Ngadalësohet rritja ekonomike në Eurozonë

03 shkurt 2022 | 10:00

Ekonomia evropiane pati një ngadalësim të ndjeshëm gjatë fundit të vitit të kaluar, në një kohë kur rritja e infektimeve me Covid-19 të shkaktuara nga varianti Omicron përkeqësuan situatën e mungesës së furnizimeve dhe rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat sollën uljen e fuqinë blerëse të konsumatorëve.

Rezultati i gjithë kësaj panorame është një dimër ekonomik i pakënaqësisë që mund të mos largohet deri në fund të këtij viti.

Pjesa më e madhe e ngadalësimit ekonomik erdhi nga Gjermania, ku vështirësitë në furnizimin me lëndë të parë frenuan eksportet e industrisë së saj prodhuese. Franca, Spanja dhe Italia patën rritje më të madhe ekonomike.

Në 19 vendet që përdorin euron, rritja në tremujorin e fundit të vitit 2021 arriti në shifrën 0.3 për qind, ndërkohë, për krahasim, rritja ekonomike në tremujorin korrik-shtator ishte 2.2 për qind.

Rritja vjetore ishte 5.2 për qind, duke treguar që rimëkëmbja ekonomike nga pandemia në Evropë ka ecur më ngadalë se sa rimëkëmbja e Shteteve të Bashkuara, ku rritja ekonomike në vitin 2021 ishte 5.7 për qind. Sipas ekonomistëve, rritja e SHBA-së u nxit nga shpenzimet relativisht më të larta të paketave stimuluese federale, krahasuar me ato të qeverive të Evropës.

Bizneset kanë shfaqur më shumë elasticitet në trajtimin e valëve të njëpasnjëshme të pandemisë, duke bërë që Eurozona të mos bjerë në recesion dhe duke kufizuar papunësinë në nivelin e 7.2 për qind. Por, rritja e ngadaltë ekonomike ka ardhur bashkë me një inflacion të lartë, duke zhvlerësuar rritjen e pagave.

Europa po përballet gjithashtu edhe me pasiguri në lidhje me tensionet për grumbullimin e trupave nga Rusia në kufirin ukrainas, duke shtuar frikën e një pushtimi. Kjo frikë ka bërë që ҫmimi i gazit natyror në Evropë të vazhdojë të mbetet jashtëzakonisht i lartë, sepse Rusia është furnizuesi kryesor dhe rezervat nëntokësore të gazit janë të ulëta në të gjithë kontinentin. Deri më tani, Rusia thotë se ka përmbushur kontratat e saj afatgjata të furnizimit, ndërsa analistët spekulojnë se çdo sanksion i vendosur nga SHBA ose BE mund të synojë të shmangë shënjestrimin e drejtpërdrejtë të energjisë ruse. /Monitor.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se pas…