Nga thirrja e Kurtit për kursim, deri të rënia e blloqeve – çfarë po ndodh me krizën e energjetike në Kosovë?
Me qëllim të tejkalimit të krizës energjetike, kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje që të kursehet. Mirëpo, reduktimet u ashpërsuan, pasi Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) se ka rënë blloku “A3”.
Kurti, në Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se edhe pse kanë ndarë 100 milionë euro për të ulur koston e energjisë, çmimi po vazhdon të ketë rritje.
“Na duhet një debat i hapur dhe i sinqertë mes nesh mbi gjendjen që jemi dhe sfidën që kemi përpara në mënyrë që gjatë dimrit të fokusohemi në atë që është e mundur e mbi të gjitha është kursimi i energjisë”.
“Ne tashmë kemi ndarë 100 milionë euro për të zbutur ndikimin e rritjes së faturave të energjisë për qytetarët, por çmimi i energjisë është vazhdimisht në rritje”, ka bërë thirrje Kurti.
Menjëherë pas kësaj thirrje, KEDS-i ka dalë me njoftimin se do të ketë përkeqësim të situatës energjike në vend, pasi njësia “A3” e termocentralit “Kosova A” ka dalë nga funksioni.
Sipas tyre, në vend aktualisht po prodhohen më pak se 400 megavatë rrymë më pak.
Me qëllim të mospërkeqësimit të situatës me rrymë, KEDS-i ka kërkuar nga konsumatorët që ta kursejnë atë.
“Aktualisht kufizimet janë dyorëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë efiçiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër. Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që t’i kapërcejmë ato sa më. Së bashku mund t’i dalim”, është thënë në apelin e KEDS-it.
Në njoftimin e lëshuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është thënë se në kaldajën e “A3” janë shfaqur rrjedhje të ujit dhe si pasojë është pamundësuar mbajtja e kësaj njësie në operim.
“Ekspertët e KEK-ut janë duke dhënë maksimumin për ri kthimin e njësisë në operim në kohë optimale. Aktualisht ka filluar procesi i ftohjes së njësisë në mënyrë intensive, pastaj do të bëhet inspektimi i cili pason me sanimin e rrjedhjes në kaldajë dhe përgatitjet për kthimin e kësaj njësie në operim”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.
Blloku “B2” i termocentralit “Kosova B” ishte paralajmëruar që shumë shpejtë do të kthehej në punë, pasi është në remont, mirëpo ai vazhdon të jetë jashtë funksionit, raporton “Telegrafi”.
“Siç jeni informuar edhe nga Ministria e Ekonomisë, blloku ‘B2’ është në remont dhe pritet të përfundoj shumë shpejtë. Arsyeja pse është në remont është se duhet të mënjanohen avaritë. Termocentrali “Kosova A” i ka njësitë e vjetruara, që 60 vjet, e ‘Kosova B’ i ka të vjetra 40 vjet”, kishte thënë kryeministri Kurti, raporton Telegrafi.
Lidhur me këtë krizë energjetike, kishte reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku kishin propozuar 10 pika për të përballuar këtë krizë.
Ata kanë propozuar që të bëhet pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milionë euro për çmimin e energjisë elektrike, riparimi i bllokut “A5” i termocentralit “Kosova A”, krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët si dhe të bëhet përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë.
Po ashtu, është kërkuar që të bëhet negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji, zbritja e TVSh-së nga 8 në 0 për qind për faturat e energjisë, pako e re për subvencionim e energjisë për qytetarët dhe bizneset, largimi tarifave diskriminuese të ZRRE-së, si dhe themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.
Nga 15 gushti, KEDS-i kishte filluar reduktimet e energjisë elektrike me nga 2 orë në ditë për çdo 6 orë.
Në fillim të këtij muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Sipas arsyetimit, ky vendim është marr nga gjendja aktuale botërore energjetike.
Këto masa do të mbesin aktive për 60 ditë.
Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.