Nga sot “Facebook” me rregulla të reja
Prej ditës së sotme ka hyrë në fuqi Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR).
Rregulloja do të zbatohet në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe në Shqipëri.
25 maji shënon njëkohësisht, nisjen e funksionimit të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB). Ky është organizmi më i lartë i BE që miraton aktet për mbikëqyrjen e zbatimit të unifikuar të Rregullores së Përgjithshme, në përputhje me nenet 63-76 të saj. Ky forum përbëhet nga titullarët e Autoriteteve kombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave të vendeve anëtare të BE-së dhe Supervizorit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS).
Ndërsa Komisioni Evropian merr pjesë në mbledhjet e Bordit, por pa të drejtë vote. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është anëtare me statusin e vëzhguesit në këtë forum. “Në një botë ku të dhënat trajtohen si monedhë, të drejtat e qytetarëve shpesh janë neglizhuar apo lënë në harresë. Ne nuk duhet të harrojmë faktin se individët duan dhe kanë të drejtë të mbrojnë të dhënat e tyre personale”, vlerësoi Andrea Jenilek, presidentja e sapozgjedhur e Bordit, njëkohësisht edhe kreu i Autoritetit Austriak të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Ky organizëm do të nxisë bashkëpunimin efektiv mes Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe është i mandatuar të zgjidhë me vendime detyruese mosmarrëveshjet në rastet e përpunimit ndërkufitar të të dhënave. Rregullorja e Përgjithshme sjell shumë risi dhe përmirësime në raport me Direktivën 95/46. Ky dokument ka si pika referimi transparencën, përgjegjshmërinë, sigurinë dhe etikën në përpunimin e të dhënave personale.
Ajo adreson problematika të verifikuara ndër vite nga procesi i përparimit të vrullshëm teknologjik, si pjesë e zhvillimit tërësor ekonomiko-social të këtyre vendeve dhe më gjerë. Rregullorja e Përgjithshme u jep qytetarëve kontroll mbi të dhënat e tyre, duke u garantuar një gamë të madhe shërbimesh, por, parashikon edhe forcimin e penaliteteve ndaj kontrolluesve, si masë parandaluese për shkeljet në këtë fushë. Rregullorja e Përgjithshme u miratua në prill të vitit 2016, së bashku me Direktivën për transferimin e të dhënave për qëllime të hetimit policor apo gjyqësor.
Rregullorja e Përgjithshme e BE dhe Konventa 108 e modernizuar e Këshillit të Evropës (ndryshimet u miratuan javën e kaluar) janë dy kolonat ku do të mbështet përafrimi i legjislacionit shqiptar në këtë fushë./ syri.net