Nga zbulimi në Shpirag, në vendburimet ekzistuese të naftës dhe deri tek gazsjellësi TAP

02 gusht 2022 | 10:40

Shkruajnë: Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike, Caush Xhufi, Doktor dhe Drejtues Kërkimesh i Shkencave Gjeologjike. Të dy ish punonjës në ish Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier.

Refleksioni ynë për një intervistë të bujëshme dhënë nga një “ekspert”, z. Stavri Dhima, ish zyrtar, drejtues në naftë, në ish Institutin Gjeologjik të Naftës, dhe drejtues i Drejtorisë Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjitikës në Qeveritë e Tranzicionit për mbi 20 vjet.

Jemi të detyruar dhe nuk mund të rrimë indiferent karshi publikimeve, prononcimeve zyrtare në publik, kur ato nuk janë reale, por janë thjeshtë një propagandë e pastër politike, fshehje e realitetit, ëmbëlsim e zbukurim i gjëndjes alarmante, fshehje e abuzimeve aq të shumëta, e shkatërrimeve seriale për 32 vjet në sistemin e Industrisë Naftës dhe burimeve të tjera minerare, që janë tashmë të evidentuara dhe publikuara në dhjetra shkrime, postime në këtë portal të zërit të së vërtetës mbi atë se ҫfarë po ndodh në këtë degë jetike të ekonomisë së vendit – pikërishtë: shkatërrime, vjedhje, korrupsion, abuzime dhe keq-qeverisje të cilat janë kryer nga të gjitha qeveritë e kësaj të ashtuquajture periudhë Demokracie!

Nëse do ju referoheshim të gjitha këtyre shkrimeve, nuk do të ishte nevoja të shkruanim prapë këtu, por jemi të detyruar për dy arësye: E para këta që flasin në emër të qeverive, si zëdhënës të tyre, si demkat e tyre, nuk mund t’i lejojmë të mashtrojnë hapur. E dyta është që ata kur shkruajm ne të vërtetën, nuk ndihen, qëndrojnë në heshtje të plotë, nuk thonë asnjë kundërshtim, por rrinë një periudhë pause, dhe fap “zgjohen” dhe hidhen me propagandën dhe demagogjinë e tyre për të zbukuruar zullumet dhe llumrat e ndotura. Ndërkaq një arësye tjetër e fortë është se publiku, populli, shumica e intelegjencës së naftës dhe mineraleve, është pasive, nuk reagon karshi këtij realiteti, por qëndrojn indiferentë! Fatëkeqësi, keqardhje!

Ky reflektimi jonë publik është për të sqaruar të vërtetën në lidhje me mashtrimin politik, me shashkën e hedhur për “zbulimin e madh” në zonën e Shpiragut, nga k/ministri Rama, ministrja e tij Belinda Balluku dhe nga angazhimi me shumë zell i zëdhënsit të tyre, “ekspertit të hidrokarbureve”, z. Stavri Dhima, në intervistën e tij ndoshta të porositur në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, më 20 korrik, 2022.

Mund të themi që në fillim të këtij shkrimi se: kjo ishte një intervistë e hallakatur, e mbushur plotë me sllogane politike dhe justifikime, me deklarata superlative dhe pasaktësi teknike, që lidhet direkt me karakterin e tij karierist duke e patur qysh me emrimin e tij në Institutin Gjeologjik Fier, ku më tepër ka qenë me detyra partie se sa në punë direkte profesionale, si specialist.

Ai u mundua t`i atribonte ҫdo gjë vehtes tij, si specialist “ekspert” që i di të gjitha, bile ishte gati të pranonte pyetjen e gazetares se pa të nuk mund të bënte ministria apo Industria e Naftës, e mbyti vetëkënaqësia dhe euforizëmi, bëri elozhe pa fund për vehten, shokët e dikasterit dhe institucionet e tjera që vareshin prej tij, përpiqej që të shpjegonte gjithëҫka por paaftësia profesionale dhe mbështetja për politikën e hidhte degë më degë, i bënte gjërat ҫamur dhe nuk merrej vesh e vërteta. Nuk e përmëndi rolin shkencor që kishte Instituti Gjeologjik dhe kontributin e tij në Industrinë e Naftës dhe as specialistët me përvojë në grupin e projektimit në zonën e Shpiragut. Me këto, indirekt ai tregoi dhe konfirmoi se ai nuk e ka haberin e problemeve në atë industri, se i kanë munguar aftësitë profesionale për të punuar në Ministrinë Energjitike dhe në drejtorinë më të rëndësishme të saj, atë të hidrokarbureve, ku ai punoi dhe e drejtoni atë për mbi 20 vjet me të gjitha qeveritë, të majta apo të djathta. Nuk tha asgjë për korrupsionin që ka përfshirë këtë industri ku vidhet dhe shkatërrohet ҫdo gjë, por e paraqiti situatën sikur atje gjërat shkojnë vaj, kur dështimet flasin krejtë ndryshe. Ky qëndrim përkon me heshtjen e plotë të qeverisë Rama mbi konҫesionet në naftë dhe propagandën që ai po bënë për të mbuluar korrupsionin në naftë dhe keq-qeverisjen apo mos-administrimin shtetëror të pasuririve natyrore. Ai në këtë intervistë e bëri për bukuri detyrën e Partisë, të Politikës qeverisëse, ku u mundua “të sqaroj publikun duke hedhur mjegullë” mbi gjithëҫka ka ndodhur deri tani në naftë, duke mashtruar edhe gazetaren.

Megjithëatë po hedhim pak dritë mbi të vërtetën dhe ato që ai anashkaloi me dinakëri në atë intervistë.

Zotëria ka qënë po aq gjatë sa edhe ne në institucionin shkencor më të rëndësishëm të naftës, Institutin Gjeologjik, por si “ekspert i hidrokarbureve” nuk tha asgjë rreth asaj që ka ndodhur dhe vazhdonë akoma në Industrinë e Naftës, para por sidomos në periudhën kur ai ka qënë në Drejtorinë e Hidrokarbureve, në dikasterin e Ministrisë Energjitike, si specialist dhe drejtues i saj që nga qeveria Nano deri tek ajo Rama sot. Kjo periudhë përkon pikërisht me ngjarjet makabre rrënuese, me kasaphanën e vërtetë shkatërruese që është bërë në naftë, të cilën ai e anashkaloi, dhe që ka lënë pasoja social-ekonomike të pariparueshme, por ai la të kuptohej se zbulimi në Shpirag, ende i pa publikuar nga kompania Shell, ishte më i rëndësishëm se sa miliona ton naftë ose sa miliarda Euro vidhen dhe shkatërrohen pa mëshirë nga kompanitë konҫesionare në vendburimet ekzistuese të naftës dhe ky dikaster ka përgjegjësinë kryesore për të gjitha këto.

