Nga zgjedhjet në zgjedhje, ja pse?

21 shkurt 2025 | 14:40

Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Qeveri e pakicës apo e shumicës: Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve po qartësohet, kanë mbetur edhe votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe të diasporës për t’u kompletuar mozaiku dhe arkitektura institucionale e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Çka po flitet kuluareve, prej “burimeve të sigurta” nuk pasqyron gjendjen aktuale e më së paku të ardhmen. Rezultatet e sotme nuk i sigurojnë asnjë partie apo koalicioni shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Koalicionet e mëdha nuk i konvenojnë askujt. Pse? Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve nuk do që të qeverisë me askënd, ai do që të sundojë në një regjim ku LV-ja është epiqendra që vendosë për çdo gjë kurse “partnerët” janë satelitë që sillen rreth kësaj qendre si, “rreth dardhës së Ahmatit”. LDK-ja e ka provuar shpatën e LV-së që e ka çarë në dysh, njëra si LDK-ja e gjunjëzuar, tjetra si Guxo apo mizë kali e aziluar në prapanicën e Albin Kurtit. PDK-ja është kockë e fortë për t’u bluar nga “kasapi” Kurti prandaj as LV-ja nuk e dëshiron. Nëse eventualisht, qoftë LDK-ja apo PDK-ja bëhen satelitë në regjimin e Albin Kurtit mund ta kenë një fitore taktike por në planin strategjik do të humbasin shumë duke iu nënshtruar një klonimi kurtian e që do të shndërroheshin në fatonpeca, mimozakusara, haxhiqamila, agimbahtira, dimalbasha dhe “vlera” të tjera  “kombëtare”, politike dhe morale. Albin Kurti e do qeverinë e pakicës e jo të shumicës. Ja pse? Nëse siguron 61 deri 63 vota, pa zemlakun e Mimoza Kusarit, Kurti e formon një qeveri afatshkurtër, jo deri në prill të vitit 2026 por deri në vjeshtë të vitit 2025 kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale. Po dikush mund të thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme pa një konsensus me partitë tjera parlamentare. Mundet edhe mirë. Pak para zgjedhjeve lokale, Kurti ose jep dorëheqje ose e provokon një mocion për rrëzim të qeverisë dhe shkohet menjëherë në zgjedhje. Nuk ka asnjë mundësi që të pamundësohen këto akrobacione të Kurtit me të cilat mendon ta arrin qëllimin, “me një të rame, dy të vrame” duke e fituar shumicën absolute të pushtetit lokal dhe në nivel vendi. Ky është projekti kurtian për eliminimin politik të opozitës dhe përligjjen e një sistemi njëpartiak të tipit të Mongolisë. Projekti i Kurt Mihalit për dy palë zgjedhje në vjeshtë krijon disa lehtësi për Kurtin e të cilat nuk do t’i gëzonte nëse peshkon LDK-në apo PDK-në, si peshq të mëdhenj. E para, duke vonuar formimin e institucioneve nuk e dërgon Zajebnicën në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj nuk detyrohet ta zbatojë “Çernobilin politik” e që është Marrëveshja e Brukselit dhe bishti i Ohrit. Deri në kohën pas zgjedhjeve të vjeshtës do të kursehej nga Grenell, Trump dhe Mask në ndërkohë që mashtruesi dhe rrenci B.B. (bëhet fjalë për Besnik Bislimin e jo për Brizhit Bardon) do ta vazhdonte palaçllëkun e bisedimeve për normalizim. Deri në atë kohë “qeveria në eksil” do ta ushtronte mandatin duke e bërë punën që e di më së miri, e të bërit asgjë. Pastaj, zhvillimet rreth Ukrainës, Rripit të Gazës, Iranit dhe më vonë edhe Tajvanit fort i konvenojnë Albin Kurtit  sepse blenë kohë. Edhe protestat në Serbi janë në këtë funksion. Albin Kurtit i dihet kohë dhe ka shumë mundësi të blejë kohë. Nëse nuk siguron 61 vota për formim të qeverisë, betejën bllokuese e bënë në Kuvend, me mashën Dehari, deri në kohën kur atij i përshtatet. Për këtë arsye mendoj se opozita as që duhet të mendojë të formojë qeverinë, edhe nëse i krijohen mundësitë kurse, as në imagjinatën më të shëmtuar nuk duhet të mendojë të bëjë koalicionin me Kurtin sepse ai nuk e pranon bashkëqeverisjen, e do vetëm sundimin dhe nënshtrimin!  Nëse do që opozita të këndellet politikisht, një mini këndellje ka ndodhur në zgjedhjet e fundit, menjëherë duhet të punojë intensivisht në terren për zgjedhje lokale.  Fare nuk duhet të merret me Kurtin dhe LV-në. Albin Kurti e ka të qartë se në konstelacionin aktual të forcave politike nuk mund të llogarisë në një mandat të plotë prandaj dëshiron që në zgjedhjet eventuale të parakohshme në vjeshtë ta fitojë një mandat të plotë aq më parë që është në panik se mund të lirohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe pastaj do të këndohet një këngë tjetër. Rexhep Selimin e ka të vetin. Këto janë përparësitë në të cilën llogaritë Albin Kurti e që nuk do të thotë se do të jetësohen. Shumë apo kryekëput varet nga opozita.

