Ngannou: Më vodhën, por nuk kam ku ta apeloj vendimin, dua revanshin
Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë në artet marciale mikse (MMA), Francis Ngannou ka marrë vendim se nuk do ta apelojë humbjen që pësoi në duelin e 28 tetorit ndaj Tyson Fury, në duelin e boksit që ata zhvilluan në Riad të Arabisë Saudite. Një vendim i diskutueshëm,teksa dy gjyqtarë i dhanë fitoren Fury dhe një Ngannou.
Ngannou tronditi botën duke e rrëzuar Fury në raundin e tretë dhe më pas duke e marrë në distancë. Në fund të duelit, shumë besuan se Ngannou kishte bërë mjaft për të ngritur dorën e tij si fitues, por Fury mori fitoren, duke i lënë fansat të pretendonin se kamerunasi ishte grabitur.
Francis Ngannou, për “TMZ Sports”, tha: “Ku të apeloj? Te Komisioni Britanik i Boksit? Unë nuk kam asnjë shans. Unë mendoj se kjo është vetëm një mënyrë tjetër poshtërimi nëse apeloj, pasi nuk do të më japin fitoren”.
Kamerunasi synon një revansh me Fury dhe shpreson se Oleksandr Usyk mund të tolerojë për të lejuar që kjo sfidë e dytë mes tyre të ndodhë. “Ajo që dëshiroj më shumë është revanshi. Ndjej se ka më shumë opsione për mua pas këtij dueli, por dua të zgjedh me mençuri dhe do të shkoja fillimisht te revanshi”, tha Ngannou.
“Skenari im më i mirë në boks është të pres Fury. Nëse Usyk mund të dalë dhe të më lërë të luftoj Fury, unë do të luftoj Fury. Nëse nuk më lejojnë, ndoshta do të bëj ndonjë sfidë në MMA dhe do të kthehem për të boksuar sërish më vonë. Po planifikoj të luftoj dy herë vitin e ardhshëm, duke filluar nga shkurti ose marsi”, tha Ngannou.