Në këtë intevistë të gjatë ai shpjegoi historikun e punimeve të kërkimit dhe punën e grupit studimor në periudhën para 30 viteve në zonën Shpirag-Sqepur-Plashnik dhe situacionin e vendosjes puseve, ndarjen e territorit ton në blloqe kërkimi në tokë dhe zonën e shelfit detar, rezultatet e kërkimit, historinë e zbulimit naftës nga kompania Italiane në Drashovicë, Kuҫovë, Patos-Marinës dhe atë pas ҫlirimit në Shqipëri. Na tregoi “sekretin magjik” të numurit “shtatë” që mban pusi Sqepur-7 dhe “është numër me fat, në zbulimin e naftës” – gjë që nuk është argument shkencor, është thjeshtë një prej barcaletave popullore të fatit, që tregohen jo nga një shkencëtar, por në një bisedë kafeneje, nga ndonjë amator jo i profesionit. Shoqëria Italiane AIPA vërtetë e zbuloi vendburimin e Kuҫovës, shpoi disa puse dhe siguroi një sipërfaqe për shfrytëzim, po ashtu dhe në Patos, shpoi pranë daljes në sipërfaqe të ranorëve bituminoz dhe ndoqi atë rezultat deri në Marinës, por konturimi dhe zhvillimi i këtij pellgu naftë-gaz mbajtës deri në Kolonjë-Bubullim të Lushnjës apo në lindje dhe perëndim deri pranë qytetit Fierit, si dhe në atë të Kuҫovës me Gjirin e Fermës apo atë të Arrëzës dhe më në veri deri në Pekisht-Murriz ose vendburimet e zbuluara në strukturat karbonatike, Visokë, Gorisht-Kocul, Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Amonicë, Delvinë, etj., dhe ato të gazit natyror në Ultësirën Pranë Adriatike (UPA) nga Durrësi në Divjakë, në Povelҫë, Frakullë dhe Panaja në jug, janë tërësisht kontribut i Institututit Gjeologjik dhe specialistëve shqiptar.

Megjithatë, këto pak rëndësi kanë. Ai shpjegoi se në këtë konҫesion kanë punuar disa kompani dhe tani e kontrollon 100% kompania Shell. Na “qetësoi pa masë” për këtë zbulim dhe na garantoi kur tha se . . . “Bacë u krye . . . tani nuk flasim më kemi naftë, s’kemi naftë” . . . “idea është jo sa kemi, po sa shumë kemi” . . . , shkurt Shteti Shqiptar do ketë “fitime kolosale” se vendburimi do jetë shumë i madh! Pra, së shpejti sipas tij, do kemi një “lubi në truallinë tonë”! – por fakti është se deri tani me puset e shpuar nuk ka ndonjë gjë të sigurtë mbi shtrirjen e këtij zbulimi, sepse rezultatet pozitive janë të lokalizuara në një sipërfaqe të vogël rreth puseve Shpiragu-1, 2, 4, që ndodhen pranë pusit Sqepuri-7. Ky pus është projektuar nga Instituti Gjeologjik, nga grupi studimit ku ai ka qënë bashkautor.

Në intervistën tuaj pranuat se zbulimi është bërë në 2001 nga kompania OXY me pusin Shpiragu-1 dhe kompania Shell deklaroi zbulimin me pusin Shpiragu-2, në vitin 2013. Nuk po merret vesh e vërteta se në 2013, k/ministri tek sonda e shpimit Shpiragu-2 tha se është zbuluar një “det i madh me naftë”. . . , në Hollandë tha se . . . “presim me padurim një lajm të mirë”. . . , ndërsa për zbulimin ministrja tha . . . , “ky është një fakt” . . . , bile ajo shtoi se zbulimi “do të pasohet nga një investim i rëndësishëm, rreth 6-7 miliard euro”, . . . , kurse ju thoni se kompania deklaroi zbulimin dhe tani po punohet të dimë “sa shumë kemi”. . . , por edhe tjetrën se “në pusin Shpiragu-5 priten rezultate të mira”! Shumë abstrakte, po na thoni të vërtetën, është zbuluara apo jo? Mos vallë kjo është një propagandë politike e Qeverisë për të mashtruar popullin mbi keq-qeverisjen dhe dështimin e plotë me naftën dhe ju si zëdhënës i saj luani të njëjtën melodi? N.q.se këto pohime do të ishin të dhëna gjeologjike, në një rajon perspektiv, një grup specialistësh sado i kualifikuar do e kishte të vështirë të projektonte një pus. Këto nuk po i kuptojmë ne që u plakëm në naftë dhe jo më populli, por me sa duket, Shelli nuk po e konkretizon dot zbulimin dhe këtë “rezultat” Qeveria e përsëritë herë pas here sipas konjukturave apo interesave të saj që në këtë rast i duhej k/ministrit të joshte Hollandën se po pritej një lajm i mirë nga kompania saj “për të festuar jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin!”

Tani, nga intervista e stërzgjatur e ekspertit Dhima, nuk dëgjuam asnjë analizë konkrete me shifra konkrete si në aspektin teknik për të dhënat gjeologjike, përmasat e strukturës, që është vendburimi i pritshëm, parametrat e rezervuarit për sa i përket vetive kolektore të tij, si poroziteti dhe përshkueshmëria – që janë ndër parametrat bazë për llogaritjen e rezervave të vendburimit – gjë që do të ishte një informacion i nevojshëm për ta krahasuar me atë në vendburimet ekzistuese, si dhe një qëndrim i sinqertë dhe transparent për publikun që është aq kurioz në këtë tymnajë propagandistike, politike dhe me plotë demagogji!

Pse nuk e bënë “eksperti” këtë?! Nuk i ka këto të dhëna?!!, nuk është e përfshirë në kontratë, që të gjitha rezultatet e studimit prej palës konҫesionare t`i dorëzohen palës tjetër, asaj shtetërore?! Apo nuk i ka bërë këto studime kompania konҫesionare?! – dhe po të jetë kështu, kjo e fundit, atëherë do të vihej në dyshim vetë serioziteti, reputacioni, dhe emri apo autenticiteti i kompanisë gjigande Shell!!! E pra kush është e vërteta?! Pse nuk prononcohesh o ekspert? Eh, ja kjo tregon lojën që po bëhet, falsitetin, mungesën e transparencës, dhe manovrimin pelivanllëk politik të ekspertit. Gjithashtu në këtë intervistë të stërzgjatur nuk del e thënë troҫ e me transparencë se sa investim është hedhur deri tani në objektin e Shpiragut, gjë që është aqë e domosdoshme të dihet nga publiku, sepse në bazë të parashikimit të rezervave, (që siҫ e thamë më sipër nuk thuhet ndonjë shifër, – por vetëm përmëndet shprehja fallxhore: “pyetja është se sa shumë kemi!”, e kujt ja kërkoni këtë se sa shumë kemi???!!! – tamam lojë fjalësh!) dhe shpenzimeve vlerësohet vendburimi. – E pra duke ditur se sa është shpenzuar për periudhën prej 21 vjetësh angazhim (viti 2001 – pusi i parë) me këtë objekt kërkimi, dhe duke ditur se sa rezerva ka aty, atëherë diferenca midis vlerës monetare të rezervave të nxjerrshme dhe shpenzimeve totale do të jepte përfitimin në këtë vendburim. E gjithashtu do të dilte e qartë ideja se sa vite do duheshin për të paguar një herë shpenzimet e konҫesionarit dhe pastaj të fillonte shteti, pala shqiptare, të merrte fitimin e vetë!

Le të fokusohemi tek përmasat e zbulimit dhe parametrat e marëveshjes hidrokarbure, duke e krahasuar këtë edhe me ato në konҫesionet e vendburimeve ekzistuese! “Eksperti” deklaroi se deri tani me këto 3 puse, Shpiragu-1, 2, 4, është zbuluar një kat naftëgazmbajtës rreth 800 m, por pritet të jetë më i madh.

