Nga sot Nexhmije Pagarusha bëhet me status të meritave të veçanta

02 tetor 2018 | 14:45

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka bërë me dije se pas propozimit të tij, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot Nexhmije Pagarusha do të ketë statusin e qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.

Po me këtë vendim Pagarusha do të mbështetet financiarisht me nga 500 euro në muaj.

“Nexhmije Pagarushës, i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj siç është përcaktuar në propozim-vendim në vlerë prej 500 euro në muaj”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se Nexhmije Pagarusha gëzon respekt edhe sot nga personalitetet të shumta vendore dhe ndërkombëtare.

Sipas Gashit, veprat e mira nuk kanë çmim, por kultivuesit meritojnë mbështetje.

“Nexhmije Pagarusha siç njihet në popull bilbili i muzikës shqipe, me paraqitjet e saj në shumë vende të botës bëri që karriera e saj të jetë e bujshme, duke përfaqësuar kësisoj Kosovën dhe përçuar vlerat dhe traditat e vendit tonë. Ajo prezantoi në festivale dhe skena të njohura ndërkombëtare, duke interpretuar edhe vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, si ato të Bethovenit etj. Në krijimtarinë e vet muzikore mendohet t’i ketë interpretuar mbi 150 këngë ku shumicën nga këto ia kushtoi vendit dhe dashurisë duke filluar nga Kryevepra ‘Baresha’ që me interpretimin e saj i paraqiti vlerat e Artit dhe Kulturës, edhe në atë kohë kur muzika shqipe dëgjohej dhe kultivohej shumë pak”, ka deklaruar Gashi.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi humbet betejën ligjore ndaj të përditshmes spanjolle “ABC”.…