Ngërçi me naftësjellësin në Kanada, qeveria e Trudeau e blen për ta përfunduar
Qeveria federale e Kanadasë lajmëroi se do të blejë naftësjellësin problematik, që shkon nga rërat bituminoze të provincës së Albertës deri në Paqësor, për t’u siguruar se ai do të ndërtohet.
Qeveria e Justin Trudeau planifikon që të shpenzojë 3.45 miliardë dollarë që të blejë naftësjellësin “Kinder Morgan”, që kalon përmes maleve. Përfundimi i këtij projekti trefishon kapacitetin e naftësjellësit ekzistues.
Naftësjellësi i ri përfundon në një terminal jashtë Vankuverit, në provincën e Kolumbias Britanike, dhe rezulton në shtatëfishimin e anijeve naftëmbajtëse në këtë zonë, që mbrohet tej mase nga ambientalistët.
Këta të fundit dhe grupet indigjene e kanë kundërshtuar shumë ashpër projektin.
Kompania “Kinder Morgan” pezulloi ndërtimin, pasi kërkonte garanci nga qeveria qendrore dhe ato lokale.
Qeveria e Trudeau, me blerjen e projektit tregon vendosmëri për ndërtimin e tij, një plan që sipas saj do të ketë mjaft efekt në të ardhmen e vendit.
Kanadaja ka rezervat e treta më të mëdha të naftës në botë, por 99% e eksporteve të saj shkojnë në SHBA, ku rafinohen. Kufizimi i naftësjellësve bën që të nafta kanadeze të shitet me çmim të ulët.
Naftësjellësi i ri sjell 400 naftëmbajtëse në vit në port, nga 60 aktualisht, e shitjet më të lehta bëjnë që Kanadaja të ketë më shumë zë në çmimin e naftës. Por, projekti prej 1.000 kilometrash kundërshtohet ashpër nga indianët autoktonë, që janë të shqetësuar për pronat dhe vendet e tyre të shenjta, si dhe ambientalistët që thonë se dëmton rëndë natyrën.