Nga Toplica në Prizren, Ivica Daçiqi, pinjoll i një familjeje me traditë policore
Shkruan: Ramadan Avdiu
Jemi dëshmitarë të shumë komenteve dhe diskutimeve të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqi, lidhur me numrin e serbëve që kanë jetuar në Kosovë dhe që janë shpërngulur. Zakonisht, nga ana e serbëve janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen manipulime të mëdha me shifrat.
Në Kosovë, numri më i madh i serbëve që është regjistruar ndonjëherë, është ai i regjistrimit të popullsisë në vitin 1991, kohë kur në këtë regjistrim të popullsisë nuk kanë marrë pjesë shqiptarët (të gjithë regjistruesit kanë qenë serbë).
Në atë kohë janë regjistruar 194 190 serbë dhe 20 365 malazezë.
Nëse aktualisht rreth 130 mijë serbë jetojnë në Kosovë, atëherë nga viti 1981 e deri sot kanë mundur të shpërngulen më së shumti 80 mijë serbë, duke marrë parasysh edhe proporcionin e ritmit të shtimit natyror të popullsisë…
Por sikurse Ivica Daçiqi, edhe të gjithë zyrtarët serbë flasin me pompozitet, se vetëm pas luftës çlirimtare të UÇK-së nga Kosova janë zhvendosur në Serbi 200 mijë serbë.
Pavarësisht nga ajo se është e dokumentuar përmes regjistrimeve të popullsisë se asnjëherë në Kosovë nuk kanë jetuar 200 mijë serbë, serbët vazhdojë ta aplikojnë instruksionin e Dobrica Qosiqit, se në vazhdimësi duhet gënjyer, ngaqë gënjeshtra e stërpërsëritur zë vend dhe dikur në mendjet e njerëzve do të perceptohet si e vërtetë.
Mbase në shifrën prej 200 mijë vetash, që e përmendin rëndom Daçiqi dhe zyrtarët e tjerë serbë, i llogarisin edhe policët, ushtarët dhe pjesëtarët e formacioneve të tjera të armatosura, të cilët kanë qenë të angazhuar në luftë kundër UÇK-së dhe kanë ushtruar gjenocid kundër shqiptarëve në Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, ka pasur mbi 150 mijë forca të armatosura serbe. Një numër i konsiderueshëm e tyre kanë qenë serbë lokalë të mobilizuar, të cilët nga frika se do të ndëshkohen për krimet e bëra kundër popullsisë civile shqiptare, kanë ikur nga Kosova bashkë me forcat pushtuese serbe. Një pjesë e tyre janë tërhequr nga Kosova pas kapitullimit të Serbisë dhe në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Kumanovë më 09.06.1999.
Serbët nga Kosova, të cilët nuk kanë marrë pjesë në krime dhe gjenocid kundër shqiptarëve, nuk janë larguar dhe vazhdojnë të qëndrojnë e jetojnë në Kosovë, ku gëzojnë të drejta më shumë se çdo pakicë kombëtare në ndonjë shtet të botës…
Ivica Daçiqi shpesh përmend faktin, se edhe ai vetë është një prej serbëve të larguar nga Kosova. Por, si ka shkuar Daçiqi në Kosovë?! Të gjithë duhet ta dinë, ose duhet të sqarohen se si ka shkuar dhe si është shpërngulur ai dhe familja e tij nga Kosova.
Në një emision të mëngjesit, në televizionin “Hyppy”, ai zbuloi një pjesë të origjinës së tij. Ai përmendi faktin se kishte lindur në Prizren dhe se babai i tij ka qenë polic i dërguar në Kosovë në vitet ‘60-ta të shekullit të kaluar. Ai ishte dërguar atje nga regjioni i Toplicës, duke theksuar se “mbase edhe atëherë shqiptarët kanë pasur pretendime secesionite të cilat nuk kanë pushuar kurrë, prandaj ka pasur një arsye”, përse babai i Ivicës, polici Desimir Daçiqi, është dërguar bashkë me shumë policë të tjerë për të shtypur aspiratat e shqiptarëve dhe për t’i nënshtruar ata.
Pra, babai i Ivica Daçiqit ka qenë i dërguar si polic nga Serbia, bashkë me shumë policë të tjerë, për të shtypur shqiptarët. Një numër i konsiderueshëm i policëve dhe i pjesëtarëve të tjerë të aparatit okupues represiv serb, që kanë qenë të dërguar në Kosovë nga Serbia, nëse kanë qëndruar qoftë edhe një muaj, janë regjistruar si banorë të Kosovës dhe, si të tillë,regjimi pushtues serbë ka tentuar t’i mbajë gjithmonë, pavarësisht se janë kthyer në shtëpitë e tyre. Kështu, duke mos qenë asnjëherë banorë të Kosovës, ata janë shndërruar në banorë të saj, me qëllim të ndërrimit të strukturës së popullsisë gjatë paraqitjes së statistikave. Kjo edhe sot vazhdon t’u shërbejë si margjinë për manipulim.
