Ngjarjet kryesore në botë që shënuan vitin 2024
Rrëzimi i Assadit nga pushteti, lufta në Ukrainë, lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit, zgjedhja e Trumpit president i ShBA-së, rënia e qeverisë së Scholzit, mërimi i kryeministrit të ri të Francës, sulmi terrorist në tregun e Krishtlindjes në Gjermani, mbytja e 10 mijë emigrantëve, rizgjedhja e Putinit për mandatin e 5-të president i Rusisë, fletarrestimi i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për Netanyahun dhe zyrtarët e Hamasit, zgjedhja e Mark Ruttes në krye të NATO-s, përmbytjet masive në Evropën Qendrore, ishin disa nga ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan vitin 2024.
Rrëzohet avioni në Kazakistan, 38 të vdekur
Një avion udhëtarësh Embraer që fluturonte nga Azerbajxhani për në Rusi u rrëzua më 25 dhjetor pranë qytetit Aktau në Kazakistan. Në avion ishin 62 udhëtarë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit në bord, kanë njoftuar autoritetet kazake. Të paktën 29 persona i mbijetuan aksidentit dhe më shumë se 38 prej tyre kanë vdekur.
Mbi 10 000 imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë
Më shumë se 10 000 imigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve. Kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentim për të shkuar në Spanjë përmes anijeve, ka njoftuar grupi Caminando Fronteras. Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.
Disa të vdekur dhe 200 të plagosur nga sulmi në tregun e Krishtlindjes në Gjermani
Autoritetet gjermane kanë ngritur aktakuzë për vrasje dhe tentim-vrasje ndaj të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjes në qytetin Magdeburg, ku u vranë pesë qytetarë dhe u plagosën 200 të tjerë. Ende nuk dihet qartë motivi i sulmuesit në Magdeburg për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve. Dihet vetëm që ai është shtetas saudit dhe ndodhet në paraburgim. Por që pas sulmit, skena e ekstremit të djathtë në Gjermani ka nisur të përhapë gjuhë urrejtjeje ndaj migrantëve.
Rrëzohet Assadi nga pushteti
Rebelët sirianë kanë rrëzuar nga pushteti presidentin Bashar al-Assad pasi morën kontrollin e Damaskut, duke e detyruar atë të ikte dhe duke i dhënë fund sundimit autokratik të familjes së tij pas më shumë se 14 vitesh luftë civile. Rebelët i dhanë gjithashtu një goditje të madhe ndikimit të Rusisë dhe Iranit në Siri në zemër të rajonit – aleatë që kishin mbështetur al-Assadin gjatë periudhave kritike të konfliktit. Fuqitë botërore janë zotuar se do të punojnë për stabilitet në Siri dhe rajonin përreth.
E djathta ekstreme në Evropë, me rritje në 2024-n
Mbështetja për partitë e ekstremit të djathtë në Evropë vazhdoi të rritej në vitin 2024. Analistët thonë se kjo prirje u nxit nga shqetësimet për imigracionin, inflacionin dhe luftën në Ukrainë. Zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian në qershor rezultuan me një rritje të mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në disa shtete anëtare, megjithëse partitë e qendrës vazhdojnë ta mbajnë pushtetin në institucionet e BE-së në Bruksel.
Gjykata e Francës mban në fuqi dënimin e Sarkozyt për korrupsion
Gjykata Supreme e Francës ka mbajtur në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy, fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit derisa ishte lider i vendit. Sarkozy, 69 vjeç, përballet me burgim, megjithatë ai pritet t’i kërkojë gjykatës ta lajë dënimin në shtëpi duke e mbajtur një byzylyk elektrik në dorë. Ai u shpall fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit nga gjykata e Parisit më 2021 dhe nga Gjykata e Apelit më 2023 për përpjekje për t’i dhënë ryshfet një gjykatësi në këmbim të informatave për një rast ligjor në të cilin ishte përfshirë.
