Nga sot shërbimi mjekësor në shtëpi për qytetarët e Rahovecit
Nga dita e mërkurë në Rahovec do të funksionojë shërbimi i ri mjekësor “Kujdesi shtëpiak”, i cili do ta lehtësojë marrjen e trajtimit shëndetësor për të moshuarit dhe ata më sëmundje të rënda, të cilët e kanë të vështirë mobilitetin deri te QKMF-ja apo QMF-të.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se një mjek dhe dy infermierë do të jenë në lëvizje për të ofruar shërbime anembanë Rahovecit nga ora 07:00 deri në orën 21:00.
“Përveç shërbimeve të tjera ekipi mobil do të bëjë edhe testime rapide për Covid-19, sipas vlerësimit të mjekut. Jam shumë i gëzuar qe me nisjen e vitit të ri 2022, e nisëm edhe përmbushjen e premtimeve të fushatës së para pak muajve. Kujdesi shtëpiak, që nisi së ofruari sot, ishte njëri prej premtimeve tona në programin qeverisës. Shpresoj që qytetarët e Rahovecit të kenë sa më pak nevojë për këtë shërbim dhe të kenë shëndet të mirë gjatë vitit që sapo ka nisur”, ka thënë kryetari Latifi.