Ivica Daçiqi duhet, paraprakisht, të shpjegojë se si dhe prej nga ka shkuar familja e tij në Toplicë. Sepse deri në vitin 1878, e tërë Toplica ka qenë e banuar ekskluzivisht nga shqiptarët. Daçiqi duhet të shpjegojë se në pronat e cilës familje shqiptare është vendosur familja e tij. Dihet tashmë se shqiptarët nga rajonet e Toplicës, Jabllanicës e Kosanicës janë shfarosur mizorisht nga soldateska serbe. Pra ndaj tyre në këto regjione, atëherë të pushtuara nga Perandoria Osmane, serbët kanë ushtruar gjenocid të paparë, ku për më pak se dy vjet, më 1876-1878, janë vrarë e dëbuar rreth 500000 (pesëqindmijë shqiptarë) nga forcat e armatosura serbe në qytetet e sotme të Serbisë, si Nishi, Vranja, Prokupla, Leskovci dhe në 740 vendbanime të tjera me një sipërfaqe prej më shumë se 5000 kilometra katror. Këto territore janë kolonizuar dhe populluar me serbë kurse e gjithë pasuria e shqiptarëve është shkatërruar ose është përvetësuar nga serbët, pra edhe nga familja Daçiqi, siç e pohon vetë ai…
Kur të qartësohet itinerari i familjes së Daçiqit, do të qartësohet edhe fakti se ai është pinjoll i një familjeje, që ka marrë pjesë historikisht nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në fund të shekullit XX, në keqtrajtimin dhe gjenocidin sistematik të ushtruar nga serbët kundër shqiptarëve. Prandaj ai e ka aq të manifestueshme urrejtjen dhe cinizmin kur flet për shqiptarët.
Me gjuhën që flet Daçiqi zakonisht kanë folur dhe flasin ata kriminelë që kanë vrarë shqiptarë dhe duke u përpjekur të justifikojnë veprimet e tyre, kanë kriminalizuar edhe gjuhën, nga e cila sa herë që flasin për shqiptarët, nuk arrijnë të lirohen dot. Gjuha e kriminalizuar është edhe si rrjedhojë e mosndëshkimit, sepse serbët në disa faza kanë ushtruar gjenocid kundër shqiptarëve dhe nuk janë ndëshkuar. Prandaj kanë vazhduar dhe e kanë përsëritur gjenocidin me metoda të njëjta kundër shqiptarëve deri në fund të shekullit XX.
Serbët nuk janë ndëshkuar për gjenocidin e bërë në vitet 1876-1878, përkundrazi janë shpërblyer, duke u njohur atyre tokat e pushtuara shqiptare. Nuk janë ndëshkuar as për gjenocidin kundër shqiptarëve në Luftërat Ballkanike, 1912-1914, për gjenocidin kundër shqiptarëve në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, për gjenocidin kundër shqiptarëve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Serbët janë ndëshkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare më 1999, vetëm për gjenocidin e ushtruar kundër popullsisë shqiptare në luftën e fundit në Kosovë, por nuk janë dënuar. Këtë ndëshkim ata mëtojnë ta paraqesin si agresion ndaj tyre…Kurse kanë orvatje të vazhdueshme që të justifikojnë veprimet gjenocidare të forcave të armatosura serbe e madje tash së fundi ka tendenca që të justifikojnë edhe bëmat e Millosheviqit, duke thënë se ai ka menduar për të mirën e serbëve, siç theksoi më 16.08.2018 kryetari i Serbisë, Alekdandar Vuçiqi.
Krimet e gjenocidit serb të ushtruara kundër shqiptarëve në cilëndo kohë të përmendur më lart, tejkalojnë krimet e fashizmit dhe nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, madje tejkalojnë gjenocidin e nacizmit kundër popullit hebre…Fashizmi e nacizmi është ndëshkuar dhe populli i civilizuar gjerman e ka pranuar përgjegjësinë e tij. Gjermanët asnjëherë nuk janë përpjekur ta lavdërojnë ose rehabilitojnë Hitlerin, kurse serbët synojnë që kriminelin, i cili inspiroi gjenocidin e fundit në Evropë, ta shndërrojnë në hero dhe në vazhdimësi kanë qasje negacioniste ndaj gjenocidit të ushtruar kundër shqiptarëve.
Kjo e vështirëson pajtimin. Një prej kushteve për përmirësimin e raporteve shqiptaro-serbe duhet të jetë që ata të pranojnë përgjegjësitë e tyre dhe të pranojnë se kanë ushtruar gjenocid kundër shqiptarëve dhe atë jo vetëm gjatë luftës së fundit…