Nga sulmi vetëvrasës në një kishë në Pakistan vriten shtatë persona
Zyrtarët pakistanezë kanë bërë me dije se së paku shtatë persona janë vrarë dhe afro 30 të tjerë janë plagosur, nga sulmi vetëvrasës në një kishë në qytetin Kueta, në jugperëndim të Pakistanit.
Një zyrtar i lartë në provincën e Baloçistanit, ka theksuar se sulmin e sotëm e kishin kryer dy militantë. Ky zyrtar ka thënë se së pari njëri prej militantëve e aktivizoi jelekun vetëvrasës në trupin e tij në hyrje të kishës, ku ishin afro 400 meshkuj, femra dhe fëmijë, të cilit kishin ardhur për të marrë pjesë në meshën e së dielës, para festës së Krishtlindjeve.
Sulmuesi tjetër nuk ka arritur ta aktivizojë eksplozivin pasi është qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë. Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë e menjëhershme për këtë sulm. Të plagosurit janë dërguar në spitalet kryesore të qytetit Kueta. Të krishterët e përbëjnë 1.6 për qind të popullatës prej 200 milionë banorëve, kryesisht myslimanë, të Pakistanit.