Nga të afërmit e QKUK-së tek njerëzit e Vetëvendosjes: Skandali me konkursin për fizioterapeutë

02 dhjetor 2024 | 15:07

Mbi 130 kandidatë konkurruan për pesë pozita Fizioterapeut Bachelor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por procesi është shoqëruar me parregullsi.

Fillimisht, në konkursin e hapur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), testi me shkrim u anulua pas zërave që shpërthyen në QKUK- dyshime për përpjekje të favorizimit të fëmijëve të autoriteteve të QKUK-së.

Demokracia.com ka konfirmuar se në mesin e kandidatëve që fillimisht kaluan testin me shkrim ishin Riga dhe Nora Geci, vajzat e Lulzim Gecit, drejtori i QOP (Qendrës Orto-Protetike) të QKUK-së, si dhe Flakon Fetahu, djali i dr. Avni Fetahut, specialist i urologjisë në këtë institucion. Për më tepër, kryetarja e komisionit, dr. Besa Ibishaga, është e lidhur profesionalisht me familjen Geci, pasi punon në të njëjtën zyrë me dr. Fatime Bllacaku Geci, bashkëshorten e Lulzim Gecit, e cila punon në klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, pra në po të njëjtën zyre dhe në të njëjtën klinikë me Kryetaren e Komisionit të parë dr.Besa Ibishaga, specialiste e Fiziatrisë.

Në testin e dytë, të njëjtët kandidatë që fillimisht kishin kaluar testin nuk arritën të kalojnë më tej. Pra, tre kandidatët e afërtë me mjekët dhe autoritet në QKUK.

Në fund, janë publikuar rezultatet përfundimtare, të dhëna vetëm me kode. Burime të Demokracia.com kanë bërë të ditur se në mesin e të pranuarve është Lorik Reçica, një person i afërt me Vetëvendosjen dhe ministrin Vitia. Reçica është parë shpesh në aktivitete të VV-së, përfshirë fushatën zgjedhore të Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës dhe në fushatat tjera zgjedhore afër Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të VV-së. Ai ka kaluar konkursin me pikë minimale, duke lënë pas vetëm një kandidat tjetër me një diferencë prej 0.6 pikësh. Po ashtu, në mesin e të pranuarve është edhe shoku i tij me të cilin ka kryer edhe studimet, Egzon Zejnullahu, i cili është i treti në listë me 87.7 pikë.

     

ShSKUK-ja ka dhënë një përgjigje për anulimin e testit të parë. Kanë thënë se vendimi për përsëritjen e testit është marrë se kishte parregullsi në procesin e poentimit në mbledhjen e pikëve, si dhe mangësi në dokumentacionin e kandidatëve.

“Në lidhje me interesimin tuaj mbi anulimin e testit me shkrim për pozitat e Fizioterapeutit Bachelor në QKUK dhe Spitalet Rajonale, ju informojmë si më poshtë: Vendimi për përsëritjen e testit është marrë se kishte parregullsi në procesin e poentimit në mbledhjen e pikëve, si dhe mangësi në dokumentacionin e kandidatëve. Pas analizës së procesit të rekrutimit, kishte gabime në mbledhjen e poentimit të testit me shkrim. Andaj me qëllim të garantimit të integritetit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit, si dhe për të mbrojtur interesin publik, është marrë vendimi për përsëritjen e testit me shkrim dhe anulimin e rezultateve të shpallura më parë, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët dhe eliminimin e çdo lloj parregullsie”, kanë thënë nga ShKUK për “Demokracia.com”.

Në konkursin për pesë pozita fizioterapeutësh kanë aplikuar mbi 130 kandidatë, por vetëm pesë prej tyre u përzgjodhën. Procesi ka ngjallur shumë dyshime dhe pakënaqësi, ndërsa kandidatët e refuzuar kanë të drejtën të paraqesin ankesa. /Demokracia

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ikja e mjekëve nga vendi ka përplasur edhe ministrin e…