Ngjarjet kryesore të sportit vendor gjatë vitit 2019

31 dhjetor 2019 | 18:02

Viti 2019 ka qenë i jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës. Përfaqësuesja pati një vit të suksesshëm ani pse nuk arriti kualifikimin në Kampionatin Evropian, por një gjë të tillë mund ta bëjë nëpërmjet Ligës së Kombeve në muajin mars 2020.

Historinë e ka shkruar sporti i hendbollit, konkretisht Përfaqësuesja U21, e cila u kualifikua në Kampionatin Botëror si ekipi i parë i sporteve kolektive. Në botëror

“Dardanët” kishin grup të fortë, por shijuan edhe fitoren. Xhudoja, e udhëhequr nga Driton Kuka, nuk ka të ndalur, medaljet fitohen në çdo garë ku marrin pjesë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka e xhudistët e tjerë.

Image result for driton kuka majlinda kelmendi nora gjakova

Plot medalje nga sporti xhudos

Sporti i xhudos tashmë e ka bërë traditë që të sjellë medalje në Kosovë nga secila garë ndërkombëtare që merr pjesë. Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e nisi në mënyrën më të mirë vitin 2019, pasi e fitoi medaljen e artë në Grand Prixin e xhudos në Tel Aviv të Izraelit. Në finale, Majlinda e mposhti izraeliten Gili Cohen (52 kg). Në këtë garë medalje fitoi edhe Loriana Kuka, e cila ishte befasia më e madhe e këtij viti nga sporti i xhudos. Loriana e fitoi medaljen e argjendtë. Një muaj më vonë, Distria Krasniqi (48 kg) e fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit. Në skenë sërish u shfaq Majlinda Kelmendi që e fitoi medaljen e dytë të artë këtë vit. Majlinda në Grand Slamin e xhudos në Dyseldorf të Gjermanisë e fitoi të artën pasi në finale e mposhti mongolezen Sosorbaram Lkhagvasuren. Ndërsa në Grand Prixin e xhudos Marrakech 2019 të Marokut, Loriana Kuka e rrëmbeu medaljen e argjendtë. Medalje të argjendtë, të parën në karrierë, e ka fituar edhe Fationa Kasapi, në Kupën Evropiane për Kadete, në Zagreb të Kroacisë. Ndërsa Erza Muminoviq dhe Flaka Loxha i kanë sjellë dy medalje Kosovës në Kupën Evropiane të Xhudos për Juniore (U21) që është mbajtur në Athinë të Greqisë. Erza fitoi të artën falë pesë fitoreve, kurse Flaka shënoi pesë fitore, katër me luftë. Në fund të muajit mars, xhudistet Loriana Kuka dhe Nora Gjakova fituan dy medalje të arta në Tbilisi të Gjeorgjisë. Loriana Kuka e fitoi të artën në kategorinë deri në 78 kilogramë, pasi në finale e mposhti Kliema Antomarchi të Kubës. Ndërsa Nora Gjakova fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogramë. Në muajin prill, Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin e mbajtur në Antalia të Turqisë. Në finale Distria e mposhti Otgontsetseg Galbadrakh e Kazakistanit. Ndërsa Erza Muminoviq e ka fituar medaljen e artë në kupën evropiane të xhudos, për kadetë në Rumani. Xhudo doli e suksesshme edhe në Lojërat e dyta Evropiane “Minsk 2019”. Kosova fitoi tri medalje: Të artën e fitoi Majlinda Kelmendi, të argjendtën Nora Gjakova, ndërsa të bronztën Loriana Kuka. Në muajin korrik në Grand-Prixin e Budapestit, xhudo e mbylli me bilancin e një medaljeje të artë, dy të argjendta, një vend të pestë dhe një të shtatë. Të artën e fitoi Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kg dhe dy të argjendta u fituan nga Nora Gjakova (57 kg) dhe Distria Krasniqi (48 kg). Në muajin dhjetor Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në Mastersin e xhudos në Qingdao të Kinës, pasi në finale e mposhti mongolezen Narantsetseg Ganbaatar.

Musa Hajdari, i argjendtë në kampionatin ballkanik në Stamboll

Atleti Musa Hajdari ka fituar medaljen e argjendtë në kampionatin ballkanik të sallës për senior, të mbajtur në Turqi. Hajdari fitoi medaljen në disiplinën 800 metra. Ai arriti në cak me kohë 1:49.31, vetëm 11 të qindtat larg normës evropiane. Musa Hajdari është bursist për “Tokio 2020”.

