Nga sot KEDS-i nis aplikimin e taksës për rikyçje të konsumatorëve
KEDS-i ka njoftuar se nga 1 gushti (sot) do të fillojë aplikimi i taksës për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor, konform metodologjisë.
KEDS-i bën me dije se vonesat mbi afatet e parapara nga 1 gushti i këtij viti do të kenë edhe kosto shtesë financiare. “Në këtë kontekst, konsumatorët do të paguajnë edhe një taksë neto prej 15 eurosh që, bashkë me TVSH-në, shkon në 17.7 euro, shumë e cila është e paraparë sipas Metodologjisë së Taksave të Kyçjes në Rrjetin e Shpërndarjes, po ashtu e aprovuar nga ZRRE-ja”, u tha në njoftim.
Tutje, në komunikatë thuhet se shkyçjet nuk janë të lidhura me një shumë të caktuar të borxhit, por me faturën specifike që ka afat kohor se kur duhet paguar
Për njohësit e ekonomisë, Qeveria e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes përmes ZRRE-së po vazhdon t’ua bëjë jetën më të vështirë qytetarëve të Kosovës.
Ata thonë se nëpërmjet ngritjes së çmimit të rrymës shto këtu plus tarifën prej 17,7 euro për rikyçje qeveria po miraton këto vendime, që sipas tyre janë të paranueshme dhe të patolerueshme.