Ngjarjet kryesore që karakterizuan shqiptarët në vitin 2024
Viti që po lëmë pas është karakterizuar me ngjarje të shumta te shqiptarët. Në Kosovë, krahas liberalizimit të vizave, kanë ndodhur shumë zhvillime, duke përfshirë ndalimin e dinarit serb, sulmin terrorist në “Ibër-Lepenc”, shpalljen e datës së zgjedhjeve, aktivizimin e organeve të drejtësisë në raport me dyshimet për korrupsionin qeveritar. Kurse në Shqipëri, krahas hapjes së kapitullit të parë për anëtarësim në BE, ka ndodhur edhe arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta. Edhe në Maqedoninë e Veriut ka pasur zhvillime të shumta, ku ndër to kanë qenë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe debati i ashpër për Ligjin për Gjuhët, ku përfshihet edhe ajo shqipe, i cili ka përfunduar në Kushtetuese.
Përgatiti: Lirim GECI / Epoka e re
Qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 kanë filluar të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. Por, pavarësisht se Spanja është pjesë e Schengenit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj.
Ndalohet dinari serb në Kosovë
Prishtinë, 18 janar – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka miratuar rregulloren për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro, duke ndalur përdorimin e dinarit. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta nga bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia.
Haradinaj dhe Limaj bashkojnë forcat
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni për zgjedhjet parlamentare. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Haradinaj ka theksuar se ata janë bashkuar për arsyen se nuk duan t’i lënë qytetarët e Kosovës pa kujdes pasi, sipas tij, ata janë të “luftuar” nga qeveria Kurti. Ndërsa Fatmir Limaj ka thënë se koalicioni parazgjedhor me AAK-në është lajm i mirë për politikën në Kosovë dhe gjithë qytetarët.
Konfiskohet pasuria e Radoiçiqit në Kosovë
Autoritetet në Kosovë kanë konfiskuar dhe sekuestruar pasuri të Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar. Më 4 prill, në një aksion në veriun e Kosovës, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh në Banjskë.
Shqipëria hap kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE
Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët për medie me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e ka vlerësuar historik nisjen e këtij procesi. Rama ka thënë se shqiptarët nuk mund të kenë një plan B kur vjen fjala për liritë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale.
Ngrehet aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, në mesin e tyre edhe Radoiçiqi
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq, për sulmin e armatosur në Banjskë. Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal, “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
Kosova përfiton nga ShBA-ja mbi 34 milionë dollarë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nëpërmjet USAID-it kanë ndihmuar Kosovën edhe me mbi 34 milionë dollarë. Marrëveshja është nënshkruar në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësueses së USAID-it, Mary Elieen Devitt. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë se përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se janë duke u përballur me disa sfida me qeverinë e Kurtit që, sipas tij, kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit ShBA – Kosovë.
Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Jahir Demaku, të cilët akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile.
Trupi gjykues ka vlerësuar se dëshmia e dëshmitarit “A” si e vetme ka qenë e mangët për ta arritur standardin e të provuarit për krimet e luftës dhe vendimi është i bazuar në standardet vendore.
Kosova ka 1.5 milion banorë
Kosova i ka 1 586 659 banorë të regjistruar, sipas raportit përfundimtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, ka thënë se kjo agjenci ka bërë vlerësimin për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku kryesisht është bojkotuar procesi. Ai ka thënë se ASK-ja vlerëson se Kosova ka një popullsi të përgjithshme rezidente prej 1 602 515. Numri i saktë i banorëve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk është i njohur, megjithatë gjatë procesit të fundit të votimit atje në prill, të drejtë vote kishin 46 556 qytetarë, këtu përfshihen edhe vendet ku jeton komuniteti shqiptar. Më 6 prill kishte filluar regjistrimi i popullsisë, ndërsa rezultatet përfundimtare janë shpallur më 20 dhjetor.
Prokuroria e fton për intervistim ministren Hajdari, e dyshuar për keqpërdorim të detyrës
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ftuar për intervistë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës (MINT), Rozeta Hajdari, e cila dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Megjithatë, Prokuroria ka thënë se Hajdari e ka mbrojtur veten në heshtje në paraqitjen e saj si e pandehur para prokurorëve. “Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar dhe, siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, ka njoftuar prokuroria.
Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka dominuar Bedri Hamzën kandidat të PDK-së për kryeministër të Kosovës. “Si një personalitet i dëshmuar, Bedriu është përgjigjja jonë ndaj thirrjeve të qytetarëve për jetë, mirëqenie dhe të ardhme më të mirë e më të sigurt!”, ka thënë Krasniqi të mërkurën në një konferencë të përbashkët për medie me Bedri Hamzën.
Dështon iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës
Ka dështuar procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës. Serbët lokalë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ndonëse kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve, më vonë e kanë bojkotuar procesin, sikurse ka bërë thirrje Lista Serbe. Kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka thënë se ka vendosur ta bojkotojë procesin për shkak të listave të vjetërsuara të votuesve dhe duke pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”. Si pasojë e dështimit të procesit të 21 prillit, kryetarët shqiptarë e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.
Hapet baza e NATO-s në Kuçovë
Në Kuçovë të Shqipërisë është përuruar baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e para bazë e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të NATO-s, ministri i Mbrojtjes i Turqisë dhe ai i Italisë, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe ata të institucioneve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se kjo bazë është një element tjetër i sigurisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor
PDK-ja i jep fund bashkëpunimit me LDK-në në Prishtinë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dhënë fund koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në komunën e Prishtinës. Vendimi ka ardhur menjëherë pas mbledhjes së Kuvendit Komunal kur PDK-ja kishte mundësuar kuorumin dhe votuar “pro” shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e disa pronave komunale në Badoc. Kjo lëvizje e PDK-së kishte ardhur pak ditë pasi kryetari Përparim Rama kishte liruar nga detyra nënkryetaren Donjeta Sahatçiu si dhe drejtorin për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, që të dy nga radhët e PDK-së.
Kurti “lëshon bajrakun”, urdhëron kalimin e pronave Manastirit të Deçanit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lëshuar ‘bajrakun’ në lidhje me pronat për Manastirin e Deçanit. Ai ka thënë se qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Kurti ka thënë se ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi, të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë”, ajo nuk ka mjete ligjore dhe juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i Kurtit ka nxitur reagime të shumta në vend, pasi që përgjatë gjithë së kaluarës së tij politike, Kurti dhe partia që udhëheq kanë qenë kundër zbatimit të një vendimi të tillë.
Dejona Mihali intervistohet nga Prokuroria Speciale
Dejona Mihali, koordinatorja e fuqishme e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Në një njoftim Prokuroria Speciale ka bërë me dije se Mihali është intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale që po hetohen nga kjo prokurori. Pas përfundimit të intervisimit, Mihali u është përgjigjur shkurt pyetjeve të gazetarëve. “Jam intervistuar për zbardhjen e së vërtetës…”, ka thënë ajo, e cila nga gazetarët është pyetur edhe për mesazhet e saj me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, por nuk ka dhënë përgjigje. “Gjithë të mirat! Mirupafshim! Punë të mbarë!”, ka thënë Mihali
Shqiptarët e Luginës protestojnë për “identitet dhe dinjitet”
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar në Bujanoc, ku kanë akuzuar Serbinë për shkeljen sistematike të të drejtave të tyre. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë. Këtë protestë e ka mbështetur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke u zotuar se të drejtat e shqiptarëve në Luginë do t’i ngrehin në nivelet më të larta ndërkombëtare
Takohen Kurti dhe Krasniqi, flasin për zgjedhjet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, kanë zhvilluar një takim të përbashkët në të cilin kanë folur për zhvillimet e përgjithshme në vend, duke mos përjashtuar as shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Për këtë të fundit, Kurti ka thënë se ka shprehur interesim për të diskutuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Ndërkaq, Krasniqi ka thënë se PDK-ja është e gatshme për një pajtim me të gjitha partitë parlamentare për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja. Kjo iniciativë nuk është përkrahur nga LDK-ja dhe AAK-ja.