Qeveria e pakicës: Sipas rezultateve aktuale, LV-ja edhe nëse i fiton 80 për qind të votave të panumëruara, maksimalisht mund t’i fitojë 50 mandate. Nëse diaspora nuk voton si më parë, LV-ja do t’i ketë 48 mandate. Rashiqi ka gjasa minimale ta fitojë një mandat por, ta zëmë nëse edhe e fiton, do të jetë një kontribut fare modest për formimin e qeverisë. Deputetët joserbë i kanë të garantuara 10 mandate sikur, besoj edhe Lista Serbe. Nëse Kurti e përjashton Listën Serbe, do të jetë shkatërruese për Mimoza Kusarin, Dejona Mihalin, Elpis Hoxhën dhe të tjerët. Shumë e dhimbshme do të jetë, traumatike me një fjalë.

Fatmir Limaj është një patriot i madh. Çdokush që e njeh apo e ka përcjell aktivitetin e tij politik e ka të qartë se ai kurrë nuk ka qenë i dhënë pas karrierës, posteve apo të mirave materiale. Ka qenë dhe është i përkushtuar vetëm për çështje kombëtare. Është si Hasan Prishtina, çdo gjë që e ka e shet për interesa kombëtare dhe për atdhe, nga Malisheva deri në Ballsh. Për këtë arsye edhe u sakrifikua për ndërtimin e një qeverie të qëndrueshme (si mund të ketë qeveri të qëndrueshme pa Fatmirin) me Albin Kurtin, kryeministër. Mediat nuk po e kuptojnë gatishmërinë e sakrifikimit të Fatmirit për çështje kombëtare prandaj padrejtësisht po e sulmojnë si argat të Kurtit. Fatmirit nuk i intereson asgjë përveç çështjes kombëtare, ku mund të gjejë patriotë si Kurti, Mihali, Kusari, Disha, të përcjellë nga, së paku 80 për qind e deputetëve. Opozita nuk është deklaruar për këtë rirreshtim të Fatmirit përveç Ramushit. Edhe Zafës. Opozita nuk duhet ta pengojë me asgjë formimin e qeverisë Kurti 3, Fatmiri nëse shkon te Albini do të bëhet xhoker i opozitës, do ta forcojë opozitën, do ta ulë Albinin dhe vet do të shndërrohet në fatonpec. Ramushi nuk ka arsye të zemërohet me Fatmirin, vet ia ka mundësuar këtë. Po të shkonte AAK-ja e vetme në zgjedhje, pa asnjë dyshim do t’i kishte së paku 8-10 deputetë. Ramushi i ka nëpërkëmbur votuesit e AAK-së, kuadrot që i dhanë AAK-së mundin dhe përvojën prandaj e fituan Fatmirin. Fatmiri, nëse bashkëdyzohet me Albinin kërkesën kryesore nuk do ta ketë ndonjë post me rëndësi por garantimin e Kurtit se do ia lë duart e lira mbi Malishevën. Nëse Amazona konsiderohet si mushkëri dhe oksigjen i botës, Malisheva është oksigjen politik dhe elektoral për Fatmir Limën. Pa Malishevën, Fatmir Limaj është i mbaruar dhe vdesë politikisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, komentoi shortin e Ligës së…