Tetë medalje për karatenë nga Kampionati Mesdhetar

Ekipi i Kosovës në karate fitoi tetë medalje në kampionatin mesdhetar, që u mbajt në Antalia të Turqisë. Rigon Baruti fitoi medaljen e artë për kadetë (57 kg). Të bronztën e fituan Elton Musliu dhe Melos Gashi (+70 kg). Në grupmoshën e juniorëve, Betim Maliqi fitoi medaljen e argjendtë (-68 kg), ndërsa Endrit Shaqiri të bronztën (+76 kg). Në grupmoshën U21, Bunjamin Shabani fitoi të argjendtën në kategorinë 75 kilogramë, ndërsa Albulena Gërvalla (-55 kg) dhe Donita Elshani fituan të bronztën në (-68 kg). Karateja i solli Kosovës edhe dy medalje evropiane nga Danimarka, ku Albulena Gërvalla e fitoi të bronztën për U-21. Ndërsa Melos Gashi, në kategorinë e kadetëve, arriti ta rrëmbejë medaljen e argjendtë.

Image result for kosova u 21 hendboll

Hendbollistët U21 bënë historinë

Përfaqësuesja e Kosovës U21 në hendboll, nën drejtimin e strategut Fatmir Muhaxheri, u bë skuadra e parë ekipore që siguroi kualifikimin në kampionat botëror. “Dardanët” e rinj u kualifikuan në botëror, pasi fituan finalen me Taipein Kinez, me rezultat 30-26, në kuadër të garës IHF Trophy Intercontinental. Në botëror grupi i Kosovës ishte shumë i vështirë. “Dardanët” janë mposhtur nga Kroacia, Hungaria, Portugalia, Brazili dhe Argjentina, ndërsa Kosova luajti baras me Bahrejnin dhe e mposhti Australinë.

Garuesit nga Kenia triumfojnë në gjysmëmaratonën ‘Prishtina 2019’

Rreth 1200 garues kanë marrë pjesë në edicionin e 19 me radhë të gjysmëmaratonës ‘Prishtina 2019’. Çmimet kryesore edhe këtë edicion i fituan garuesit nga Kenia. Shtegun 21 kilometërsh Prishtinë-Obiliq-Fushë-Kosovë dhe anasjelltas e kaloi edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Pjesëmarrës në gjysmëmaratonë ishte edhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.

Prishtina dominon në basketboll në të dyja konkurrencat, Peja rikthehet në Superligë

KB Prishtina është shpallur kampion i edicionit 2018/19, pas triumfit ndaj KB Rahovecit në serinë finale 3-1. Kryeqytetasit triumfuan në ndeshjen e fundit me rezultat 75-104 dhe në këtë mënyrë e rrëmbyen titullin e 14-t në histori. Prishtina e fitoi edhe Kupën e Kosovës, pasi edhe në këtë finale e mposhti Rahovecin (96-60). Prishtina e fitoi edhe titullin dhe Kupën në konkurrencën e femrave. Lajm i mirë për basketbollin ishte rikthimi i KB Peja në Superligë.

Bodibilderët fitojnë katër medalje në Kampionatin Ballkanik

Garuesit e bodibuildingut dhe fitnesit të Kosovës në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në Corfu të Greqisë fituan dy medalje të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë. Bodibilderi Besard Maxharraj (100 kg) e fitoi të artën dhe u shpall kampion absolut (më i miri në të gjitha kategoritë e bodibildingut). Të artën e fitoi edhe Kushtrim Bajraktaraj (85 kg). Aldon Sadiku doli i dyti në kategorinë Classic Bodibilding -180 cm, ndërsa Flamur Gërbavci ishte i treti në Classic Bodibilding -175 cm. Blerta Ibrahimi zuri vendin e gjashtë në Wellnes, kurse Florent Kadrolli ishte i shtati në Classic Bodibilding kategoria +180 cm.

Pranohet ndërkombëtarisht Federata e Badmintonit të Kosovës

Federata e Badmintonit të Kosovës (FBK) ka kryer me sukses procesin e ndërkombëtarizimit. Kjo federatë u pranua me të drejta të plota në Federatën Botërore të Badmintonit (WBF), duke u bërë anëtarja e 192-të.