Osmani shpall 9 shkurtin datë të zgjedhjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë. Në dekretin e nënshkruar nga Osmani thuhet se caktimi i datës së zgjedhjeve u bë pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Kosova humbet rastin historik për t’u anëtarësuar në KiE
Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) nuk e ka përfshirë në agjendë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Mospërfshirja në agjendë ka ndodhur për shkak se Kosova nuk e ka plotësuar kushtin për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të KiE-së, Dominique Hasler, ka bërë me dije se ky komitet është duke e shqyrtuar opsionin se si ta procedojë pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Derisa opozita e ka fajësuar pushtetin për këtë dështim, presidentja Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KiE është vetëm çështje kohe, ndërsa kryediplomatja Gërvalla ka thënë se ky proces nuk mund të ndalet.
Kurti ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale, por nuk shkon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me rezervat shtetërore. Ai herën e parë nuk është paraqitur në prokurori me arsyetimin se është jashtë vendit në një vizitë zyrtare. Ai as herën e dytë nuk është paraqitur para prokurorisë, por ka thënë se është i gatshëm ta japë dëshminë në zyrën e tij.
Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni
Talat Xhaferi është votuar si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai është bërë kryeministër me 65 vota për, tri kundër dhe asnjë abstenim nga 111 deputetë sa ishin në sallë. Betimi i tij është bërë para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Dimitar Kovaçevski.
Shefi i CIA-s viziton Kosovën
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka qëndruar për një vizitë në Kosovë më 22 gusht. Burns është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti. Vizita e Burns ka ndodhur në kohën kur në Kosovë flitej për hapjen e urës së Ibrit, e cila, pavarësisht prej paralajmërimeve të qeveritarëve, vazhdon të jetë e mbyllur.
Vdes shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare
Shkrimtari më i madh shqiptar Ismail Kadare ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Ai ka lindur në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zëvendëskryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Kadare është shquar kryesisht për prozë, por kontributi i tij ishte shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ka nisur të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat ishte bërë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Tony Blair viziton Kosovën në 25-vjetorin e çlirimit
Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka qëndruar në Kosovë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit. Gjatë qëndrimit në Kosovë Blair u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kujtuar, siç ka thënë, “vendimin e vështirë për të ndërmarrë veprime për ta ndalur luftën në Kosovë” më 1999. Në nderim të kontributit të tij për çlirimin e Kosovës në Ferizaj është ngritur një përmendore në Ferizaj.
DASh-i thotë se në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar
Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar. Kështu është thënë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të publikuar këtë të hënë më 22 prill. Në përmbledhjen e raportit janë përmendur të gjeturat kryesore dhe aty është thënë se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe, gjithashtu, “korrupsion serioz qeveritar”.
Ali Ahmeti fiton zgjedhjet në Maqedoni, por e humbet pushtetin
Fronti Evropian, i drejtuar nga Ali Ahmeti, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, duke e mposhtur koalicionin VLEN. Pavarësisht kësaj, ky koalicion nuk është përfshirë në qeverinë e drejtuar nga Hristijan Mickoski. Ai në qeveri ka përfshirë koalicionin VLEN që drejtohet nga Arben Taravari. Ali Ahmeti është duke “luftuar” me pushtetin për përdorimin e Ligjit të Gjuhës Shqipe, i cili ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Krahas zgjedhjeve parlamentare, Bujar Osmani nga Fronti Evropian ka dalë i dyti në zgjedhjet presidenciale.
Riho Terras nga Estonia emërohet raportues për Kosovën në PE
Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, është emëruar raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE). Për emërimin e tij në këtë pozitë janë pajtuar në grupin e PPE-së në Komisionin për Politikë të Jashtme. Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.
“Brate”, Kusari-Lila e quan vëlla Simiqin, merren vesh për takim me Kurtin
Katër biseda të Mimoza Kusari-Lilës me Sllavko Simiqin kanë zbuluar përpjekjet e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për koordinim me Listën Serbe. Bisedat në “WhatsApp” kishin dëshmuar “kapitullimin” e LV-së para Listës Serbe për kalimin e ligjeve në Kuvend dhe për çështjen e energjisë elektrike në veri. Kusari-Lila në një çast e kishte quajtur vëlla (brate) Simiqin. Ata ishin marrë vesh për caktimin e një takimi të Simiqit me kryeministrin Albin Kurti. Kusari-Lila kishte marrë ftesë për vizitë te Milan Radoiçiqi në Kopaonik, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë. Mimoza Kusari-Lila ishte përpjekur të krijonte aleancë me Listën Serbe për çështje të agjendës legjislative të mazhorancës.