Scholzi e humbet votëbesimin, hapet rruga për zgjedhje të reja në Gjermani
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka humbur votëbesimin në parlamentin e vendit, me çfarë i ka hapur vendit rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të shkurtit. Scholzi e fitoi besimin e 207 ligjvënësve në Bundestag, por 394 të tjerë votuan kundër tij, ndërsa 116 abstenuan. Atij i nevojitej një shumicë prej 367 votash për ta fituar votëbesimin. Scholzi udhëheq një qeveri pakicë, pasi koalicioni i tij qeverisës trepartiak dështoi më 6 nëntor për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën se si ta ringjallin ekonominë e ngecur të vendit.
Macroni emëron François Bayroun kryeministër të ri të Francës
Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar politikanin e qendrës, François Bayroun, kryeministër të ri, vetëm një javë pas rënies së qeverisë paraprake. Opozita e ka rrëzuar qeverinë e ish-kryeministrit konservator Michel Barnier për shkak të mospajtimeve për buxhetin, ndonëse ka qenë vetëm tre muaj në zyrë. Franca është në ngërç politik pasi zgjedhjet e mbajtura në qershor dhe korrik nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të qartë.
Bullgaria dhe Rumania bëhen anëtare të plota të zonës Schengen
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë hapur rrugën Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare të plota të zonës për lëvizje të lirë Schengen, prej fillimit të vitit tjetër. Bullgaria dhe Rumania, të dyja vende anëtare të BE-së prej vitit 2007, kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizje të lirë, prej muajit mars, pasi u është mundësuar vetëm trafiku ajror dhe detar, pa kontrolle kufitare.
54 gazetarë të vrarë më 2024
Këtë vit janë vrarë 54 gazetarë në botë, teksa kanë qenë duke kryer punën e tyre, apo për shkak të profesionit, është thënë në raportin vjetor të organizatës ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij. Sipas organizatës, ushtria izraelite është përgjegjëse për vdekjet e 18 gazetarëve këtë vit – 16 në Gazë dhe dy në Liban. Sipas raportit, territori palestinez është më i rrezikshmi për gazetarët, pasi atje është regjistruar shifra më e lartë e gazetarëve të vrarë në pesë vjetët e fundit.
43 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në luftë
Rreth 43 000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një deklarim të rrallë për numrin e viktimave. Në një postim në rrjetet sociale, presidenti ukrainas ka thënë se janë raportuar 370 000 persona të plagosur, ndonëse në këtë shifër ai ka thënë se përfshihen edhe ushtarët që janë plagosur më shumë se një herë. Ai ka pretenduar se si pasojë e luftës janë vrarë 198 000 ushtarë rusë dhe janë plagosur 550 000 të tjerë.
GjNP-ja lëshon fletarrestime për Netanyahun dhe zyrtarët e Hamasit
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për zyrtarët e Hamasit, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit për luftën në Rripin e Gazës, dhe për sulmet e tetorit 2023 në Izrael. Netanyahu e dënoi fletarrestimin e lëshuar ndaj tij, duke thënë se Izraeli “kundërshton me neveri veprimet absurde dhe të rreme”. Në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij, ai tha se “nuk ka asgjë më të drejtë sesa lufta që Izraeli po kryen në Gazë”.
Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike nga janari
Një vendim kontrovers i Zvicrës për ndalimin e mbulimit të fytyrës në hapësira publike, i njohur gjerësisht si “ndalimi i burkave”, do të hyjë në fuqi më 1 janar të 2025-s. Ky ndalim, që kaloi me një dallim të vogël votash në një referendum të vitit 2021 dhe që u dënua nga shoqatat myslimane, u iniciua nga i njëjti grup që organizoi ndalimin e minareve të reja në vitin 2009.
Këshilli Federal qeverisës tha në një deklaratë se ka vendosur datën e fillimit të ndalimit dhe se kushdo që do ta shkelë atë pa të drejtë do të përballet me një gjobë deri në 1 000 franga zvicerane.
Trumpi fiton zgjedhjet në ShBA
Donald Trumpi ka siguruar 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet presidenciale të ShBA-së, duke mposhtur Kamala Harrisin. Me një fitore në Uiskonsin, Trump, ish-presidenti dhe kandidati i Partisë Republikane, kaloi 270 votat e nevojshme për ta siguruar fitoren në garën presidenciale kundër Harrisit, aktualisht zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara dhe kandidate e Partisë Demokratike. Trumpi merr detyrën e presidentit më 20 janar.