Feronikeli fiton titullin dhe Kupën, bashkë me Prishtinën dalin në Evropë

Skuadra e Feronikelit e fitoi titullin në Superligën e Kosovës në futboll, pasi e mposhti Prishtinën në ndeshjen e fundit me rezultat 1-0. Golin e vetëm e realizoi Yll Hoxha. “Nikli” e mbylli kampionatin me 80 pikë, kurse arriti të fitojë edhe Kupën duke e mposhtur në finale  Trepçën 89 (5-1). Feronikeli më pas mori pjesë në garat e Ligës së Kampionëve e në Ligën e Evropës, por pa lënë ndonjë gjurmë sikurse që nuk la as skuadra e Prishtinës në Ligën e Evropës.

Besa Famgas vazhdon dominimin në Superligë, Vashat e Istogut fitojnë titullin dhe Kupën

Besa Famgas ka fituar titullin e gjashtë radhazi të kampionit të Kosovës në hendboll. Besa në ndeshjen e fundit e mposhti Kastriotin në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj (26-25), ndërsa skuadra e Kastriotit e fitoi Kupën, pasi e mposhti në gjysmëfinale Besën e në finale Prishtinën. Në Superligën e femrave fituese dolën vashat e Istogut, derisa kjo skuadër e fitoi edhe Kupën e Kosovës.

Image result for epoka e re kampione e media liges

‘Epoka e re’ për herë të dytë kampione e Media Ligës

Gazeta “Epoka e re” e ka shkruar historinë në Media Ligë pasi është bërë ekipi i parë që e fiton dy herë trofeun e më të mirit. “Epoka…” që nga fillimi e deri në fund të kësaj lige ishte ekip dominues dhe me plot meritë është shpallur kampione. Nga 30 ndeshjet e zhvilluara ky ekip arriti t’i regjistrojë 23 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje. “Infokusi” dhe “Media Works”-i janë ekipet që kanë përfunduar kampionatin në pozitat dy dhe tre. Lojtari më i mirë i turneut është shpallur Erzen Zyberaj i “Epokës së re”, kurse epiteti i portierit më të mirë i ka takuar Arsim Popajt të “Lajmi.net”. Pas triumfit në vitin 2010, “Epoka e re” e fitoi edhe në këtë edicion titullin e kampiones, duke grumbulluar 73 pikë.

Kosova shijon fitore historike në kualifikimet për ‘Euro 2020’ në hendboll

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll i ka mbyllur me humbje kualifikimet për “Euro 2020”. “Dardanët” në Nyrnberg pësuan humbje nga Gjermania (28-17). Për Kosovën ky është një cikël historik dhe mund të vlerësohet edhe i suksesshëm pasi ka shënuar fitoren e parë në kualifikime ndaj Izraelit (27:24) dhe ka barazuar me Poloninë (23:23), në një ndeshje ku “Dardanët” kanë dominuar.

Miratohet ligji për sponsorizim në sport

Sporti i Kosovës njërin prej lajmeve më të mira e mori në mes të vitit, saktësisht më 27 qershor, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës njëzëri miratuan amendamentin i cili harmonizon Ligjin për Tatimin e të Hyrave në Korporata me Ligjin për Sponsorizim në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë. Me këtë ligj iu hapet rrugë bizneseve që të investojnë në sport dhe 30 për qind e tatimit në fitim mund ta ndajnë për sportin.

Dallku pensionohet nga futbolli, bëhet trajner i Prishtinës

Kapiteni i Prishtinës dhe ish-mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Armend Dallku, pas një karriere të pasur futbollistike edhe në arenën ndërkombëtare, u pensionua nga futbolli aktiv. Ai u emërua trajner në grupmoshat e Prishtinës, kurse më vonë drejtuesit e klubit ia besuan edhe detyrën e trajnerit në skuadrën e parë. Sezonin vjeshtor e mbylli me sukses, me tri pikë diferencë me skuadrën e parë në tabelë, kurse me Prishtinën është kualifikuar në çerekfinale të Kupës.

Kosova, e 26-ta në ‘Baku 2019’ falë Muhamet Ramadanit

Ekipi Olimpik i Kosovës ka përfunduar në vendin e 26-të nga 50 shtete pjesëmarrëse në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF), Baku 2019. Ky sukses ka ardhur pas medaljes së artë të atletit Muhamet Ramadani. Ai fitoi të artën në disiplinën hedhje e gjyles. Ekipi i Kosovës u përfaqësua në kryeqytetin e Azerbajxhanit me 18 sportistë të pesë sporteve të ndryshme, ndërsa fitoi një medalje.

Kosova, e pasuksesshme në ‘Eurobasket  2021’

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll i mbylli parakualifikimet e “Eurobasket 2021” me humbje pasi u mposhtë në Mançester nga Britania e Madhe (101-79). Derisa Britania siguroi kualifikimin tutje,  “Dardanët” përfunduan me një fitore dhe tri humbje.