Atëherë, me cilin pus do vërtetohet kontakti naftë-ujë apo me pusin Shpiragu-5? Po qe se ky pus nuk e kap atë për arsye të ndryshme; del negativ ose ndërpret shpimin për arsye teknike ose del jashtë strukture ose mund të takoj ndonjë element strukturor tjetër, etj. Në kërkim jemi, gjeologjia ka të papritura, sidomos në zonat me tektonikë të zhvilluar dhe mbihypje të mëdha. Specialistët e institutit kishin eksperiencë mbi këtë model gjeologjik, por prapë rezultatet nuk ishin mjaftë të kënaqëshme. E kemi hasur këtë model, më shumë se një herë. Rezultati i pusit të parë na ka entuziazmuar, por pas shpimeve të tjera suksesi nuk ishte ai që pritej. Sipas intervistës së z. Dhima, kjo strukturë nga të dy palët paraqitet nën një mbihypje të madhe dhe po u vërtetua modeli me blloqe, ҫdo parashikim do ndryshoj. Atëherë, a janë të mjaftueshme kaq të dhëna gjeologjike-kantierale për të gjykuar mbi përhapjen e zbulimit, rezervat e nafës, gazit, mënyrën e përpunimit tyre, efektivitetin ekonomik, parashikimin e investimeve tjera, etj.? Ne themi se jo dhe Shelli, n.q.se është hasur me probleme të tilla, nuk duhet të nxitohet në vendimet e tij për të kënaqur epshet e kësaj politike që i ka dal boja me kohë. Prandaj ajo po tregohet e matur në deklarimet zyrtare dhe ja ka lënë politikës interpretimin e rezultateve për të shantazhuar publikun si të doj. Pra, ky entuziazëm rreth këtij zbulimi, etj., n.q.se është i vërtet, na duket i parakohëshëm.

Pak ditë më parë një prej specialistëve të vendburimeve shkruante se . . . “Nga eksperienca jonë e kërkimit, vërehet se vendburimet më të mëdha të zbuluara deri më sot në gëlqerorët e zonës tektonike Jonike janë vetëm dy, prandaj dhe struktura e Shpiragut mendoj se mund të jetë me të njëjtat përmasa si ato, por me rezerva shumë herë më të vogëla se ato që vjedh kompania Bankers Petroleum dhe hajdutët pas saj në pellgun naftëmbajtës Patos-Marinës-Kuҫovë” . . . . (I. Tushe). Për më shumë mund të lexoni në linkun: https://telegraf.al/aktualitet/flet-inxh-isuf-tushe-eksperti-i-ish-institutin-gjeologjik-te-naftes-fier-shteti-shqiptar-ka-deshtuar-me-investimet-e-huaja-ne-fushen-e-kerkimit/

Nga studimet tona, në këto dy vendburime karbonatike, ka rezultuar se sasia rezervave që mund të nxirret në sejcilin prej tyre nuk i kalon 100 milion barrela, prandaj me këtë pritëshmëri kompania Shell nuk duhet të jetë shumë e kënaqur. Ana tjetër, kanë kaluar 21 vjet nga rezultati në pusin Shpiragu-1 dhe deri tani janë shpuar 4 puse dhe është në shpim një tjetër. Kjo fletë se kostua e punimeve duhet të jetë jashtëzakonisht e lartë dhe Shelli po eci me këtë ritëm deri sa ta vërë këtë zbulim në shfrytëzim të plotë i duhen disa dekada, prandaj sot për sot le të kënaqemi vetëm me “Stazhin e Partisë” që filloi Shqipëria për në Bashkimin Europian (BE).

N.q.se Shelli do kënaqet me rezultatet e zbulimit, d.m.th nuk do kthej majat nga thëmbrat, do planifikoj investime tjera kapitale që do jenë marramëndëse.

Tani, le të bëjmë analizën tonë të këtij vendburimi të pritshëm, thjeshtë nisur nga analogjia me vendburimet ekzistuese, si dhe nga ato deklarime shpenzimesh në këtë objekt kërkimi, për të bërë një vlerësim sa më afër realitetit dhe sa më larg falsifikimeve e demagogjive politike propagandistike.

Megjithëse nuk kemi informacion teknik për përmasat e strukturës, prapë se prapë, për të dhënë një ide për këtë objekt të pritshëm ne mund të marrim një vendburim me rezerva të nxjerrshme rreth 100 milionë barrela (siҫ deklarohet pak më lart) që me një ҫmim rreth $100/barreli do të rezultonte një e ardhur totale bruto prej 10 miliard dollar apo EURO. Duke patur parasysh deklarimin nga Ministrja Balluku se ky zbulim do shoqërohet me një investim tjetër rreth 6-7 milliard Euro për të vazhduar më tej, dhe atë që mund të jetë investuar deri tani – na rezulton fitimi i barabartë pothuajse me shpenzimet! Atëherë ku është gjigandi Shpirag?! Sa kohë do të duhej që këto shpenzime të merren nga kompania, dhe a do të mbetet ndonjë kacidhe për shtetin, pra për vendin tone?! Kjo ishte sa për një ide, që të kupëtohen hiperbolizimet dhe mburrjet pa hesap për arritjet dhe pritëshmërinë e ndritur të këtij vendburimi. E vërteta do të dali po të tregohen të vërtetë dhe transparent këta zyrtarët tanë që i kanë këto të dhëna, por i fshehin. Dhe fshehja e të dhënave, për të mashtruar popullin, është një shkelje e kushtetutës, është krim.

Nga kjo analiza jonë e thjeshtë e mësipërme del një konkluzion tjetër i rëndësishëm se: Kërkimi i hidrokarbureve në strukturat e reja me kompanitë e huaja konҫesionare nuk ka leverdi ekonomike, sepse ato kanë kosto shumë të lartë dhe periudha e kërkimit deri në vënien e zbulimit në shfrytëzim është shumë e gjatë, pa llogaritur këtu faktin që vendburimi nuk është i shtetit por i konҫesionarit dhe në vend të merret fitimi nga shteti – merret nga konҫesionari. Prandaj alternativa e vetëme mbetet pronësia e tyre shtetërore nën administrimin e Albpetrolit!

Në intervistën e tij z. Dhima lidhur me marëveshjet hidrokarbure theksoi se . . . “Marëveshjet që neve kemi bërë janë marëveshje shumë të mira, . . . Janë marëveshje . . . të standartit ndërkombëtar, kështu operohet gjithë andej” . . . Atëherë, si ka mundësi që ne kemi dështuar me këto marëveshje në vendburimet ekzistuese? – sepse shteti nuk merr tatimin mbi fitimin. Por marëveshjet paskëshin probleme që janë të rëndësishme, sepse lidhen pikërisht me paaftësinë profesionale dhe mungesën e kualifikimit të specialistëve militant në institucionet dhe qeveritë e korruptuara, prandaj për ne që në fillim ato ishin të dështuara. . . . “Një problem është që të jemi kështu transparent . . . . në këto raste këto lloj marëveshjesh kërkojn një kualifikim dhe një profesionalizëm shumë të lart në monitorim, në ndjekjen e tyre” . . . Mirëpo nuk është e lehtë të marrësh fitim nga kompanitë konҫesionare në një vend ku lulëzon korrupsioni, sepse në ato marëveshje kompanitë kanë futur atë, koefiҫentin “R”, i cili është i rrezikshëm dhe të fik derën. Realisht ky ka brenda një tjetër “r”, që kompanitë e sjellin me vehte bashk me “specialistët” përkatës, që kur fillojnë punën. Aty futen vjedhjet dhe manipulimi i investimeve dhe shpenzimeve tjera, por tek ne ku politikanët tan qeverisin me “duar të pastërta” ai do bëhet “R” = “R”+”r” dhe Shelli nuk do derdhi asnjë EURO në arkën e shtetit. Lind pyetja si ja bënë bota se kështu operohet gjithë andej? Bota e ka zgjidhur se, s’ka qeveri të korruptuara si tek ne! Jo vetëm kaq, por tek ne edhe hallkat e tjera të administratës shtetërore si Axhensia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Albpetroli dhe deri tek doganat, nga ku eksportohet nafta, janë mbushur plotë me militant hajdutë, që janë të pa aftë në detyrë dhe tepër të korruptueshëm. Prandaj me këtë keq-qeverisje, shteti do marri vetëm Royalty Tax, rreth 2% të prodhimit naftës, ku edhe ky nuk është i sakët sepse do të manipulohet, njëlloj si në vendburimet ekzistuese. Ku shteti nuk vjel tatimin mbi fitimin nga nafta që nxirret prej tyre, ku nuk bëhen investime kapitale por vetëm shpenzime minimale operative, sepse kompanitë raportojnë zyrtarisht se “punojnë me humbje”, atëherë ta harrojm se mund të marrim fitim nga zbulimi Shellit në Shpirag. Kjo situatë do vazhdojë deri sa shteti të veproi dhe jo të vjedhi vetë fitimin bashkë me konҫesionarët, prandaj premtimet e Qeverisë dhe politikës për të festuar ne bashkë me rajonin janë vetëm mashtrimi i radhës.

