
Nga zëri i një dhome të përgjakur në zërin e auditorëve të Parisit
Nga Astrit Gashi
Më 21 prill 1999, në një dhomë të ftohtë në Çikatovë të Re, mbi trupin e një fëmije të vrarë, një djalosh 17-vjeçar, i mbuluar me gjak, luante jetën me vdekjen. Emri i tij është Esat Bylykbashi. Historia e tij, rrëfimi i tij, nuk është thjesht një kujtim, është një plagë që flet, një dëshmi që klith në ndërgjegjen tonë.
Sot, ai është profesor, me tituj akademikë dhe këshilltar, një figurë e respektuar në fushën e teknologjisë informative në Francë. Esati mban çmimin Palmes Académiques, një ndër çmimet më të rëndësishme të akademisë franceze. Por, para se të ngjitej në tribunat akademike të Parisit, ai u përplas me ferrin që mbërtheu Drenicën dhe humbi vëllain e tij, Nehatin, vetëm 14 vjeç.
Ishte ora 19:00 e 21 prillit 1999, kur pesë paramilitarë serbë hynë në shtëpinë ku ishin strehuar mbi 50 civilë shqiptarë. Asnjë paralajmërim. Asnjë mëshirë. Vetëm urrejtje e mishëruar në krisma dhe britma.
Esati dhe Nehati, dy vëllezër që kërkonin strehë, u përplasën me bishat. Ata u tërhoqën në një dhomë, u goditën, u maltretuan dhe më pas u qëlluan. Esati mori plumbin në këmbë, pastaj në trup, më pas në shputën e majtë. Ndërsa ishte shtrirë në një pellg gjaku, vëllai i tij ra mbi të, i vrarë. “Gjaku im i shkoi vëllait në duar,” do të shkruante më vonë në ditarin e mbijetesës. Fjalë që rëndojnë si gur varri mbi ndërgjegjen njerëzore.
Ai nuk lëvizi. Simuloi vdekjen. E dinte: çdo frymëmarrje e dukshme mund të ishte fundi.
Në atë errësirë, një fëmijë tetëmuajsh u vu në shënjestër. Njëri nga paramilitarët ngriti armën dhe thirri “UÇK!”, duke e kthyer ironinë në shënjestër të pafajësisë. Por edhe britmat e fëmijëve, edhe heshtja e botës, nuk i ndaluan ata.
Në atë skenë që edhe vetë ferri do ta përbuzej, qëndronte edhe Flora, halla e Esatit. E përkulur nga dhimbja, por jo nga frika. E palodhshme, ajo refuzoi të largohej pa nipin e saj. E tërhoqi nga vdekja. E nxori nga kasaphana. E mbarti nëpër netët më të errëta të Kosovës.
Me plagë që çelnin për çdo kilometër, Esati u bart nga fshati në fshat: Verbofc, Terdec, Brod, Luboten. Mjekë, infermierë, njerëz të zakonshëm si dr. Gani Halilaj,dr. Fadil Beka, dr.Fitim Selimi,dr.Abdullah Gruda dhe Xhevdet Kastrati, e mbanin gjallë me aq sa mundnin. Me qerre, përmes maleve të Sharrit, pa anestezi, pa shpresë, vetëm me forcën e një trupi që nuk dorëzohej.
Më 12 qershor, në Tetovë, ai u shtrua në spital. Më 18 qershor, një organizatë franceze (SAMU) e pa dhe e shpëtoi. Më 21 qershor, mbërriti në Francë, me babanë e tij, Xhevatin, ndërsa halla Flora u kthye në Drenicën që i kishte marrë gjithçka.
Tre operacione. Mijëra orë rikuperimi. Por asnjë çast dorëzimi. Në Francë, Esati nuk zgjodhi të heshtë. Ai mësoi gjuhën e dijes, jo për t’u larguar nga e kaluara, por për ta dëshmuar më mirë. Sot, ai është një emër i respektuar në botën akademike dhe teknologjike. Një zë i fuqishëm për të vërtetën. Një kujtesë e gjallë që nuk i lejon plumbat të heshtin historinë.
Sot është përvjetori i rënies së Nehat Bylykbashit 14 vjeç, djaloshit që s’arriti të jetojë. I vrarë mizorisht para syve të nënës, motrës Valentinës (11), Adelinës (6), gjyshës Ajmane, hallës dhe vëllait të tij. Me duart që mbanin gjakun e të vëllait. Me sytë që kërkonin ende jetën. Ai nuk kishte armë, nuk kishte uniformë. Kishte vetëm zemrën e një fëmije dhe buzëqeshjen e pafajësisë.
E vranë në një dhomë që u bë varr. E vranë për të heshtur një popull. Por Nehati nuk u tret. Ai është kujtesa jonë. Është zëri që na bën të mos harrojmë. Është një gur i fortë në ndërgjegjen kombëtare që nuk do të lejojë më asnjë fëmijë të pësojë atë që ai pa në sy.
Dhe Esati, heroi i gjallë i një kombi që nuk u përkul, ecën përpara me plagët që flasin për vëllanë, për popullin, për të vërtetën. Në çdo tribunë, në çdo auditor, në çdo dëshmi, ai është vetë Kosova që flet dhe kerkon drejtesi!
Unë isha gjallë kur ma vranë vëllain – Dëshmia rrëqethëse e Esat Bylykbashit nga masakra e Çikatovës së Re: