Ngërçi në Kuvend | Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadë

27 prill 2025 | 20:52

Të dielën, tentativa e shtatë për konstituimin e Kuvendit dështoi përsëri. Propozimi i Vetëvendosjes për Kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk mori mjaftueshëm vota, duke vazhduar bllokimin e procesit.

Pavarësisht kërkesave për ndryshimin e kandidatit, VV-ja qëndroi me propozimin e njëjtë, duke i dhënë mundësinë Haxhiut të merrte mbështetje. Ajo arriti të sigurojë vetëm 57 vota pro, ndërsa 41 deputetë votuan kundër dhe 3 abstenuan, duke e bërë të pamundur zgjedhjen e saj si Kryeparlamentare. Seanca u mbajt me 109 deputetë të pranishëm në sallë.

Partitë opozitare, përfshirë PDK, LDK dhe AAK, akuzuan VV-në për përpjekje të qëllimshme për të bllokuar Kuvendin.

Hekuran Murati nga VV-ja theksoi se ata që po votojnë kundër janë përgjegjës për këtë situatë, ndërsa Albulena Haxhiu do të mbetet kandidat edhe në votimet e ardhshme.

PDK, përmes Memli Krasniqit, kërkoi që VV-ja të ndryshojë kandidatin e saj, duke theksuar se janë të gatshëm për zgjedhje të reja.

LDK, nga ana tjetër, i hodhi përgjegjësitë tek VV-ja, duke theksuar se nuk kanë mbështetje as për Haxhiun, as për ndonjë kandidat tjetër.

AAK-ja e akuzoi VV-në se po vazhdon të pengojë gjithë procesin, pasi, sipas Time Kadrijajt, edhe për formimin e qeverisë VV-ja nuk ka mbështetje të mjaftueshme.

Fatmir Limaj nga NISMA bëri thirrje për reflektim dhe gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa procesi do të vazhdojë pas 48 orësh, më 29 prill.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A. është gjobitur me 25…