NGASJE PËR POLEMIKË
“…Si tha parafolësi”
ADEM GASHI
Revista periodike “Akademia” e botuesit Armagedoni (Berat Daka), revistë që del një herë në katër muaj, është publikuar tashmë në gjashtë numra. Në tre numrat e fundit redaksia ka sjellë nga një intervistë me individualitete të ndryshme. Në numrin V është intervista me mua. Në numrin VI intervista me akademik Ali Aliun. Intervistat këtu, të shumtën, ndjekin një skemë me pothuajse të njëjtat pyetje për secilin. Si duket, i pashmangshëm interesimi i drejtuesit të bisedës për ASHAK-un.
Duke qenë edhe anëtar i redaksisë së “Akademisë” privohem nga e drejta të jap anamnezën e intervistës së akademikut, po jam në hall edhe me faktin se si t’i drejtohem. Këto vitet e demokracisë parlamentare na kanë dhënë një leksion se nuk e ke as të drejtën e replikës po nuk ta zuri tjetri ngoje emrin. Ai nuk ma përmendi pra emrin. Ai tha: “…Parafolësi im” (këtu edhe pikat e heshtjes janë të tija, që të mos më thotë se e kam shkëputur nga konteksti), që “ishte më zeusian, më bubullues…” (Aliu, Ali. “Akademia”, VI f. 21). E kujtoni këtë sloganin e Lidhjes (së Komunistëve)? Po të ishte për mirë thuhej: Si tha shoku N. N. Po, kur thuhej “Parafolësi”, pa identitet, prite munxën. Dhe munxa më erdhi.
Në këtë grackë më dolën mundësitë e kufizuara. Mund të thosha edhe unë thjesht “Si tha Pasfolësi”, po kam pretendime më të larta stilistike. Pastaj, duke qenë i “nderuar” me epitetet “zeusian” e bubullues”, duhej ruajtur niveli. Zgjodha këtë: Akademiku në kub, (ky “kubi” të mos lexohet si figurë gjeometrike, po si term i matematikës). Dhe i rri bukur ngaqë është anëtar i tri akademive (në Prishtinë, Shkup e Tiranë).
Po cila qe fjala ime që nxiti kaq mllef tek Akademiku në kub?
“Ndoshta pikiata më e tmerrshme e degradimit shënohet mu mbi kupolën e ASHAK-ut. Aty madje janë kaq të sheshta mbrapshtitë sa s’ka pse lodhet të argumentojë gjë njeriu. Lër mënjanë shkencën e kulturën aty, pa shih dhe moralin. Një kryetar i rizgjedhur me precedent vjedhjeje të buxhetit të shtetit. Lëre se u bëmë gaz i botës para të tjerëve, po ç’do t’u themi nesër fëmijëve tanë? Në këtë plan nuk ka alibi shfajësimi asnjë instancë shtetërore e shoqërore, asnjë formacion sado i thjeshtë kulturor, madje asnjë individ me dy fije mend”. (“Akademia”, V. F. 56). Shto edhe këtë fjali: “Thashë diçka më lart për të. Po m’u kërkua me çdo kusht të shtoj gjë duhet të qëmtoj fjalë të pista nga Fjalori i Shqipes”. (Po aty, f. 58).
Ja sesi e “lexon” Akademiku në kub:
“…Parafolësi im në përgjigjen tuaj ishte më zeusian, më bubullues: thirri në ndihmë fjalorin për t’i gjetur fjalët më vulgare për të na e bërë portretin… Të jetë përçartje përçudnuese poeti dhe prozatori, le të themi i mirë, siç thoni ju… Po kolegët e tij që nga fillimi: Mekuli, Pashku, Bokshi, Podrimja, Hamiti, Basha, Rrahmani, Kraja, meritojnë t’ua hedhë gjithë atë vrer? Shihu në pasqyrë, do t’i thosha, kur je esëll, po munde: mos do të dukeshe pak larg të qenit pranë tyre?” (Aliu, Ali. “Akademia”, VI f. 21).
Shihni more, “…Parafolësi im në përgjigjen tuaj…”! Në përgjigjen e kujt? Mos deshi të thotë në pyetjen tuaj!? Lëreni, të mos bëhemi cikërrimtarë! Po ku i gjeti “fjalët më vulgare” tek unë? Po e mori për të tillë togfjalëshin “precedent vjedhjeje” unë e përudh ta lexojë vendimin e formës së prerë të gjyqësorit më të lartë të Kosovës për veprimin e kryetarit të ASHAK-ut, atëbotë Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Dhe tani formulimi i tij më i bukur, ashtu siç di një Akademik në kub, duke i mbyllur gjithnjë fjalitë me tri pika: “… Të jetë përçartje përçudnuese poeti dhe prozatori, le të themi i mirë, siç thoni ju…”. Pas dilemës dhe hutimit të Akademikut në kub, për gjendjen time, që bie e natyrës psikologjike dhe shpirtërore, duket sikur bën një lëshim taktik para këmbënguljes së drejtuesit të bisedës: “le të themi i mirë, siç thoni ju…”. E pra, Akademiku në kub, gjatë gjithë intervistës, duke folur për letërsinë shqipe këtu jo se nuk ma zuri ngoje emrin, po e vuri si duket në file ose arkë të përemrit të pakufishëm ETJ. Ç’flas dhe ç’kërkoj edhe unë!? Po ai e bëri të paqenë në letërsinë tonë edhe akademikun Rexhep Qosja; profesorin, poetin e studiuesin Agim Vinca; shkrimtarin me aq potencë e prodhim letrar, Ymer Shkrelin; Dr. Bajram Krasniqin, Hajdar Salihun, Arif Demollin, Ramadan Musliun, Rexhep Murtez Shalën, Veli Karahodën, Tahir Deskun e sa e sa të tjerë. I fshiu si me gomë. Unë prapë e kuptoj se, si Akademik në kub që është, duhej rezervuar një vend përfaqësues për të bijën, Lindita Aliun, me një libërth poetik. E kuptoj sërish pikën e dobët prej prindi, po nuk e kuptoj si Akademik në kub. E kuptoj se stina e pleqërisë edhe sjell harresën, sklerozën e senilitetin (në portat e kësaj stine po trokas ngadalë edhe unë), po më bie konsiderata përdhe kur shoh se në gurrën e krijimtarisë së tij nuk janë më muzat e bukura, po eumenidet e ndjekjes, të urrejtjes, të hakmarrjes, të inatit e të smirës. Sa desha që së paku ndonjë mendim të tij ta lexoja si këshillë prej urtaku! Po, mund të lexohet si këshillë ky formulim: “Shihu në pasqyrë, do t’i thosha, kur je esëll, po munde”!?
