Nga Tito deri te Kurti, Kaqusha Jashari komenton politikanët e vjetër dhe të rinj

24 gusht 2021 | 23:52

Politikania e vjetër, që ishte pjesë e pushtetit jugosllav në Kosovë, Kaqusha Jashari, ka komentuar figurat më të rëndësishme politike në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë, duke nisur nga Josip Broz Tito, Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Xhavit Nimani, Azem Vllasi, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Albin Kurti.

Për Titon, Jashari ka thënë se ka mendim pozitiv, ndonëse e kishte takuar vetëm një herë.

Unë vetëm një herë e kam pa, jo vet, por në grup. E kemi pasë një darkë në Grand. Prej sindikatës kam qenë aty.  E kam një mendim pozitiv. Kosovës ia ka dhanë krejt, po ia ka marrë titullin”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Fadil Hoxhën thotë se e ka dashur për shkak të babait të saj.

“Unë e kam pa si shumë person pozitiv”,  ka thënë ajo.

Mendim të njëjtë ka edhe për Mahmut Bakallin dhe Xhavit Nimanin.

“Edhe për Mahmut Bakallin…. edhe për të kam mendim pozitiv. Xhavit Nimani, ka qenë njëri që ka kryer punë. Kur ka thënë diçka po, po”, ka thënë Jashari.

Ndërkaq, Azem Vllasin e ka përshkruar si njeri të grupeve, megjithëse thotë se ka pasur bashkëpunim korrekt.

“Me Azem Vllasin ka qenë korrekt bashkëpunimi. Unë nuk i kam takuar asnjë grupi, ai ka qenë më afër me Ekrem Arifin, Remzi Kolgecin. Unë s’kam qenë në grupin e tij”, ka thënë ajo.

Për Ibrahim Rugovën nuk ka mendim negativ, por thotë se ka lëvizur ngadalë.

“Për Ibrahim Rugovën kam pasur shumë vërejtje sepse ka qenë i ngadalshëm. Në përgjithësi, ka qenë  njeri që ka vepruar ngadalë, por mendoj se ka bashkëpunuar me dikën nga ndërkombëtarët. Nuk kam mendim negativ”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Hashim Thaçin e ka përshkruar si politikan kokëfortë, por thotë se në koalicion me PDK-në ka kaluar mirë.

“Hashim Thaçi… kam kaluar shumë mirë në koalicion me PDK-në. S’më ka ardhë mirë që e ka ndërru të majtën. Si person ka qenë kokëforte”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, Albin Kurti e sheh si politikan pozitiv dhe edhe më të majtë se vet ajo.

“Albin Kurtin e njoh si student. Prindërit e tij i njoh… unë e konsideroj pozitiv. Është pak më i majtë se unë. Por, nuk më pëlqen sulmi ndaj tij në fillim të mandatit”, ka thënë në fund Jashari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kaqusha Jahari, ish-funksionare e lartë e pushtetit jugosllav në Kosovës,…