
Nga sulmi me dron rus, vdes gazetarja ukrainase
Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA) kanë shprehur në platformën e tyre se ndjejnë “pikëllim të thellë dhe indinjatë” pas vdekjes tragjike të gazetares ukrainase, Tetiana Kulyk.
Tetitana Kulyk u vra në shtëpinë e saj në Kiev gjatë një sulmi me dron rus, duke shkatërruar shtëpinë e saj të mërkurën.
Kulyk ishte redaktore në Redaksinë Kryesore Multimediale të agjencisë së lajmeve në Ukrainë Ukrinform dhe ka qenë prezantuesja e programit “Kombi i të Pamposhturve”, shkruan EANA.
Aleanca tregon se përkushtimi i saj i palodhur ndaj gazetarisë dhe angazhimi për të pasqyruar qëndresën dhe heroizmin e popullit ukrainas janë vlerësuar si të pazëvendësueshme nga kolegët e saj në Ukrinform.
“EANA shpreh solidaritet me agjencinë anëtare Ukrinform dhe të gjithë gazetarët që rrezikojnë jetën për të ofruar raportim të vërtetë, duke kërkuar përsëri masa më të mëdha mbrojtjeje për profesionistët e medias dhe për llogaridhënien e atyre që kryejnë dhunë ndaj gazetarëve”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i EANA, Alexander Gaboi shprehu ngushëllim ndaj familjes, miqve dhe kolegëve të saj në Ukrinform.
“Humbja e Tetiana Kulyk është një tragjedi e thellë, jo vetëm për familjen e saj dhe kolegët në Ukrinform, por gjithashtu kur merret parasysh fakti që ajo ishte një qytetare, në shtëpinë e saj, e goditur nga një dron. Ne shprehim ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe kolegët e saj në Ukrinform. Ky incident dramatik thekson horroret e luftës që po zhvillohet nga Rusia në Ukrainë, e cila ka marrë shumë jetë të pafajshme. Shpresoj që ky të mos ketë qenë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj gazetarit të Ukrinform”, thuhet tutje.