Osmani ia kthen Kuvendit dy ligje për rishqyrtim, përmbajtja e njërit rrezikon sigurinë kombëtare
Presidentja Vjosa Osmani ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Kosovës Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërkaq Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.
Skandali me ambalazhuesit e ujit, arrestohen dy zyrtarë të MMPHI-së
Organet e rendit kanë arrestuar sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi dhe zyrtarin e lartë të kësaj ministrie, Naser Hafizi, të dyshuar për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit. Bytyqi është liruar nga paraburgimi, por jo edhe Hafizi.
Ministria e drejtuar nga Peci ndan grante për vëllanë dhe dajën e Pacollit të LV-së
Sekretari i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK-së, Egzon Pacolli, kishte njoftuar se Blerim Pacolli, vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka fituar grant 100 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga ministri Faton Peci. Sipas dokumenteve të publikuara nga ana e tij, del se ministria e Faton Pecit i ka dhënë grant 100 mijë euro edhe dajës së Fitore Pacollit, Sylejman Islamit. Pas raportimeve në medie, Ministria e Bujqësisë ka marrë vendim që t’i pezullojë këto grante. Kujtojmë se Pacolli është kryetare e Komisionit për Bujqësi në Kuvend.
Artan Grubi futet në listën e zezë të ShBA-së
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) ka njoftuar se i ka futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti, për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”. Në një njoftim për medie, DASh-i ka bërë me dije se Grubi dhe Bexheti “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”. Në listën e zezë janë futur edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë mandatit të kaluar 2020-2024. Pas këtij vendimi, Grubi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat publike.
Nënshkruhet marrëveshja me prodhuesin turk për fabrikën e municioneve në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), për të vënë në funksion fabrikën e municioneve në Kosovë. Pos prodhimit të dy llojeve të municioneve, në fabrikë do të bëhen edhe dizajne të dronëve luftarakë. Po ashtu, përfshihet edhe trajnimi i stafit në kuadër të kontratës.
Fjalimi i vonshëm i Osmanit në Kuvend: Vënia në rrezik e aleancave apo luajtja bixhoz me to e cenon mbrojtjen e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka bërë thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon Kosovën. Ajo e cilësoi të pabalancuar dialogun me Serbinë dhe kërkoi trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Duke folur të enjten në një seancë parlamentare të bojkotuar nga dy prej tri subjekteve më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”. Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj. “Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, ka thënë ajo.
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, seancë të përbashkët parlamentare
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, në të cilën janë zotuar, përmes një deklarate, se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare dhe do ta thellojnë bashkëpunimin mes vete.
Gjatë seancës, e cila ka zgjatur tri orë, liderët e të dyja vendeve kanë mbajtur fjalime para deputetëve të pranishëm nga të dyja vende, ku kanë ofruar mbështetjen e ndërsjellë dhe kanë lartësuar lidhjet historike në mes të dy vendeve. Deklarata e tyre e përbashkët, e cila është lexuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se qëllimi i mbledhjes ishte që Kosova dhe Shqipëria ta bashkërendonin “agjendën kombëtare” për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike.
Shqipëria mbyll “TikTok”-un
Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për ndalimin e “TikTok”-ut për 1 vit. Kryeministri Edi Rama ka thënë se vendimi është marrë pas 1 300 takimeve të organizuara në të gjithë territorin e Shqipërisë nga Ministria e Arsimit pas vrasjes së 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”. Ai ka thënë se 90 për qind e prindërve janë shprehur në favor të mbylljes së “TikTok”-ut.
Sulm terrorist në kanalin e “Ibër-Lepenc”-it
Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të “Ibër-Lepenc”-it, nga i cili furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave. Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjën veriore të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit. Ndërkaq, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në “Ibër-Lepenc”.
Arrestohet ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor. Meta ndodhet në paraburgim ndonëse disa herë ka kërkuar të lirohet nga kjo masë. Meta kishte shërbyer në pozitën e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022. Përveç që ka mbajtur pozitën e presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm.
Djali i Jakup Krasniqit i bashkohet PDK-së, garon për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mirëpritur të mërkurën në parti djalin e Jakup Krasniqit, Altinin, i cili do të jetë kandidat për deputet në listën e PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Krasniqi është shprehur i lumtur që PDK-së po i bashkohet një zë i ri, por që është i rrënjosur thellë në trashëgiminë e shërbimit, sakrificës dhe përkushtimit të palëkundur ndaj vendit. Ndërsa Altin Krasniqi është shprehur se duke qenë djali i një personaliteti si Jakup Krasniqi që ia kushtoi jetën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ka vendosur të marrë përgjegjësi për të punuar për të ardhmen e Kosovës.
Begaj shpall 11 majin datë të zgjedhjeve në Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shpallur datën 11 maj të vitit 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Zyra e Presidencës shqiptare ka sqaruar për mediet se kreu i shtetit shqiptar vendosi ta respektojë kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për caktimin e datës së zgjedhjeve. “Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për ta shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit”, ka njoftuar Presidenca shqiptare.
Osmani takohet me Trumpin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump. Takimi i tyre është zhvilluar në kuadër të ceremonisë së rihapjes së katedrales “Notre-Dame” në Paris. “Me presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit ‘Notre Dame’”, ka shkruar ajo krahas fotos që ka publikuar në “Facebook”. Osmani ishte ftuar nga presidenti francez Emmanuel Macron në mesin e liderëve botërorë në ceremoninë e rihapjes së katedrales “Notre-Dame”, pesë vjet pasi monumenti ishte shkatërruar nga zjarri.
Kosova avancohet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
Asambleja Parlamentare e Aleancës Veriatlantike – NATO ka avancuar statusin e Republikës së Kosovës nga vëzhguese parlamentare në anëtare të asociuar të saj. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mirëpritur një vendim të tillë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Maqedonci ka thënë se avancimi i Kuvendit të Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar është një hap i madh për sigurinë.
LV-së i largohen tre deputetë dhe i bashkohet një këngëtare
Gjatë vitit 2024 nga grupi parlamentar i Lëvizja Vetëvendosjes janë larguar deputetët Eman Rrahmani, Visar Korenica, Drita Millaku. Rrahmani dhe Korenica garojnë në zgjedhje në “Listën për Familjen”, ndërsa Millaku i është bashkuar LDK-së. Krahas kësaj, Vetëvendosjes i është bashkuar këngëtarja Edona Llalloshi, por njëri nga themeluesit e kësaj lëvizje, Liburn Aliu, është lënë jashtë listës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Garë e ashpër për zgjedhjet e 9 shkurtit
Partitë politike kanë filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025. Ato tashmë kanë paraqitur listat e kandidatëve për deputetë. Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje kandidon me Albin Kurtin për kryeministër, PDK-ja me Bedri Hamzën, LDK-ja me Lumir Abdixhikun dhe koalicioni AAK-Nisma me Ramush Haradinajn.
Ambasadori Hovenier përfundon mandatin: Po largohem si një mik i fortë i Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ShBA), Jeffrey Hovenier, ka përfunduar zyrtarisht mandatin e tij trevjeçar si përfaqësues i Amerikës në vendin tonë. Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenieri ka theksuar simbolikën e përmbylljes së misionit të tij me të njëjtin akt që e kishte nisur me vendosjen e një kurore lulesh te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Hovenieri ka thënë se që kur ka nisur punën në fund të viteve ’90 nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës për qëndrueshmërinë e tyre për ta realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ai ka thënë se po largohet nga kjo detyrë si mik i fortë i Kosovës. “Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Konfirmohet rasti i parë me Linë e Majmunëve në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike i Kosovës ka bërë me dije se gjatë ditës së djeshme në Laboratorin e Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR është konfirmuar një rast i importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e Majmunëve. “Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është shtrirë në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshime në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, ka njoftuar IKShPK-ja.