Kosova mori pjesë në Lojërat e dyta Mesdhetare

Kosova mori pjesë në Lojërat e dyta Mesdhetare në Rërë, “Patra 2019”. Flamurin e Kosovës në parakalim e mbajti notari Arti Krasniqi. Krahas notarit Krasniqi, Kosova u përfaqësua edhe me dy ekipe në beach volley. Arti doli i katërti nga 16 pjesëmarrës në disiplinën 5 kilometra në ujëra të hapura. Ekipi i meshkujve në beach vollej shënoi një fitore ndaj Andorrës, ndërsa u mposhtë nga Portugalia dhe Greqia, për të përfunduar në mesin e 12 ekipeve nga 16 sosh. Ekipi i femrave pësoi dy humbje nga medalistja e artë, Franca 1 dhe Sllovenia.

Kosova tregon ‘dhëmbët’, nuk lejon zhvillimin e ndeshjes ilegale ‘Trepça’-‘Crvena Zveda’

Klubi serb i futbollit “Crvena Zveda” dhe tifozët e tij nuk janë lejuar të futen në Kosovë për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj skuadrës “Trepça” nga Mitrovica Veriore. Ekspedita e klubit serb është ndalur në pikën kufitare Jarinjë nga Polica e Kosovës, pasi Federata e Futbollit e Kosovës kishte kërkuar të mos lejohej zhvillimi i këtyre ndeshjeve ilegale në territorin  Kosovës.

Gjimnastet prezantojnë Kosovën në Slloveni dhe Greqi

Federata e Gjimnastikës së Kosovës është prezantuar në muajin tetor në turneun ndërkombëtar në Maribor të Sllovenisë me 13 gjimnastë. Gjimnastët që e përfaqësuan me sukses Kosovën ishin Bora Hoti, Vilëza  Zeqiri, Valëza Rama, Altina Krasniqi, Regjina Shala, Elena Mangjolli, Diella Latifaj, Viera Gërguri, Elion Vitia, Elvis Çitaku, Ermal Hyseni, Dite Behluli dhe Alfredo Vincenzo, si dhe trajnerët Sherife Aliqkaj-Qerimi, Shkumbin Maqastena dhe zyrtari Federatës, Bujar Zatriqi. Gjimnastet e Kosovës morën pjesë edhe në garën ‘Horizon Cup’ e cila është mbajtur në Selanik të Greqisë. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 19 shtete, kurse Kosova u prezantua me gjimnastet e KGJ “Elita”, Vilëza Zeqiri, Valëza Rama e Lisa Zeqiri dhe trajnerët e tyre Shkumbin Maqastena e Abeliana Bregu.

Shqipëria e pasuksesshme në kualifikueset për Evropian

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, përveçse pati një kampanje dështuese në Ligën e Kombeve, hiq më mirë nuk ka kaluar as në kualifikimet për “Euro 2020”. Drejtuesit e Federatës Shqiptare e shkarkuan Christian Panuccin nga detyra dhe emëruan Edy Rejan, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të arritur sukses. Kuqezinjtë kampanjën kualifikuese e mbyllën në vendin e katërt me 13 pikë.

Bojku, fitues i turneut ‘Adem Jashari’

Reprezentuesi i Kosovës në boks, Shpëtim Bajoku, është shpallur fitues i turneut të 21-të ndërkombëtar “Adem Jashari”. Në finale Bajoku e mposhti boksierin nga Bosnje e Hercegovina, Ivan Blazeviq.

Kosova e treta në eliminatore, por kualifikimin mund ta arrijë nga Liga e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pasur paraqitje të mira dhe rezultate pozitive në kualifikueset për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, por nuk ka arritur ta sigurojë kualifikimin. “Dardanët” i mbyllën kualifikueset për “Euro 2020” në vendin e tretë në grup, me 11 pikë të tubuara, shtatë më pak se Anglia dhe katër më pak se Çekia. Megjithatë, Kosova ka edhe një mundësi për kualifikim përmes Ligës së Kombeve. Më 26 mars luan ndeshjen gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut në udhëtim, ndërsa fitorja e dërgon në finale me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë.

KOK-u bëhet anëtar i FICTS

Komiteti Olimpik i Kosovës është bërë anëtar i 121-të i Federatës Ndërkombëtare për Kinemanë Televizive Sportive (FICTS). Njohja e KOK-ut në FICTS ia hap dyert edhe Kosovës, e cila që nga viti i ardhshëm do ta organizojë Festivalin e Filmit Sportiv në Kosovë, ndërsa filmat më të mirë të zhanreve të ndryshme të zgjedhur në Festivalin e Kosovës nga Juria profesionale do të marrin pjesë në Kampionatin Ndërkombëtar të FICTS, që do të mbahet për herë të 38 në Milano të Italisë, në nëntorin e vitit 2020.

Themelohet Federata e Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës

Me nismën e Komitetit Olimpik të Kosovës është themeluar Federata e Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës (FLSTK). Unanimisht kryetar u zgjodh profesor Fadil Hysaj. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga Fejsal Shaqiri, Drilon Beqiri, Nezir Shehu, Kaltrina Hasani, Sadik Krasniqi dhe Masar Kabashi. Ndërsa sekretar i përgjithshëm u zgjodh Nazmi Ibërdemaj.

Ahmeti ia mësyn postit të kryetarit në FFK, KE e shkarkon 

Pavarësisht sukseseve të mëdha nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe shumë punëve të mira në Federatën e Futbollit të Kosovës, Agim Ademi nuk është lënë rehat në karrigen e kryetarit të FFK-së. Zëvendëssekretari Arianit Ahmeti ia ka mësyrë postit të kryetarit ku ka paralajmëruar zgjedhje më 15 janar të vitit 2020, por drejtuesit e federatës kanë paralajmëruar se nuk do të ketë zgjedhje deri më 2022 pasi, sipas tyre, Ademi është zgjedhur për një mandat katërvjeçar. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka shkarkuar Ahmetin nga posti i zëvendëssekretarit.

Boksi rrëmben pesë medalje në Kampionatin Ballkanik, Donjeta e artë

Në vitin 2019 edhe boksi pati sukseset e veta, por më i madhi ishte Kampionati Ballkanik “Antalia 2019”, ku Përfaqësuesja e Kosovës fitoi pesë medalje. Donjeta Sadiku e fitoi të artën, pasi në finale e mposhti turken Sema Caliskan (-64 kg). Shpejtim Bajoku (-63 kg) dhe Besart Pireva (-75 kg) u stolisën me medalje të argjendta, kurse të bronztën e fituan Patriot Behrami (-69 kg) dhe Bashkim Bajoku (-52 kg).

Futbollistët shqiptarë që shkëlqyen dhe zhgënjyen

Shumë futbollistë shqiptarë kanë shkëlqyer gjatë vitit 2019. Pa dyshim që në krye është Vedat Muriqi që arriti të transferohet te Fenerbahçe pas një edicioni të shkëlqyeshëm me Rizesporin. Muriqi shkëlqejë edhe me fanellën e Kosovës, kurse krahas tij shkëlqim të madh pati edhe Milot Rashica, i cili është rikthyer në lojtarin kryesor të Werder Bremenit, por edhe ndër më të mirët te Kosova. Hap të madh në karrierë bëri edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili është transferuar nga Dinamo Zagrebi në Hellas Verona. Të shkëlqyeshëm ishin edhe lojtarët si Bersant Celina, Fidan Aliti, Benjamin Kollolli, Herolind Shala, por pa harruar edhe lojtarët që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë si Etrit Berisha,Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti e shumë të tjerë. Ndërsa nga dështimet më të mëdha ishte Eros Grezda, i cili ka stagnuar shumë si në kombëtaren kuqezi, po ashtu edhe në skuadrën e Rangersit.

Sporti i Kosovës në pikëllim, shumë sportistë ndërruan jetë

Në vitin 2019 Kosova humbi shumë sportistë që gjithë jetën e tyre ia kushtuan sportit. Në moshën 63-vjeçare u nda nga jeta ish-trajneri dhe ish-portieri i mirënjohur Skënder Sahiti. Kosova mbeti edhe pa doajenin e ndarjes së drejtësisë, gjyqtarin e parë nga Kosova me stemë të FIFA-s, Shinasi Berisha, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare. Po ashtu, jetë ndërruan edhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Federatës së Karatesë së Kosovës dhe trajner i Klubit të Karatesë “Elita” nga Gjilani, Xhevat Shabani, presidenti i Federatës së Badmintonit të Kosovës, Jeton Nebiu si dhe gazetari sportiv Mustafë Lecaj. Në amshim shkoi edhe Artan Venhari, kryetar i Federatës Aeronautike të Kosovës si dhe futbollistja shqiptare Florijana Ismaili. Edhe ikona e hendbollit gjilanas, Agim Shahini.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë Kosovës në Pejë ka bërë një…