Mbi 43 000 palestinezë të vrarë në luftën njëvjeçare në Gazë
Më shumë se 43 000 palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, ka njoftuar Ministria palestineze e Shëndetësisë. Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1 200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë.
Fethullah Gulen, rival i Erdoganit, vdes në ShBA
Kleriku turk Fethullah Gulen ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara. Gulen, dikur aleat i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ishte akuzuar për orkestrimin e grusht-shtetit të dështuar në Turqi më 2016. Grusht-shteti i dështuar kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij ishte një pikë kthese për shtetin. Afër 250 persona u vranë, kur ushtarët e rebeluar rrëmbyen avionë, tanke dhe pajisje të tjera të rënda ushtarake, teksa tentuan ta rrëzonin presidentin nga pushteti.
Stoltenbergu emërohet shef i Konferencës së Munihut për Siguri
Jens Stoltenberg, deri më tani sekretar i përgjithshëm i NATO-s, është emëruar zyrtarisht kreu i ri i Konferencës së Munihut për Siguri, njërës prej platformave për të rëndësishme ndërkombëtare për politika të sigurisë. Ai pritet të marrë këtë pozitë zyrtarisht pas konferencës së radhës që do të mbahet në shkurt të vitit 2025. Aktualisht shef i organizatës është Christoph Heusgen.
Mark Rutte zgjidhet në krye të NATO-s
32 vendet anëtare të aleancës së NATO-s në muajin qershor zgjodhën kryeministrin holandez Mark Rutte në krye të organizatës më të madhe të sigurisë në botë, në një kohë kritike për sigurinë evropiane ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë. Marrja e detyrës së sekretarit të përgjithshëm nga Rutte ndodhi në një çast historik për aleancën, teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet ditës 1 000.
Izraeli vret udhëheqësin e grupit militant Hezbollah, Hassan Nasrallah
Udhëheqësi i grupit militant Hezbollah, Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut të premten. Ushtria izraelite tha se disa komandantë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Hassan Nasrallahun në një sulm të fuqishëm ajror. Nasrallah ka udhëhequr grupin militant libanez në tri dekadat e fundit dhe e ka transformuar atë në një nga grupet paraushtarake më të fuqishme në Lindjen e Mesme.
Bideni infektohet me koronavirus
Presidenti amerikan Joe Biden është infektuar me koronavirus dhe ka simptoma të lehta, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë më 17 korrik. Zëdhënësja e tij për medie, Karine Jean-Pierre, ka thënë se presidenti amerikan është i vaksinuar dhe ka dozë përforcuese kundër virusit që shkakton sëmundjen Covid-19. Bideni është infektuar edhe dy herë të tjera me këtë koronavirus në të kaluarën.
Shirat e rrëmbyer dhe përmbytjet shkaktojnë viktima dhe evakuime masive në Evropën Qendrore
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Evropën Qendrore u rrit dhe mijëra vetë u evakuuan në Republikën Çeke pasi shirat e rrëmbyer vazhduan, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të rajonit. Një person u mbyt në Poloninë jugperëndimore, një zjarrfikës humbi jetën në Austri dhe dy persona të tjerë humbën jetën në Rumani, ku përmbytjet morën jetën e katër personave të shtunën. Vetëm në Çeki janë evakuuar mbi 10 000 veta.
Gjermania forcon masat e sigurisë dhe politikat për azil
Koalicioni qeverisës në Gjermani ra dakord t’i forcojë masat për sigurinë si dhe politikat për dhënien e azilit pas një sulmi vdekjeprurës të lidhur me grupin militant Shteti Islamik që ka ndezur edhe më shumë kundërshtitë e së djathtës së skajshme dhe kritikat ndaj autoriteteve berlineze rreth qasjes së tyre mbi politikat e emigracionit. Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin me thikë gjatë një festivali që shënonte 650-vjetorin e qytetit të Solingenit. Ngjarja ka shtuar mosmarrëveshjet politike mbi rregullat e azilit dhe dëbimit në prag të zgjedhjeve vendore.
