Ngecin negociatat për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Knezheviç dhe Mandiç refuzuan ofertën e re të Spajiçit
As raundi i ri i negociatave i të premtes për shpërndarjen e pushtetit për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi, në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Evropa Tani – fituesit e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit – dhe koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – nuk dha rezultat.
Kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, në prani të liderit të demokratëve, Aleksa Beçiç, siç raporton media malazeze “Pobjeda”, i ofroi një “paketë të re” koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG)”, ku përfshihet një post i zëvendëskryeministrit për investimet kapitale dhe departamentet e arsimit, sportit, rinisë dhe turizmit.
Paraprakisht, Spajiç ua kishte ofruar Ministrinë e Integrimeve Evropiane Milan Knezheviç-it dhe Andrija Mandiç-it, por në ofertën e re ky departament nuk përmendet fare, pasi që pasi që është premtuar nismës qytetare kroate.
Krahas ofertës për ekzekutivin, Spajiç i ofroi edhe dy poste të nënkryetarëve në Kuvendin malazez.
Por, kjo ofertë e re ishte absolutisht e papranueshme për përfaqësuesit e koalicionit ZBCG, sepse sipas tyre bie ndesh me parimet e ofruara nga Spajiç-i dhe ka të bëjë me ndarjen proporcionale të ministrive.
Mandiç dhe Knezheviç kanë kërkuar pozitën e Kryetarit të Kuvendit dhe ministri në qeverinë e ardhshme, përkatësisht atë të Transportit dhe të Energjisë, por lideri i Evropa Tani nuk është pajtuar me këtë.
“Në takimin me Evropa Tani dhe Demokratët e Malit të Zi kemi kërkuar tre herë më pak se sa na takon. Kërkonim kryetarin e Kuvendit dhe dy ministri. Ne nuk do të pajtohemi me poshtërimin”, ka thënë Knezheviç për “Pobjedan”.
Ndryshe, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, të hënën do të fillojë konsultimet për dhënien e mandatit për përbërjen e qeverisë së re në Cetinje.
Siç raportojnë mediat malazeze, eksperti financiar, njëherit drejtuesi i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, do të jetë i pari që do të shkojë tek presidenti Milatoviç.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.
Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – ish partia e Milo Gjukanoviç-it – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 15.
Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksa Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.
Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.