Nga shembja e urës për këmbësorë në Finlandë, 27 të lënduar
Rreth 27 të rinj, kryesisht fëmijë janë lënduar të enjten në Finlandë, kur një urë e përkohshme është shembur pranë një kantieri ndërtimi, kanë thënë zyrtarët finlandezë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 9:20 të mëngjesit, sipas orës lokale në Espo, afër kryeqytetit Helsinki, kur dërrasat mbi urë nuk kanë mbajtur dhe grupi i fëmijëve ka rënë pesë deri në gjashtë metra në trotuarin e një rruge të vogël anësore.
Shumica e të lënduarve ishin nxënës të klasës së tetë, rreth 14 ose 15 vjeç, të cilët ishin në një udhëtim shkollor, kanë thënë zyrtarët e qytetit. Në mesin e të lënduarve është edhe mësuesi i tyre.
Njëzet e katër persona janë transferuar në spitale të ndryshme në rajonin e Helsinkit.
“Askush nuk ka lëndime që rrezikojnë jetën”, ka njoftuar shërbimi spitalor HUS i Helsinkit, duke shtuar se shumica kishin gjymtyrë të thyera.
“Nuk ka asnjë tregues se ekziston rreziku i paralizës, por ka lëndime në kokë”, u ka thënë gazetarëve drejtori mjekësor i HUS-së, Eero Hirvensalo.
Shkaku i shembjes nuk është konfirmuar dhe është duke u hetuar, kanë njoftuar autoritetet e qytetit Espo.
Udhëheqja e departamentit të arsimit të qytetit në Helsinki, Sattu Jarvenkalas, ka thënë për “AFP”-në se të lënduarit janë nxënës nga shkolla e mesme Kalasatama në kryeqytet, raporton “Rel”.
“Ata ishin në një udhëtim të rregullt në Muzeun e artit Ema. Pastaj, ndodhi aksidenti” ka thënë ajo.
Sipas saj, në shkollë është formuar një ekip krize.