Brazil, rrëzohet avioni me 62 individë në bord
Një avion me 62 pasagjerë në bord u rrëzua më 9 gusht në një zonë banimi në afërsi të Sao Paulo, në Brazil. Të gjithë udhëtarët në avion humbën jetën, thanë autoritetet vendase pranë vendit të ngjarjes. Një video-regjistrim i postuar në rrjetet sociale tregoi pamjet e avionit, të prodhimit ‘ATR’, ndërsa humb kontrollin dhe bie në afërsi të disa shtëpive. Sasi të madhe tymi u ngritën pas rrëzimit të tij.
Bideni tërhiqet nga gara presidenciale, mbështet nënpresidenten Harris kandidate
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai njoftoi për vendimin pas thirrjeve të shumta në partinë e tij për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.
Von der Leyen rizgjidhet në krye të Komisionit Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është zgjedhur edhe për një mandat në krye të këtij institucioni. Për t’i dhënë edhe një mandat pesëvjeçar von der Leyen votuan 401 eurodeputetë. Asaj i duheshin 360 vota nga 719 deputetë në Parlamentin Evropian. Ky institucion ka 720 ligjvënës, por një eurodeputet katalanas ende nuk ka marrë mandatin.
Atentat ndaj ish-presidentit Trump
I riu Thomas Matthew Crooks shkoi në vendin ku do të mbahej tubimi elektoral i ish-presidentit Donald Trump, me një çantë të madhe shpine dhe një pajisje për ta matur distancën nga çatia pas skenës ku ish-presidenti do të fliste brenda një ore. Aty ai hapi zjarr, gjashtë minuta pasi Trumpi filloi të fliste, në një përpjekje për ta vrarë kandidatin republikan për president. Sulmuesi vrau një pjesëmarrës në tubim dhe plagosi rëndë dy të tjerë. Trumpi u plagos lehtë në vesh dhe u shfaq vetëm disa ditë më vonë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane në Miluoki me një fashë në veshin e dëmtuar. Sulmi u dënua nga shumë udhëheqës gjithandej botës të cilët thanë se dhuna politike është e papranueshme.
Sulmohet me të shtëna kryeministri sllovak Robert Fico
Një sulmues i armatosur plagosi kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico. Kabineti i Ficos konfirmoi plagosjen dhe tha se jeta e tij është në rrezik, mirëpo pas disa ditësh trajtimi në spital, ai mori vetën dhe nisi punën si kryeministër. Atentatori u arrestua në vendngjarje. Motivet e atentatit ende nuk janë bërë të ditura. Fico rimori detyrën e kryeministrit në tetor 2023 dhe ka qenë kryeministër i Sllovakisë edhe në vitet 2006 deri më 2010 dhe 2012 deri më 2018. Në vitin 2018 atij iu desh të japë dorëheqje pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij. Kuciak pati hulumtuar për lidhjet mes mafies italiane dhe partisë së Ficos në pushtet.
Putini fillon mandatin e pestë të presidentit
Vladimir Putini ka filluar mandatin e pestë si udhëheqës i Rusisë me një ceremoni pompoze në Kremlin. Ai nisi një mandat tjetër gjashtëvjeçar, pasi eliminoi kundërshtarët e tij politikë, filloi luftën shkatërrimtare në Ukrainë dhe përqendroi të gjithë pushtetin në duart e tij. Në ceremoninë brenda Pallatit të Madh të Kremlinit, Putini vuri dorën mbi kushtetutën ruse dhe u zotua ta mbrojë atë, ndërsa vështrohej nga të pranishmit e përzgjedhur.
NATO-ja shënoi 75-vjetorin mes sfidave të sigurisë
NATO-ja këtë vit që lamë pas shënoi 75-vjetorin e themelimit me premtimin e kryediplomatëve të vendeve të saj se do të qëndrojnë në krah të Ukrainës, por lufta po e vë në provë unitetin dhe vendosmërinë e aleancës. Traktati i themelimit të saj u nënshkrua më 4 prill të vitit 1949.
