Ngjarja në Turqi, Anisa Bahiti në Zona Zero: Turqia ka institucione të forta, qëllimi ishte goditja e stabilitetit
Drejtoresha e Infoweb Media, Anisa Bahiti ishte e ftuar në ‘Zona Zero’ e gazetarit Thimio Samarxhi.
Temë kryesore e ditës mbetet akti terrorist i shpërthimit në Stamboll ku humbën jetën 6 qytetarë dhe u plagosën mbi 80 të tjerë mes tyre edhe fëmijë.
E pyetur nga gazetari nëse ka cënim të stabilitetit në Turqi apo është një paralajmërim për situatë në vazhdim, analistja Anisa Bahiti u shpreh se:
‘Ngjarja për momentin mbetet e izoluar. Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe G20. Një vend me stabilitet ekonomik dhe me institucione të forta dhe sulmi ka si synim goditjen e kësaj pike të fortë stabilitetin dhe fuqizimin ekonomik.
Qëllimi i atentatit është sabotimi i ‘Korridorit të Grurit’ një iniciativë e marrë për zgjidhje në tryezën e bisedimeve nga Turqia me ndërmjetësimin e Presidentit Erdogan. Marrëveshja e drithit përfundon tek takimi G20′.
E pyetur nëse ngjarja do të ketë ndikime Rajonale, në Ballkan, apo edhe në Shqipëri, Bahiti iu përgjigj:
‘Ngjarja është e rëndë, por mbetet e izoluar. Sulmi ka si synim dobësimin e Turqisë dhe pozitën e Presidentit Erdogan. Ankaraja dha përgjigjen me arrestimin e autores dhe në kohë rekord zbuloi skenarin për t’i dhënë dënimin maksimal grupit që mes tyre vranë edhe një fëmijë 4 vjeç’.
Gazetari- A e destabilizon Turqinë kjo situatë e rëndë?
Anisa Bahiti: Turqia është një shtet shumë i fortë, por gjendet brenda një zone shumë të nxehtë. Ka një konflikt në kufijtë e saj të Kurdistanit Sirian dhe në Kuridstanin irakian i cili vazhdon prej 10 vitesh. Ka një konflikt prej dekadash me PKK dhe organizata të tjera ekstremiste kurde. Në Detin e Zi që është në kufi me Turqinë po bëhet dhe lufta më e madhe në Rajon që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo gjë dashje pa dashje e bën dhe Turqinë një vend që duhet të ketë në fokus sigurinë e saj.
Gazetari- Çfarë ndikimi ka në Rajon kjo ngjarje?
Anisa Bahiti: Ngjarja për momentin, pavarësisht se është e rëndë, gjithsesi mbetet e izoluar. Turqia është vend anëtar i NATO-s , vend i G 20, vend me prosperitet ekonomik të lartë dhe të qëndrueshëm pavarësisht krizave dhe konflikteve të mbivendosura e mbi të gjitha ka institucione të forta. Është e qartë që sulmi ka si qëllim dobësimin e kësaj force strategjike të Turqisë dhe liderit të saj Presidentit Erdogan.
Gazetari- Cilat do duhet të jetë përgjigja e Ankarasë?
Anisa Bahiti: Mendoj se përgjigja ka filluar. Është arrestuar autorja, por më tej do të zbulohen dhe fijet e tjera dhe do marrë përgjigjen e fortë që meriton ky akt kriminal ku ndër të tjera ka marrë dhe jetën e një fëmije 4 vjeçar.
Gazetari- Deri tani çfarë mund të themi se ku bien dyshimet e para?
Anisa Bahiti: Është e provuar që përgjegjësia bie mbi organizatën kurde PKK e cila e ka liderin e saj Oçalan në burg që prej 24 vitesh, por do t’i mbetet hetimit për të verifikuar se kush qëndron pas saj.
Gazetari- A mund të kemi një valë reagimesh në Turqi?
Anisa Bahiti: Sigurisht do të ketë valë të fortë reagimesh. Mjafton të kujtojmë se kjo është java e skadimit të marrëveshjes së Korridorit të Drithërave nga Ukraina dhe Rusia drejt Turqisë, por edhe java e G 20 në Bali ku ka mbërritur Presidenti Erdogan per t’u takuar me liderët e tjerë botërorë.
Gazetari- Çfarë mendojnë turqit për PKK-në?
Anisa Bahiti: Për njerëzit e thjeshtë aktet terroriste janë akte të dënueshme. Për kurdët janë akte heroike. Por çdo akt terrorist është i papranueshëm.
Gazetari- Mendoni se mund të ketë paqe mes Turqisë dhe PKK?
Anisa Bahiti: Është e vështirë se si mund të rrjedhin ngjarjet. Problemi është se në Perëndim ato nuk konsiderohen terroristë dhe për qytetarët kjo nuk është e pranueshme.
Turqia është një shtet i fortë dhe me institucione të forta dhe kapja e autores tregon se të tilla situata dhe ngjarje tregojnë edhe forcën e shtetit turk dhe gatishmërinë për ti dhënë qytetarëve sigurinë e të jetuarit. Turqia ka dekada që përballet me situata të tilla. Infoweb Media