Po i përgjigjem ndryshe. Dakord. Akademiku në kub, le ta kujtojë pra faktin se ç’vlerësim nënshkroi në Panairin kombëtar të librit “Fieri 2014” për vëllimin tim poetik “Kthimi i pamundur, Lady”: “ME MOTIVACIONIN: ‘Për frymën e një poezie humane, të një brishtësie lirike, që vjen me një poetikë të përveçme, si varg dhe fjalë që dëshmon se vatrat e ligjërimit të poezisë shqipe janë të pashtershme edhe në shekullin e ri”. (Nasho Jorgaqi, Ali Aliu, Behar Gjoka). Ky libër, po atë vit qe nderuar edhe me çmimin “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” nga Ministria e kulturës, rinisë dhe sportit e Kosovës. Mirë more, prandaj jam në arkën “ETJ.” të Akademikut në kub.
E kishim tek ASHAK-u. U tha, ç’u tha, po ç’tha ai vetë?
“Po më pyetni ç’bëjmë ne në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Që në fillim dua t’ju them fare shkurtimisht që bëjmë edhe ne ca punë të mira… Por, megjithatë, dëshiroj një ndërhyrje, ose thënë ndryshe një digresion. Si mund të jetë një institucion… ose në këtë rast një akademi ndryshe nga ç’është Prishtina, Kosova” (Aliu, Ali. Rev. “Akademia” V, faqe 20) dhe këtu pastaj ia hap kapakun Kutisë së Pandorës para të cilave konstatimet e mia për ASHAK-un janë lule parajse.
Tabloja e ASHAK-t përplotësohet edhe më shumë po t’i shtojmë edhe konstatimet e kolegut të tij: “Po, është e vërtetë se në Akademi kanë hyrë njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty… Brenda Akademisë janë formuar grupe interesi, klane, banda, quani si të doni… edhe në këtë sjellje rrethore primitivizmash do të duhej të kishte një minimum morali: nuk mund të bëhet anëtar Akademie dikush që ka botuar vetëm një libër dhe vetem disertacionin para 30 vjetësh, pastaj në krah të tij vjen një manipulator tjetër nga fusha e shkencave shoqërore, pastaj dikush që nuk ka bërë asgjë…” (Kraja. Mehmet, Rev “Akademia”, IV faqe 43).
Se mos thashë unë gjë më të tmerrshme për ASHAK-un. Këtë mund ta dijë vetëm Akademiku në kub.
Nuk është tani këtu vendi të mbledh konstatimet e gjithë atyre çfarë thanë për ASHAK-n, për botimin “Kosova, vështrim monografik” (2011) dhe as për “Fjalori enciklopedik i Kosovës” (2018), e megjithatë, nuk kam si ta shmang një analizë për punën e Akademisë, raporti «KRIZA NË AKADEMI», është hartuar nga Shkëlzen Gashi, botuar nga INTEGRA, financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) që menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Këtë analizë mund ta lexoni në vjegëzën:
https://fakteplus.net/kriza-ne-akademine-e-shkencave-dhe-arteve-te-kosoves/
Në vend të përfundimit më vjen e më ngulitet si gozhdë në vetëdije pikëpyetje: Vërtet, ç’deshi e ç’pati me “Parafolësin… më zeusian e më bubullues” Akademiku në kub? Përse nuk reagoi kur duhej, po iu deshën katër muaj? E lëmë, punë e tij!
Intervistat tashmë janë botuar si libër më vete me titullin “Individualitete” nga Armagedoni (Berat Daka), Prishtinë 2019.
Në orët e vona të natës kanë zënë të më faniten mjegullnaja akademike si ngasje për polemikë. Ndoshta, ngaqë në rininë e hershme i doja shumë aventurat e Hidalgos Fytyrëvrerosur, fatthëna po m’i sjell përballjet e reja.
Rreth një shekull më parë, shkrimtari çek Karel Çapek, shkroi diçka interesante: “Dymbëdhjetë figura të luftës me penë, ose Doracak të polemikës me shkrim”. Ka dyzetë vjet që e kam lexuar unë në një gjuhë të huaj dhe e kam goxha të gjallë në kujtesë, por ju siguroj se nuk kam nevojë ta përfill asnjë nga figurat e Çapekut. Mjaftohem me armët e mia si Davidi.
_________________
Prishtinë, shtator 2019