Anija hapësinore private hyn në orbitën e Hënës
Një anije hapësinore private amerikane hyri në orbitë përreth Hënës të mërkurën, një ditë përpara se të tentojë një sipërmarrje edhe më të vështirë – uljen në sipërfaqen e Hënës. Një ulje e suksesshme do ta rikthente praninë amerikane në Hënë për herë të parë që kur astronautët e NASA-s i dhanë fund programit Apollo në vitin 1972. Nëse del me sukses, kjo kompani do të bëhej entiteti i parë privat që do të realizonte një ulje të suksesshme në Hënë.
Gjykata vendos kundër ish-presidentit Trump gjobë prej 355 milionë dollarësh
Në muajin shkurt një gjykatës në Nju-Jork vendosi të premten kundër ish-presidentit Donald Trump, duke e gjobitur me 355 milionë dollarë për atë që gjykatësi e quajti një skemë shumëvjeçare për t’i mashtruar bankat dhe të tjerë, nëpërmjet deklaratave financiare që frynë artificialisht vlerën e pasurisë së ish-presidentit. Gjykata, gjithashtu, ia ndaloi ish-presidentit të ushtrojë aktivitet biznesi në Nju-Jork për tre vjet.
Vdes Alexei Navalny, armiku më i ashpër politik i presidentit rus Putin
Shërbimi rus i burgjeve tha se udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny vdiq më 16 shkurt në rajonin Yamalo-Nenets. Pas këtij njoftimi, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, fajësoi presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e Navalnyt, duke thënë se “nuk ishte i befasuar”, por se ishte “i revoltuar” nga vdekja e udhëheqësit opozitar rus. Ai u arrestua në janar të vitit 2021 pasi u kthye në Moskë nga Gjermania ku po kurohej pas helmimit me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin. Ndërsa po vuante një dënim prej nëntë vitesh heqje lirie, në gusht të vitit të kaluar u dënua me 19 vjet burg nën akuzat për ekstremizëm.
Senati miraton 95.3 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin
Senati amerikan ka miratuar në shkurt një paketë ndihme prej 95.3 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pas muajsh negociatash të vështira dhe mes ndasive politike në rritje në Partinë Republikane mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Ligjvënësit e miratuan paketën me 70 vota për dhe 29 kundër, duke tejkaluar pragun e 60 votave të nevojshme. Tani projekt-ligji shkon në Dhomën e Përfaqësuesve.
Parlamenti turk miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO
Deputetët turq kanë ratifikuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke e bërë edhe më të afërt hyrjen e këtij vendi në aleancë. Suedia, bashkë me Finlandën, u kanë dhënë fund disa dekadave neutralitet më 2022, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Teksa Finlanda është pranuar, Suedisë i është penguar rruga nga Turqia, e ka pasur disa mospajtime me Suedinë lidhur me atë që e ka konsideruar përkrahje të Stokholmit për separatistët kurdë, duke përmendur pjesëtarë të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK). Turqia, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e konsiderojnë PKK-në organizatë terroriste.
NATO fillon stërvitjen më të madhe ushtarake prej dekadash
NATO filloi të mërkurën stërvitjen më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë dhe një luftanije amerikane u largua nga Shtetet e Bashkuara për të kaluar përmes Atlantikut drejt territorit të aleancës në Evropë. Aleanca ushtarake perëndimore ka thënë se rreth 90 mijë forca do të marrin pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024” (“Mbrojtësi i Vendosur 2024”). Operacioni stërvitor ka për qëllim të vërë në provë mbrojtjen e NATO-s, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.
Mbreti Charles diagnostikohet me kancer
Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, është diagnostikuar me një formë të kancerit dhe ka nisur trajtimin, njoftoi Pallati Bakingam më 5 shkurt. Më pak se 18 muaj në mbretërimin e tij, Mbreti Charles do t’i pezullojë detyrat publike, por do të vazhdojë të merret me çështje shtetërore dhe nuk do të heqë dorë nga rolet e tij kushtetuese si kreu i shtetit, pati njoftuar Pallati. Sipas njoftimit, diagnostikimi me kancer nuk është i lidhur me trajtimin për probleme me prostatë që Charles iu nënshtrua së fundmi. Pallati nuk njoftoi se nga çfarë forme e kancerit është prekur monarku 75-vjeçar.
(Përgatiti: Mal QORRAJ)