Nga viti 2035 në Evropë do të ndalohet shitja e veturave me naftë dhe benzinë
Parlamenti Evropian zyrtarisht ka miratuar ligjin që ndalon shitjen e makinave të reja me naftë dhe benzinë në Bashkimin Evropian duke nisur nga viti 2035.
Ky vendim synon që të përshpejtojë përdorimin e makinave elektrike për të luftuar ndryshimet klimatike.
Ligji i ri do të kërkojë që nga viti 2025, kompanitë që prodhojnë makina të arrijnë që deri në 100 për qind të shkurtojnë emetimet e dyoksidit të karbonit për makinat e reja që do të shesin. Kjo do të parandalojë që të ketë makina të reja që funksionojnë me karburante fosile në 27 shtetet e bllokut evropian.
Ligji i miratuar po ashtu parasheh shkurtim prej 55 për qind të dyoksidit të karbonit për makinat e reja nga viti 2023 në krahasim me nivelet e vitit 2021.
“Kostot e funksionimit të makinave elektrike veçse janë të ulëta se kostot e një automjeti që ka motor me djegie të brendshme”, tha Jan Huitema, negociatori kryesor i PE-së për këtë vendim. Ai tha se ky ligj do të mundësojë që makinat elektrike të jenë më të lira për konsumatorët.
Shtetet e BE-së ishin pajtuar për këtë marrëveshje tetorin e vitit të kaluar, por ligji duhet të marrë miratimin zyrtar në mënyrë që të hyjë në fuqi. Miratimi final pritet të ndodhë në mars.