Nga zënka deri tek sulmi me granatë dore në Prishtinë
Një shpërthim ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në Rrugën “Shaban Shala” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prishtinës Agron Borovci tha për Express se policia dyshon që mjeti shpërthyes ishte granatë dore.
“Dyshohet që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore dhe të jetë hedhur nga një person në drejtim të disa personave të tjerë pas një konflikti të çastit mes tyre”, tha Borovci.
Ai tregoi se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale dhe nuk është raportuar ndonjë person i lënduar.
Borovci tha se policia arrestoi dy persona.
“Policia ka identifikuar disa nga personat që dyshohet të jenë involvuar në këtë ngjarje. Dy nga këta persona janë arrestuar nga ana e policisë dhe ndaj tyre është iniciuar procedura hetimore”, tha Borovci.
Policia është duke ndërmarrë veprime hetimore për ta ndriçuar rastin.