim e DPSHTRR-së ka sjellë transformim të dukshëm, nisur kjo me sistemin e godinave të reja e deri te eventet madhore, që u mbajtën për herë të parë në Shqipëri.
Me drejtimin e tij, automotoparku nuk është më një ëndërr, por një projekt që ka nisur punimet e fazës së parë në Elbasan.
Gonxhe dukshëm ka qenë një “i besuar” prej kohësh i Ramës.
Kjo pasi ai u emërua në vitin 1998 si shef i Kabinetit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, asokohe Edi Rama.
Dy vite më pas ai e ndoqi Ramën në Bashkinë e Tiranës, ku u emërua nënkryetar.
Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në vitin 2003, ai dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin për pasagjerë dhe automjetet në Greqi dhe Shqipëri, duke mbajtur edhe një profil publik aktiv ndër vite.
Më pas në 2015-n, pas marrjes së Bashkisë së Tiranës nga Erion Veliaj, Gonxhe u vendos si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit.
Ai drejtoi gjithashtu Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë.
Ndërkaq që prej nëntorit të 2018-s ai u emërua nga vetë Rama për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.