Tani, le të japim gjithashtu opinionin tonë në lidhje me gabimin që është bërë në dhënien me konҫesion të këtij blloku – objekti Shpiragut.

Pak histori:

Kujtuam se ishim bashkëluftëtar, jo në luftën për ҫlirimin e Shqipërisë nga pushtimi nazi-fashist, sepse atë e bënë baballarët tanë dhe e fituan, por në 1997-98’, në grupin e specialistëve të Institutit Naftës, që ishin kundër privatizimit të saj në tërësi dhe për vendburimin Patos-Marinës, që e kishte dhënë me konҫesion tek kompania “Premier Oil” Sali Berisha në vitin 1994. A ju kujtohet kur ky grup nën drejtimin tuaj z. Dhima, si Drejtor i ish-Institutit Naftës, në atë kohë, u takua me z. Ylli Bufi, Ministër i Energjitikës, pikërisht në zyrën tuaj, ku për të diskutuar mbi vendburimet ekzistuese ishte caktuar z. Isuf Tushe? Po kur ai sapo filloi të diskutonte z. Bufi e ndërpreu dhe i la detyrë Drejtorit Albpetrolit, të ndjerit Gjergji Kërri, që ta thërriste në një takim të veҫantë për të diskutuar rreth problemit të vendburimeve? – takim i cili nuk u realizua kurrë, dhe më pas diskutimet vazhduan, sa për të kaluar rradhën, vetëm me kërkimet në zonat e reja, për forcimin e Albpetrolit, si pronar i ligjëshëm i pasurive natyrore dhe për rolin e Institutit Naftës, si drejtues shkencor mbi gjithë aktivitetin në Industrinë e Naftës. Në atë kohë ju të linit përshtypjen sikur ishit dakort me mendimet e grupit. Po ju pse se pyetët më z. Tushe se ҫfarë u bë me detyrën që la ministri? Pse nuk u interesuat më që ministri, ti kthente përgjigje grupit të specialistëve mbi diskutimet në atë takim? Këto lan një shije të keqe midis nesh, sepse edhe Partia Socialiste (PS) do të vazhdonte në rrugën që kishte mbushur me hajdutë Sali Berisha në Industrinë e Naftës.

Blloqet e reja të kërkimit:

Lidhur me blloqet e kërkimit në tokë ju në këtë intervistë deklaruat se . . . “2-shi dhe 3-shin i ka kompania Shell dhe 4-rën e ka marr kompania Shell dhe tek blloku i Dumresë, që e quajm ne Dumrea, është nënshkruar marëveshja vitin e kaluar me kompaninë Italiane ENI . . . , sepse kjo zona e Dumresë, po ti referohemi atyre hartave dhe atyre studimeve që neve kemi, konsiderohet si vazhdimi i Shpiragut . . . unë besoj . . . por shpresoj që të konkretizohet edhe aty . . . , sepse dhe pusi që kemi shpuar neve . . . me të dhënat gjeologjike që na ka dhënë është shumë premtues” . . . Blloqet 2, 3, 4 të kërkimit në tokë, por dhe blloku 5, që nuk e përmëndët ju, z. Dhima, dikur janë lënë nën pronësi të Kompanisë Shtetërore Albpetrol bashkë me vendburimet ekzistuese të naftës. Ato ishin mbuluar me punime sizmike digitale dhe studime gjeologo-gjeofizike, disa ishin në kërkim me puse dhe në të tjerët ishin projektuar puse kërkimi. Pra, në këto ishte në aktivitet Alpetroli. Në këto blloqe ishin përgatitur për shpim, struktura e Sqepurit me zonën për rreth saj, Papërit, Dumresë, Velҫës dhe Bodartit. Siҫ deklaroni ju, në atë të Sqepur-Shpiragut kemi një zbulim të ri, në atë të Dumresë ishte pusi në shpim dhe pranë tavanit të gëlqerorëve, po ashtu dhe në atë të Velҫës, ndërsa në dy të tjerat puset kishin rënë jashtë strukture dhe po përgatitej me studime plotësuese për tu ngritur në kategori kërkimi. Atëherë, pse këto struktura ju hoqën kompanisë Albpetrol dhe u bënë objekt tenderimi disa herë me kompanitë e huaja dhe sot pas 32 vitesh, me përjashtim të Sqepur-Shpiagut, situata e punimeve të kërkimit në to ende s’ka filluar? Në kushtet që kompania Shell është përfshirë në kërkim-zhvillimin e zbulimit të Shpiragut dhe do disa dekada për ta konkretizuar atë, pse Qeveria dhe Ministria i zgjeruan asaj aktivitetin edhe në strukturën e Bodartit? Pse kompanitë e kërkimit lidhin marëveshje hidrokarbure me shtetin për këto shtruktura dhe në blloqe të tjera kërkimi dhe nuk kryejnë aktivitet, por i mbajnë ato të bllokuara ca kohë dhe pastaj largohen? Marëveshjet hidrokarbure kanë afate për ҫdo aktivitet punimesh për kërkim, a kontrollohet zbatimi afatit nga AKBN dhe Drejtoria Hidrokarbureve dhe në rast shkeljesh pse nuk janë bërë penalizime? Mos vallë këto kompani bashkë me politikanët dhe qeveritarët e korruptuar i përdorin këto marëveshje për pastrim parash dhe pasi arrijnë qëllimin e tyre ato largohen? Apo, mos vallë vetë Qeveria ka interes që të mos kryhen punime kërkimi dhe të zbulohen rezerva të reja, sepse prishen pazaret midis grupeve të biznesit ku bëhet korrupsion?

Ja pra, këto janë shkeljet në dhënien e blloqeve të kërkimit, siҫ ishte dhe objekti i Shpiragut, ku strukturat apo objektet e kërkimit ishin pothuajse gati për të kaluar në fazën përfundimtare të kërkim-zbulimit, që ishin studimet, modelet, eksperienca, sepse specialistët tanë e kishin treguar vehten se kishin zbuluar vetë gjithë ato vendburime hidrokarburesh. Këtu mbase mund të pritej edhe disa vite sa të merrte vehten Industria Naftës dhe shteti (sigurishtë duke mos lejuar shkatërrimet), dhe ndoshta jo 30 vite, siҫ po ndodh në të vërtetë, por më pak dhe sot do të ishim në një situatë tjetër, ku këto objekte do të ishin të paktën në dorën e shtetit, të popullit dhe në perspektivë këto vendburime do ti mbetëshin shtetit, dhe jo të huajve.

Historia e dhimbëshme vazhdon:

Ju, z. Stavri keni përdorur një eksperiencë të gabuar në dhënien me konҫesion të vendburimeve ekzistuese të naftës. Shëmbull klasik është ai i pellgut Patos-Marinës-Kuҫovë, etj., prandaj ato janë katandisur në atë gjëndje të mjerueshme, dhe ju nuk i përmëndët fare. Kështu ju si “ekspert”, nga Drejtor i Institutit Naftës, hypët më lart në detyrë, në Ministri, se atje të donte partia, por pse tradhëtove naftëtarët dhe mbështete privatizimin e aseteve në Industrinë e Naftës? Në 2005, pasi ishte larguar kompania “Premier Oil”, qeveria juaj i fali me konҫesion vendburimin më të madh në Europë, Patos-Marinës, kompanisë të sapo krijuar me hajdutë të zgjedhur nga jashtë dhe brenda vendit nga klasa politike dhe Qeveria, e cila nuk kishte kapital investues dhe as eksperiencë. Atëherë, pse ju mbështetët vendimin e Qeverisë, kur e dinit mirë se ai ishte kundër kolegëve tuaj dhe naftëtarëve për privatizimin? Ju si “ekspert” dhe Drejtor Hidrokarburesh me siguri jeni marrë ose njohur me kontratat dhe termat e tyre të manipuluara, atëherë pse nuk i kundërshtuat por i miratuat ato? Ato i përgatiti Qeveria Nano dhe kanë dështuar plotësisht, kurse ju deklaroni prapë se ato janë më të mirat. Ku është e mira e tyre, kur ekonomia nuk përfiton gjë nga nafta e vetë? Kompania Bankers Petroleum në pellgun Patos-Marinës-Kuҫovë dhe ato në vendburimet e tjera, nxjerrin deri 1.5 milion ton naftë/vit, më shumë se sa prodhohej në periudhën para vitit 1990 dhe shteti merr vetëm një lëmoshë rreth 2% Royalty Tax, mbi prodhimin që raportojnë kompanitë sipas qejfit tyre. A e dini ju se kjo taks, në SHBA, etj., është 12.5% dhe si e miratuat ju me Qeveritë që të vjeli kaq pak arka e shtetit?

E njëjta histori shkeljesh vazhdoi po ashtu në dhënien me konҫesion të vendburimeve ekzistuese: Visokë, Gorisht-Kocul, Amonicë, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, etj., si dhe u përsëritë prapë në ecuri me ri-dhënien e disave prej tyre po me konҫesion në vitin 2017.

Me rënien e qeverisë Nano në 2005, ju ishit prapë në atë pozicion, se atje të donte partia tjetër, kur qeveria Berisha-Meta në 2007 i fali vendburimet e tjera me konҫesion, me të njëjtën tip kontrate, tek kompani konҫesionare fantazëm, pa eksperiencë dhe pa kapital investues. Katër prej tyre ja fali oligarkut të saj, partnerit të deputetes Albana Vokshi, Arian Tartari, sepse e motra saj punonte pranë tij. Ai nuk ishte inxhinier nafte, por peshkoi grekun Sotirios Kapotas dhe bashkë krijuan kompaninë fantazëm “Stream Oil and Gas”. Për të humbur gjurmët e transferuan atë në Kanada. Pasi i shfrytëzuan ato barbarisht deri në shterim, pa bërë asnjë investim dhe pa paguar detyrimet shtetit, i shitën. Si ndiheni ju, moralisht si specialist, kur të gjitha kompanitë raportojnë se “punojnë me humbje” për t’ju shmangur detyrimeve ndaj shtetit? A e pranoni ju se nafta jonë del me humbje?! K/ministri Rama, kur PS ishte në opozitë dhe në 2013 në Qeveri, ai me të drejtë deklaronte se, kontratat në naftë kanë dështuar, shteti nuk përfiton prej tyre, por vetëm kompanitë konҫesionare, premtoi se do i anullonte ato dhe do ri-shtetëzonte vendburimet. Nuk bëri asgjë! Në 2017, pas shumë dallavereve me to, 3 nga këto 4 vendburime, për shkelje në kontratë, i rishtetëzoi Albpetroli dhe i shfrytëzonte për hesap të tij. Kujtuam se qeveria po mbante premtimet mbi ri-shtetëzimin. Nuk zgjati shumë dhe Ministri i përfolur për korrupsion, Damian Gjiknuri, i dha ato prapë me konҫesion tek oligarkët e tij, me të njëjtën tip kontrate. Ato u futën menjëherë në lojë, si gjithë kompanitë e tjera, që raportojnë se “punojnë me humbje” dhe nuk paguajn detyrimet në shtet. Si ka mundësi që këto kompani, pa bërë investime kapitale, “punojnë me humbje”, dërgojn para jashtë Shqipërisë dhe aksionet e tyre rriten në bursë? Ku i gjejnë ato parat? Si mendoni ju si “specialist”, apo si ish-drejtues ekonomie në atë dikaster, a ka korrupsion në naftë dhe kush janë të përfshirë në të?

Krijimi AKBN-së në Tiranë, shkatërrimi dhe mbyllja Institutit Naftës në Fier

Sali Berisha në vitin 2006 formoi AKBN-në dhe pak muaj më vonë, në 2007, mbylli përfundimisht Institutin e Naftës, i cili ishte krenaria e asaj industrie. Ju keni qënë Sekretari Byrosë Partisë së Institutit, në funksionin më të rëndësishëm dhe më vonë, Drejtor Instituti. Ju e dini mirë se ajo qëndër shkencore është ngritur në nivelin e shkencës botërore me mundin, me sakrificat e specialistëve dhe me parat e popullit, ndërsa kjo Qeveri e shkatërroi me një vendim, sepse konsiderohej si ҫerdhe militantësh komunist (n.q.se ishte kështu, ju ishit në krye të saj, ishte kundër privatizimit të naftës dhe pengesë për politikën që të shkatërronte dhe vidhte këtë pasuri natyrore. Ju z. Dhima si u ndiet me këtë vendim kaq të rëndë dhe cili ishte mendimi juaj? Ju e dini se pas vitit 90’ paketat me të dhënat për vendburimet dhe blloqet e kërkimit i përgatitën specialistët e Institutit Naftës, ndërsa ju në këtë intervistë i bëtë elozhe pa fund AKBN-së, si institucion me “specialistë të përgatitur” në të gjitha fushatë. AKBN-ja është një fole hajdutësh, një hallkë e tepërt midis Albpetrolit dhe Ministrisë e mbushur me militant partish të rëndomtë, që donin vende pune pranë qëndrës banimit në Tiranë. Ajo u ngrit me qëllim për të manipuluar kontratat në favor të kompanive konҫesionare të pasurive natyrore dhe për të fshehur si “aksioner” pas tyre hajdutët e politikës dhe qeverive të të gjitha ngjyrave.

Atëherë, si ka mundësi që nga AKBN-ja ka punonjës të arrestuar dhe nën hetim nga SPAK-u për korrupsion, që kanë abuzuar me kontratat në favor të kompanive konҫesionare dhe në dëm të shtetit, i cili ka humbur gjithë pasuritë e tij natyrore duke mos fituar gjë prej tyre dhe të drejtën ligjore për të ndërhyrë kur është e nevojshme? Çfarë lloj kontratash janë ato kur shteti i fal pasuritë konҫesionarit, ai bënë ҫfarë do me to dhe raporton se “punon me humbje”, ndërkohë vazhdojn punën normalisht? Sa të aftë janë specialistët e AKBN-së për të kontrolluar zbatimin e termave të një kontrate, mbi aplikimin e proҫeseve teknologjike sipas afateve, investimet në punimet kapitale apo operative, koston e tyre, shkeljet ligjore dhe abuzimet deri tek faturat e shpenzimeve, pasojat negative që vërehen nga shfrytëzimi i sforcuar i vendburimeve, ndotjen e ambientit, detyrimet mbi taksat dhe fitimin, import-eksportet, etj.? N.q.se ata janë të aftë, siҫ deklaroni ju, atëherë pse ka kaq shumë abuzime teknike-financiare, etj., nga kompanitë? – kur dihet që me këto, ato shmangin taksat, detyrimet dhe vjedhin gjithë fitimin kurse shteti nuk vjel gjë nga pasuria e tij! Këto shkelje dhe raportimi zyrtar i tyre se po “punojnë me humbje” a janë argumenta të mjaftueshme që AKBN-ja dhe Albpetroli ligjërisht ti pezullojn atyre aktivitetin dhe të ri-shtetëzojn vendburimet pa penalizim? Cili është mendimi juaj si “ekspert” në se këto kompani konҫesionare kanë falimentuar apo jo dhe në rast se po, pse nuk zbatohet ligji mbi falimentimin dhe të ri-shtetëzohen ato? Pse lejohet shfrytëzimi i tyre pa fitim?! – kur mund të kursehen dhe përdoren në një kohë tjetër kur janë efiҫente. A dini ju ndonjë rast të tillë në botë? Specialistë të aftë për këto probleme kishte ish-Instituti Naftës dhe Albpetroli. Pse kompania Albpetrol është lënë në gjëndje të mjerueshme, e mbushur me njërëz partiak jo profesionist, matrapaz, të korruptuar, ku drejtorët ndërrohen shpesh dhe njëri është më i paaftë se tjetri, si dhe të gjithë emërohen nga i njëjti klan mafioz partiak? – Ai është kthyer në kompani punësimi për militant që sigurojnë vota, i jep tendera dhe konҫesione oligarkëve të Qeverisë që blejnë vota në zgjedhjet elektorale apo lokale. Kështu ai është përdorur për 30 vjet.

Falja e Shelfit Detar

Një ҫështje e nxehtë dhe e koklavitur, për qëllime politike, është pazari që po bëhet me kufirin e shelfit detar midis nesh dhe shtetit Grek, ku Ministria Energjitikës sigurisht ka pjesën e saj. Ju theksuat se . . . “Në det neve kemi bërë kërkime, janë bërë kryesisht nga kompanitë e huaja . . . , janë vërtetuar shënja naftëmbajtëse në disa nga puset e shpuar, por nuk është konkretizuar ndonjë vendburim, ndonjë zbulim sikurse është p.sh në rastin e Shpiragut” . . . Pyetjes së gazetares se . . . “Ku është kontrolluar në det, në ҫa zone”?, ju u përgjigjet se . . . “Gjithë deti që nga kufirit me Malin e Zi deri në kufirin me Greqin dhe në kufirin me Italinë” . . . , folët mbi perpektivën e kësaj zone dhe për gjithë shelfin detar, duke lënë të kuptohet se ai është jo shumë perpektivë. Vërtet në zonën e shelfit detar janë shpuar disa puse të rrallë kërkimi në sipërfaqe të ndryshme dhe rezultatet ato janë, por nga eksperienca jonë në kërkime, jo ҫdo vendburim është zbuluara me pusin e parë, jemi rikthyer disa herë deri sa e kemi zbuluar, siҫ e thoni edhe vetë ju, disa me “pusin e shtatë” – me “numurin fatit”. Po ashtu, sipërfaqa midis nesh dhe shtetit Grek, me sa dimë ne, nuk është kontrolluar akoma me puse dhe për më tepër jo më kot ajo është bërë mollë sherri për kufirin, pikërisht sepse fqinji ynë në afërsi të saj ka kryer punime sizmike, studime dhe e vlerëson atë me interes për kërkim. Pastaj shelfi detar është pjesë e platformës, e cila aq sa me interes është për kërkime hidrokarburesh, po aq e vështirë është të zbulosh hidrokarbure, sepse kërkon tjetër metodikë kërkimi. Atëherë, mos vallë ju, me deklaratën tuaj, mbështetëni qeveritë që duan ti falin ca hektar sipërfaqe nga shelfi detar Greqisë?

Pozicioni gjeotektonik i vendit ton në trekëndëshin Itali-Shqipëri-Greqi, e bënë atë të favorshëm për kërkimin e rezervave të reja hidrokarbure, në tokë dhe në det. Kjo lidhet me kontaktin tektonik midis zonës rrudhosur me Platformën Apuliane ose siç quhet Pllaka Tektonike e Adriatikut, e cila maskohet nga depozitimet Neogjenike të Ultësirës Pranë Adriatike (UPA), ku ne kemi zbuluar rezerva të mëdha gazi. Në vazhdimin juglindor gjatë këtij kontakti, Greqia ka zbuluar vendburime gazi dhe nafte. Prandaj, ajo po insiston fortë që të fitoj padrejtësisht sa më shumë sipërfaqe nga territori ynë, kurse Qeveria jonë bënë pazare me qeverinë Greke në këmbim të statusit ton për në Bashkimin Evropian (BE). Prandaj ju si ish-specialist dhe drejtues në dikasterin e Ministrisë duhet të ishit më i kujdesëshëm në mendimet tuaja, për probleme që nuk i njihni fare, sepse politika i shfrytëzon për qëllimet e saj, aq më tepër kur ju e vlerësoni atë si zonë pa interesë.

Për Uzinën e Përpunimit Thellë të Naftës (UPTHN):

Na bëri shumë përshtypje qëndrimi juaj në atë intervistë për Uzinën e Përpunimit Thellë të Naftës (UPTHN) në qytetin e Ballshit, ku deklaruat se . . . “Rafineria jonë është një teknologji Kineze e viteve 70” . . . , po ajo në 1978 është vënë në punë, dhe ndërtimi saj nuk zgjati 8 vjet! Ju besoj se e dini se ajo ishte teknologji bashkëkohore, e përshtatur pikërisht për naftat e vendburimeve tona dhe kishte kapacitet të lartë përpunimi. Sipas specialistëve të fushës që kanë punuar në atë uzinë, ajo prodhonte një mori nënproduktesh dhe një pjesë ishin të certifikuara nga BE, por ju s`e përmendët këtë fakt dhe theksuat se . . . “por gjithëmonë është leverdia ekonomike” . . . , ndërsa specialistët s`e pranojn këtë, ata kanë deklaruar se ajo punonte me fitim. Atëherë kush janë më të besuar, specialistët apo ju? – Me siguri ata! Shumica mendojnë se ajo ishte një varr i hapur për klanet mafioze të lidhur me Qeverinë që nuk ju interesonte vënia e saj në punë, sepse tek uzina kishte “pronarë” të fshehur, qeveritar, politikan dhe oligark, që ju interesonte ta ҫonin atë për skarp dhe të ndaninë parat midis tyre. Klani tjetër mafioz, janë politikan pranë k/ministrit të fshehur pas biznesit të importit të karburantëve dhe nuk i interesonte vënia e uzinës në punë, por shkatërrimi saj. Ndërsa klani tjetër mafioz janë qeveritarët dhe politikanët që fshihen pas konҫesioneve në vendburimet e naftës. Ata nuk kishin interes që t’ja shisnin naftën bruto uzinës, por ta eksportojnë atë nëpërmjet doganave të korruptuara. Në këto kushte zgjidhja e vetme që kërkonin të tre këto klane ishte shkatërrimi uzinës dhe k/ministri i kënaqi të 3 këto klane mafiozësh. Këta fituan, por ata që humbën ishin punonjësit e uzinës, naftëtarët, qyteti i Ballshit, ekonomia, populli dhe Shqipëria. Kurse ju thoni se . . . “Nuk kam këtë mendim” . . . Prandaj z. Stavri qëndrimi juaj ishte në mbështetje të plotë të vendimit të gabuar të k/ministrit Rama dhe është përgjegjës për shkatërrimin e kësaj vepre strategjike kombëtare. N.q.se ajo ishte teknologji e vjetër me një dorë para kthehej në një teknologji të re, por të ndërtosh një tjetër duhen miliona Euro apo më shumë. Mendimi juaj se kompanitë konҫesionare e shesin naftën ku të duan është i gabuar. Kompanitë prodhuese, në botë, nuk e tregtojnë vetë naftën, por ja shesin atë kryesisht kompanive tregëtare shtetërore sipas kontratës që kanë midis tyre për sasinë dhe ҫmimin. Ato pasi furnizojnë uzinat e vendit me naftë bruto, tepricën e eksportojn. Çdo shtet nuk ka interes të tregtojë naftë bruto si lëndë e parë, por të përpunuar, sepse merr vlerën e shtuar të saj. Pra UPTHN-në e shkatërroi korrupsioni shtetëror dhe jo teknologjia e vjetër. Në botë ka uzina mbi 100 vjeҫare, ku shteti investon dhe i rikuperon (upgrade) ato me teknologji të re.

Për TAP-in:

I dëgjuam intervistat me ideatorët e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), të cilët janë specialistë Shqiptar që punojnë me projekte të BE dhe na bënë ne këtë dhuratë, që ky magjistral të kaloj nëpër Shqipëri dhe nëpër Detin Adriatik të shkoj në Itali. Shqipëria nuk është anëtare e BE, prandaj duhet të kishte benefite, siҫ janë tranzit fee, dalje gazi dhe merr sasi gazi, por vendi ynë nuk po përfiton asgjë. Ata ishin të kënaqur me gadishmërinë që kishit treguar ju dhe z. Pajtim Bello për këtë bashkëpunim. Këtu s’ka shumë vend për entuziazëm sepse thjeshtë ju përcollët projektin e tyre tek eprorët tuaj. Kjo i përkiste institucionit tuaj, por detyra juaj nuk duhet të mbaronte me kaq. Ju duhet ta ndiqnit atë deri në finale, që ishin negociatat për benefitet që do të merrte Shqipëria, sepse nëpër teritorin e saj do kolonte një tubacion gazi i fuqishëm mbi 200 km i gjatë. Mirëpo grupit mafioz, ministri E. Haxhinasto dhe shefi tij Ilir Meta, nuk i pranuan ideatorët për diskutimin e benefiteve, por bashkë me kompaninë e gazit i përjashtuan ata dhe futën në lojë SHKUESIN e tyre të korruptuar, i cili ja hoqi ato Shqipërisë dhe i ndan bashkë midis tyre dhe me kompaninë e gazit ato benifite, kurse Shqipëria përfundoi viktimë, e vjedhur.

Bisedimet për këtë projekt janë të herëshme qysh me Qeverinë Nano, por miratimi i tij me benefitet u bë nga qeveria Berisha-Meta, pak ditë para zgjedhjeve të 2013-tës, ku fitoi PS dhe projekti nuk kishte filluar akoma nga zbatimi. Prandaj ju z. Dhima, si i dashuri i të dy partive, duhet të insistonit që negociatorët të mos ndryshoheshin deri në fund ose të paktën të informoje shefin tënd të ri për këtë situatë. Shqipëria humbi benefitet, që me siguri i përfitojnë balozët e korrupsionit, Berisha-Meta-Nasto-SHKUESI, të cilët mund të fshihen si “aksioner” pas kompanisë TAP. Kjo është miopi profesionale ose servilizëm ose . . . ! Ju në intervistë deklaruat se . . . “Ne kemi përfitime kolosale nga TAP-i” . . . , por më tej ato qënkan reduktuar vetëm me blerjen e tokës . . . “tokën ai e ka paguar me flori . . . ҫdo fshatar ka marr lekët për tokën që ka marrë TAP-i dhe ҫdo komunë dhe ҫdo bashki në atë kohë ka marr lekët për tokën publike që është vënë në përdorim të TAP-it” . . . , kompania ka blerë tokën ku kalon tubacioni privatëve apo shtetit me flori. Jo, këto nuk janë benefite, këtu përfitojnë qiranë ose parat e shitjes pronarët e tokës, por jo shteti, as ekonomia, kurse po të kishte benefite ato sipas ideatorëve të projektit ishin miliona Euro në buxhetin e shtetit, do kishte dy dalje gazi nga magjistrali dhe sot gazi do ishte në përdorim gjërësisht në ekonomi apo për përdorim familiar. Këto benefite do ishin më të mëdha në të ardhmen, sepse sasia e gazit do të dyfishohet. Lidhur me këto benefite k/ministri Rama kur mori pushtetin bëri një propagandë të madhe për përfitimet nga projekti TAP, por shumë më vonë, kur e pa se në kontratë nuk kishte gjë, për të ri-negociuar me kompaninë e gazit dërgoi simbolin e korrupsionit Damian Gjiknuri, por ky s`e kishte hapur fare këtë problem sepse negociatat sipas tij ishin mbyllur. Mos vallë ky futi vehten e tij në grupin e aksionerëve?! – ka shumë mundësi. Prandaj z. Dhima deklarata juaj ishte një mashtrim – se gjoja Shqipëria merr benefite, por përfitimi nga TAP-i ishte se u hapën vetëm ca vende pune për roje tubacioni.

Shkeljet e bëra nga Dikasteri juaj në Ministri për faljen e të dhënave dhe studimeve të kryera nga specialistët e Institutit Naftës Fier kompanive konҫesionare.

Është stërshkruar se Shpiragu është interpretim i specialistëve tanë . . . “pak rëndësi ka në se Shelli shpon në të njëjtin vend ku janë projektuar puset nga Instituti Gjeologjik apo rreth tyre? Shelli ka në dorë dhe po përdor studimet tona gjeologjike për këtë zonë, që janë një kapital shumë i ҫmuar, që përmbajnë të dhëna gjeologjike, harta, profile, konkluzione, rekomandime, diskutimet e specialistëve, etj., këto kushtojn shumë . . . Në këto studime Shelli e ka ҫdo gjë gati dhe e vendos pusin ku të doj” . . . (I. Tushe, koment). Pra, kompanitë OXY, Shell, etj., pavarësisht se mund të kënë bërë studime, siҫ deklaroi z. Dhima, ato i përdorën falas studimet tona, e gjetën të përgatitur strukturën me punime sizmike, studime gjeologo-gjeofizike, me puse të projektuar dhe nuk vërehet ndonjë ndryshim esencial nga interpretimet tona.

Lind pyetja pse nuk ju shitën por ju falën studimet apo të dhënat kompanive konҫesionare? – kur të gjithë e dimë se ato janë eksperienca dhe puna jonë disa vjeҫare që i kanë kushtuar ekonomisë qimet e kokës. Shelli apo të tjerat nuk kishin para ti blenin ato? – apo ne jemi shoqëri bamirëse me kompanitë e naftës. A e dini ju z. Dhima se studimet gjeologjike kompanitë, pasi sigurojn kontratën, duhet ti bëjnë vetë? dhe në rast se duan studimet tona, punimet sizmike ose të dhëna për rajonin, të dhënat e shpimit, kampionet, testimit, prodhimit, matjet kantierale, analizat e ndryshme, etj., duhet ti blejn sepse nuk kanë ku ti gjejnë dhe në ekonominë e tregut ҫdo gjë është biznes dhe jo bamirësi! Këto nuk kushtojnë as $100 apo $200 mijë, por disa miliona dollar! A e dini ju se ka informacione që “specialist” matarapaz të Axhensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore – AKBN i kanë shitur gjithëҫka kompanive konҫesionare me para në dorë për të mbushur xhepat e tyre ose në këmbim për një vend pune? që është në kundërshtim me ligjin! A e dini ju se kompanitë këtë informacion e përpunojn dhe bëjnë biznes për llogari të tyre? A e dini ju që në rast se ato, për arsye të ndryshme, largohen dhe këto të dhëna mund ti përdorin për biznes ndaj kompanive që interesohen për të ardhur tek ne? – bile në këtë rast mund të luajn rol negativ, i largojn ato. Ka raste që tek ne kanë ardhur disa kompani të huaja, kanë lidh marëveshje me shtetin për kërkim-shfrytëzim hidrokarburesh, ju i keni falur gjithë të dhënat, studimet dhe më pas ato e kanë pezulluar atë dhe janë larguar pa kryer punime. Në këto raste ҫfarë ndodh me këtë informacion? – ato e siguruan falas atë dhe mund ta përdorin për biznes. Në ҫdo vend të dhënat gjeologjike janë sekrete dhe pronë e kompanisë shtetërore ose private. Kjo e fundit, ҫdo të dhënë ose studim, i dërgon një kopje kompanisë shtetërore dhe vetëm këto kanë të drejtë ligjore për t’ja shitur kompanive të tjera, por me kontratë që ato ti përdorin për vehte dhe të ruajnë sekretin.

Në naftë ka disa kompani që kanë ngritur biznesin e tyre mbi shitëblerje të dhënash apo studimesh dhe i sigurojn ato në mënyra të ndryshme. Kompanitë konҫesionare janë ndër më grabitqaret e pasurive natyrore dhe nuk të falin penin! Ato duhet të paguajn edhe rentën e tokës për sipërfaqen ku kryejn aktivitet, të cilën e vjel pronari i saj, shteti ose privati, për aq kohë sa e përdor atë. Kompania Shell, etj., a e paguajn atë? Ju duhet ti dinit mirë këto ligje dhe nuk duhet ti lejonit dhe ti denonconit abuzuesit e tyre! Bile paketën prezantuese me të dhëna të selektuara, ҫdo kompani që merr pjesë në tender për një konҫesion, e blenë atë. Mirëpo qeveritarët tanë i kanë hequr br***t për kompanitë konҫesionare, ju luten që ato të vijnë të investojnë tek ne dhe këtë e bpune. Prandaj falja e studimeve me preteksin se . . . “është në parimin ton që ai që vjenë ti japim të gjitha studimet, sepse ne e thërrasim që të dali dhe nuk e thërrasim që të vijë dhe të iki pa gjë” . . . Kjo përbën vepër penale, prandaj nuk duhet ta kishit lejuar ose ligjëruar në dikasterin tuaj. Bët mjaft elozhe për “Belulin dhe Belulët e tjerë” në atë drejtori, për punën tuaj atje që e kishit dhuratë nga partitë politike dhe jo nga zotësia juaj profesionale. Në këtë intervistë ju treguat fytyrën e vërtetë të Shtetit Shqiptar në këto vite “democraci”, që si resto po merr nga kompanitë konҫesionare të pasurive natyrore, zero fitim dhe vetëm vjedhjen dhe shkatërimin e tyre.

Si përmbledhje e këtij refleksioni!

(Në përgjigje të intervistës së zëdhënësit të Qeverive Shqipëtare për faljen me konҫesion të vendburimeve ekzistuese hidrokarbure për shfrytëzim, kërkim-shfrytëzimin e tyre në zonat e reja, dhe disa rekomandime për të ardhmen)!

– Zgjidhja e vetme e problemit të kërkimeve është që ato të kryhen nga kompania shtetërore Albpetrol. Fillimisht të ri-shtetëzohen gjithë vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit që të sigurohet baza monetare për të investuar në ngritjen e Industrisë Naftës dhe për kërkimin në zonat e reja. Prandaj ajo duhet kompletuar me specialist me eksperiencë dhe të ngrihet Instituti Naftës nën administrimin e saj ose Ministrisë Energjitike, i cili të drejtoi gjithë aktivitetin shkencor në naftë.

Kalimi aktivitetit kërkimeve tek Kompania Shtetërore Albpetrol ka shumë avantazhe:

– Aktivitetin e kërkimit e kryen në kohë më të shurtër se sa kompanitë e huaja konҫesionare.

– Përdor specialistët tanë të cilët kanë eksperiencë të gjatë pune në shpimin e puseve dhe në përpunimin e vendburimeve të naftës në vendin tonë.

– Ne përdorim tjetër metodikë kërkimi në zbulimet e reja, kërkim-zbulim-shfrytëzim, që ndryshon nga ajo e kompanive të huaja konҫesionare. Ne zbulimin e ri e kalojmë në shfrytëzim qysh me pusin e parë. Të ardhurat që merren, përdoren për zhvillimin dhe përgatitjen e tij për shfrytëzim.

– Kompanitë e huaja përdorin metodikën kërkim-zbulim-vlerësim-shfytëzim, në rast se arrihet niveli i fitimit të planifikuar, por në këtë rast koha për të vënë zbulimin e ri në shfrytëzim është shumë e gjatë, në të kundërtën ato largohen.

– Kosto e punimeve në kompanitë e huaja, nga faza e kërkim-zbulimit deri në vënien e zbulimit të ri në shfrytëzim është disa herë më e lart se ajo e kompanisë shtetërore.

– Kosto e punimeve operative dhe shfrytëzimit nga kompanitë e huaja është disa herë me lart se ajo e kompanisë shtetërore.

– Kompania shtetërore të gjithë fitimin nga prodhimi i hidrokarbureve e fut në buxhetin e shtetit, ndërsa nga kompanitë e huaja shteti përfiton më pak se gjysma e tij, pa llogaritur këtu abuzimet në zmadhimin e shpenzimeve . . . !

– Kompanitë e huaja nuk e pranojnë kriterin e shfrytëzimit optimal sepse në plan të parë kanë fitimin dhe kjo ҫon në shkatërrimin e vendburimeve, kjo nuk ndodh me kompaninë shtetërore.

– Mundësia për abuzime dhe korrupsion me kompanitë e huaja është e pashmangëshme, ndërsa me kompaninë shtetërore gjërat janë më të kontrolluara dhe mënjanohet penalizimi në arbitrazhe.

– Nëpërmjet kompanisë shtetërore, në raste krizash, shteti zgjidh shumë probleme social-ekonomike të popullit, kjo është e pa mundur me kompanitë e huaja, etj., etj.

Me këto marëveshje hidrokarbure, Industrinë e Naftës në tërësi bashkë me pasuritë natyrore hidrokarbure, në këto 32 vite “demokraci”, kjo kupolë politike dhe qeverisjet që janë gjeneruar prej saj e kanë përdorur për tu pasuruar dhe e kanë futur atë në errësirë ku nuanca e ngjyrës ka ardhur drejt rritjes nga qeveria e parë e Berishës tek qeveria Rama sot dhe ajo ndodhet tërësisht jashtë kontrollit, në erresirë të plotë. Fatkeqësisht pjesë e kësaj errësire është edhe dikasteri ku një pjesë e specialistëve kanë punuar për një kohë të gjatë, Ministria Energjitikës dhe gjithë hallkat e tjera që varen prej saj, jo si specialist apo ekspert për hidrokarburet, por si militant në mbështetje të politikës, majtas dhe djathtas, të cilët ajo i përdor mirë për qëllimet e saj.

Intervistën e plotë të z. Stavri Dhima mund ta ndiqni në linkun më poshtë: https://www.gazetatema.net/ekonomia/ne-shqiperi-ndodhet-vendburimi-me-i-madh-i-naftes-ne-europe-zberthehet–i347892

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shënuar rënie numri i të spitalizuarve me Covid-19 në…