Nga viti 2019, ndalohet qarkullimi për veturat që ndotin ambientin
Nga janari i vitit 2019, veturat të cilët shkarkojnë gazra jashtë normave të lejuara do t’ju ndalohet qarkullimi, bëjnë të ditur për “Radion Evropa e Lirë”, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës.
Kjo ministri ka nxjerrë një udhëzim administrativ për procedurat e licencimit të kontrolleve teknike, ku parashihet që një veturë e cila i nënshtrohet kontrollit teknik duhet t’i plotësojë edhe disa standarde të caktuara sa i përket ndotjes së ambientit.
Një iniciativë e tillë është ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në kuadër të masave për mbrojtjen e mjedisit.
Eset Berisha, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës, tha për “Radion Evropa e Lirë” se kanë filluar me zbatimin e pilotprojektit të kontrollimit të gazrave që emitojnë veturat.
“Ky udhëzim administrativ ka filluar të zbatohet në fillim të këtij viti, por matja e gazrave që emitojnë veturat ka filluar të bëhet në shtator të këtij viti, por për zbatimin e plotë të këtij udhëzimi nevojitet të certifikohen edhe disa inspektues të cilët do të merren më mbikëqyrjen e kontrolleve teknike. Posa të certifikohen këta inspektorë, do të fillohet me mbikëqyrjen e kontrolleve teknike për zbatim të standardëve sa i përket emetimit të gazrave të përcaktuara me standardet e Bashkimit Evropian”, thekson Berisha.
Certifikatat me të cilat kufizohet qarkullimi i veturave, të cilat nuk i plotësojnë standardet e nevojshme, shton Beirsha, nuk kanë filluar të aplikohen ende për arsye se duhet të certifikohen inspektuesit të cilët do të merren me mbikëqyrjen e punës së kontrollove teknike.
Por, sipas tij, e gjithë kjo procedurë pritet të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm.