Ngjarjet më kryesore në ekonomi gjatë vitit 2024

01 janar 2025 | 11:38

Rritja ekonomike në 4.3 %, rritja e pagave në sektorin publik dhe e pensioneve, ndarja e 100 eurove për fundvit për fëmijë dhe pensionistë, peticioni i dorëzuar nga SBAShK-u për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, mbyllja e pikave të derivateve në veri, shkarkimi i Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit të KEK-ut, lansimi i projektit për investime nga mërgata, rritja e pagës minimale në 350 euro, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në 2024 regjistroi 4 milionë pasagjerë, shpërndarja e faturave të rrymës në veri, ishin disa nga ngjarjet që e karakterizuan vitin 2024 në sektorin e ekonomisë

Përgatiti: Qendresa RAMA / Epoka e re

Viti 2024 mbyllet me rritje ekonomike 4.3 %

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, në konferencën e fundvitit për medie, ka thënë se viti 2024 do të mbyllet me rritje ekonomike prej 4.3-përqindësh. Ismaili bëri me dije se, megjithëse deri në shtator ishte regjistruar një rritje prej 4.6 %, ekonomia e Kosovës pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3 % për këtë vit. “Ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3 % për vitin 2024. Derisa deri në shtator është arritur një rritje prej 4.6 %. Shkalla mesatare e inflacionit në Kosovë arriti 1.7 % në nëntor, e pritjet janë që inflacioni të mbyllet në 1.6 %, siç pritet të jetë edhe në vitin 2025”, tha ai.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” regjistroi 4 milionë pasagjerë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka regjistruar katër milionë pasagjerë, përfshirë këtu pasagjerë shqiptarë e të huaj, nga brenda e jashtë vendit, që kanë udhëtuar nga dhe drejt Prishtinës përmes këtij aeroporti. Në shënim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, kryeministri Kurti nënvizoi që nga koha e liberalizimit të vizave kemi më shumë se dyfishim të pasagjerëve, 46 % rritje të fluturimeve si dhe kemi 16 destinacione të reja e 16 operatorë të rinj.

U ndahen 100 euro pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç

Qeveria e Kosovës ua ka ndarë nga 100 euro shtesë për fundvit të gjithë pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç. Megjithatë, ky vendim u kritikua nga opozita e disa analistë se Kurti e bëri këtë për qëllime të fushatës zgjedhore. Një vendim i tillë ishte marrë edhe vitin e kaluar.

ATK-ja mblodhi rreth 950 milionë euro në tatime

Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur rreth 950 milionë euro në tatime nga janari deri në dhjetor të këtij viti. Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në konferencën përmbyllëse të vitit, ka theksuar se, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje për 100 milionë euro apo rreth 12 % në raport me vitin paraprak.

Përdorim rekord i qymyrit në botë më 2024

Përdorimi botëror i qymyrit pritet të arrijë nivel rekord të të gjitha kohëve më 2024, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji, teksa viti që po lëmë pas, sipas të gjitha gjasave, do të jetë më i ngrohti i regjistruar në histori. Pavarësisht prej thirrjeve për ta ndalur djegien e lëndës më të ndyrë fosile të njerëzimit që po nxit ndryshime klimatike, ANE ka thënë se pret që kërkesa globale për qymyr të arrijë shifra rekorde për të tretin vit rresht, raporton AFP. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se gazrat serrë që ngrohin planetin duhet të shkurtohen në mënyrë drastike për ta kufizuar ngrohjen globale, në mënyrë që të shmangen efektet katastrofike ndaj Tokës dhe njerëzimit.

Deputetët miratojnë në lexim të dytë Projektligjin për Buxhetin e vitit 2025

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove. Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim. Më 11 nëntor deputetët e kishin miratuar në lexim të parë këtë projektligj. Vlera e projektbuxhetit për vitin 2025 është 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024, që kishte vlerën 3.3 miliardë euro.

Qeveria njofton rritje pagash për sektorin publik nga janari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025. Ai ka bërë me dije se vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficienteve për njësi. Sipas Ligjit për Paga, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Niveli shumëzohet me vlerën dhe përcakton pagën. Ai tha se rritja e dytë e pagave për 55 euro të tjera do të bëhet edhe verën e ardhshme, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në shkurt 2025.

ARKEP autorizon “Starlink”-un për të ofruar shërbime në Kosovë

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (ARKEP) e ka autorizuar kompaninë amerikane “Starlink” për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës. Në të gjithë globin, “Starlink” u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste të tjera të emergjencave kombëtare. Hyrja e kësaj kompanie globale në tregun vendor do të ndikojë edhe në përfitime ekonomike dhe zhvillim të përgjithshëm të Kosovës. “Starlink” është rrjet privat satelitor i internetit që zotërohet prej kompanisë “SpaceX”, të miliarderit Elon Musk. “Starlink” besohet se i ka rreth 4 800 pajisje në orbitë, përmes të cilave ofrohet internet në rreth 100 vend të botës.

Kosova nuk përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA

Kosova do të përfaqësohet tani nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pas një vendimi të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për ta pranuar kërkesën e saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit. Shtetet anëtare të CEFTA-s janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia. Rumania, Bullgaria dhe Kroacia u tërhoqën nga CEFTA pas anëtarësimit të tyre në BE.

Qeveria e Kosovës i rrit pensionet për 20 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vitit që lamë pas ka njoftuar se qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti. Ai bëri me dije se pensionet e përcaktuara me Ligjin për Kategoritë e Luftës do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025.

Kosova heq kufizimin në Merdar për mallrat nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 7 tetor ka thënë se në pikën kufitare me Serbinë, Merdar, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend. Ai ka thënë se qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar. Serbia ka reaguar pas vendimit, duke thënë se është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë. Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.

SBAShK-u dorëzon peticionin për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) ia ka dorëzuar kryesisë së Kuvendit të Kosovës një peticion që kërkon ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale që financohen nga shteti. Peticioni është nënshkruar nga 20 606 qytetarë. SBAShK-u synon që përmes kësaj nisme të adresohen disa nga sfidat me të cilat përballen punonjësit e arsimit dhe të sektorëve të tjerë publikë që përfitojnë nga skemat pensione, duke kërkuar të ketë ndryshime në përfitimet e pensionistëve.

Mbyllen disa pika të derivateve në veri të Kosovës

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes të Tregut në Kosovë ka mbyllur disa pika të derivateve në veri për shkak se operonin pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës. Sipas njoftimit, pompat që u mbyllën gjendeshin në Zveçan dhe Leposaviq. Në fotografitë që i janë bashkëngjitur njoftimit të lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shihet logoja e kompanisë NIS.

AUV rrit kontrollin ndaj produkteve të shpendëve që importohen nga Brazili

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë gjatë vitit 2024 ka njoftuar se ka rritur nivelin e kontrollit për ngarkesat me produkte të shpendëve nga Brazili për shkak të shpërthimit të sëmundjes Newcastle. Kjo sëmundje prek shpendët shtëpiake dhe është shumë ngjitëse. AUV ka thënë se ka pranuar paralajmërim prej Ministrisë së Bujqësisë dhe Blegtorisë në Brazil për suspendimin e përkohshëm të certifikimit për eksportet e mishit të shpendëve dhe produkteve të tij.

Nagip Krasniqi shkarkohet nga pozita e kryeshefit të KEK-ut

Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e ka liruar Nagip Krasniqin nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes. Ai ka qenë i pezulluar nga kjo detyrë nga viti 2023. Bordi i KEK-ut, në mbledhjen e datës 23.04.2024, njofton se mori vendim që në ditët në vijim të iniciohen procedurat për shpalljen e konkursit për pozitën tanimë vakante të kryeshefit ekzekutiv. Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit sa ishte kryeshef i KEK-ut.

Rritja e kërkesës për rrymë “do t’i mbajë gjallë termocentralet me thëngjill”

Kërkesa për rrymë në botë është duke shënuar rritjen më të shpejtë në gati 20 vjet për shkak të përdorimit të kondicionerëve si pasojë e rritjes së temperaturave, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, në një raport të publikuar të premten. Sipas gjetjeve, ky trend, që pritet të vazhdojë edhe më 2025, nënkupton vazhdimësinë e përdorimit të energjisë me thëngjill, ndonëse do të rriten kapacitetet e energjisë së ripërtërishme. Shumë vende në botë janë duke regjistruar temperaturë rekorde dhe valë të të nxehtit.

Paga minimale në Kosovë rritet në 350 euro

Qeveria e Kosovës mori vendim gjatë një mbledhjeje ta rrisë pagën minimale në vend në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave. Kjo rritje u bë vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për Pagën Minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat. Por, me vendimin e ri të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, shkalla e re e pagës minimale do të jetë dy euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për orar të plotë.

Operimi i hidrocentraleve të Deçanit dërgohet në Kushtetuese

Çështja e operimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Lumëbardhit në komunën e Deçanit ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Organizata Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Pishtarët dhe disa qytetarë të Deçanit kanë dërguar në Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të datës 5 mars 2024. Nëpërmjet këtij aktgjykimi ishin vlerësuar si të ligjshme procedurat dhe vendimet për dhënien e lejeve ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumëbardhi 2”. Këto organizata dhe një grup i qytetarëve nga Deçani vlerësojnë se Aktgjykimi i Supremes është në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës lanson projekt për investime nga mërgata

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe Agjencinë e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), lansoi projektin “Dritarja për Investime të Diasporës”, i cili synon të sjellë investime të mërgatës në Kosovë. Përmes këtij projekti, tha ai, mërgata do ta ketë më të lehtë aplikimin për kredi për investime në Kosovë.

Kushtetuesja shpall të pavlefshëm Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në vendim, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji, por tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore “është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”. Lënda në Kushtetuese u dërgua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që është subjekti më i madh opozitar.

Kushtetuesja refuzon kërkesën për pezullimin e Rregullores së BQK-së për dinarin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshëm kërkesën e Vasilije Arsiqit, që gjykata të vlerësojë kushtetutshmërinë e Rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt. Kushtetuesja tha se Arsiq kishte kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme, përkatësisht të pezullohej zbatimi i rregullores, që parasheh euron si monedhën e vetme për pagesa me para të gatshme. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se parashtruesi nuk kishte shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj për t’i mbështetur pretendimet për cenim të të drejtave dhe lirime themelore të njeriut.

Miratohet marrëveshje për kredinë për banimin social

Më 23 maj Kuvendi miratoi marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE). Për këtë marrëveshje votuan 80 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në prezantimin e kësaj marrëveshjeje, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo kredi është për projektin “banimi social adekuat” dhe kap vlerën 25 milionë eurove. Marrëveshja përfshin ngritjen e numrit të njësive për banim social që mund të bëhet duke rinovuar banesat sociale ekzistuese, shndërrimin e ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe në ndërtimin e banesave sociale.

MCC-ja dhe Kosova lansojnë programin për energjinë në vlerë prej 236 milionë dollarësh

Gjatë vitit që lamë pas Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës kanë lansuar zbatimin e programit kompakt, që është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër. Programi, që sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është i vetmi në Evropë që ka MCC-ja, është në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo vlerë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës. “Ky program do të ndërtojë vende për ruajtjen e energjisë apo bateri për ruajtjen e energjisë. Ky sistem i ruajtjes do të ndihmojë në tranzicionin, do të mundësojë integrimin e energjisë së ripërtërishme dhe do ta lejojë Kosovën ta menaxhojë më mirë fuqinë e shpenzimeve”, tha Hovenieri në ceremoninë e lansimit të programit.

Për herë të parë Kosova merr vlerësim kreditor

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës bëri me dije se agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings ka dhënë vlerësim kreditor ‘BB’ për Kosovën. Vlerësimi kreditor mat aftësinë e qeverisë për t’i shlyer borxhet e saj. “Ky vlerësim kreditor do të shërbejë si një pasaportë për Kosovën për çdo investitor të huaj që është i interesuar të shohë se a ia vlen të investohet në vendin tonë. Po ashtu, do të ndikojë në uljen e kostos së financimit që, rrjedhimisht, do të ketë mundësi më tepër për financim për bizneset tona”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një video-deklarate të publikuar në “Facebook”. Kjo është hera e parë që është publikuar një vlerësim kreditor për Kosovën. Sipas Ministrisë së Financave, kjo “merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar dhe cilësinë e qeverisjes, ndër të tjera”.

Prokuroria e fton për intervistim ministren Hajdari për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të hënën se ka thirrur për intervistim ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës (MINT), Rozeta Hajdari, e cila dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Megjithatë, Prokuroria tha se Hajdari e ka mbrojtur veten në heshtje në paraqitjen e saj si e pandehur para prokurorëve. “Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha Prokuroria.
Verën e kaluar ishin arrestuar tre persona, dy prej të cilëve pjesëtarë të Ministrisë së Hajdarit, të dyshuar për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Punëtorët e Telekomit protestojnë pasi bllokimi i llogarisë së kompanisë i la pa paga

Pjesëtarët e Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës disa herë gjatë vitit kanë protestuar para objektit kryesor që shfrytëzohet prej Telekomit në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie për mosmarrje të pagës. Llogaritë e Telekomit të Kosovës ishin bllokuar disa herë si pasojë e një borxhi në vlerë të disa miliona eurove ndaj kompanisë tjetër telefonike “Z-Mobile”. Menaxhmeti i Telekomit pati deklaruar se më 29 shkurt 2024 Telekomi kishte marrë njoftim për bllokim të llogarive.

Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

Në veri të Kosovës nga 29 shkurti ka filluar shpërndarja e faturave të energjisë elektrike. Faturat i ka lëshuar kompania “Elektrosever”, që është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije). Kjo kompani mori licencën për autoritetet në Kosovë më 24 qershor të vitit 2023. Banorët e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga viti 1999 nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar.

Qeveria ndan fonde për punësimin e qytetarëve në veri

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) njoftoi të hënën se e ka ndërmarrë një masë për t’i ndihmuar të punësohen qytetarët në katër komunave me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ministria tha se do ta subvencionojë 70 % të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurove për qytetarët në veri si shenjë përkrahjeje për punësimin e tyre.

Kuvendi dështon ta miratojë një rezolutë që kërkon uljen e çmimit të rrymës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë një draft-rezolutë të propozuar nga opozita për uljen e çmimit të energjisë elektrike, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, abstenuan. Me 29 vota për, asnjë kundër dhe 55 abstenime, draft-rezoluta nuk i mori votat e nevojshme. Kjo është hera e dytë që kjo draft-rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dështon në Kuvend, pasi partia e kryeministrit Albin Kurti e kishte braktisur seancën e kaluar kur ajo pritej të hidhej në votim më 18 janar. Rezoluta nuk ishte konsideruar serioze nga Lëvizja Vetëvendosje.

MINT: Konsumatorët mund t’i shkëpusin kontratat me operatorët kabllorë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) tha se konsumatorët mund t’i shkëpusin kontratat e tyre me operatorët kabllorë, nëse këta të fundit nuk kanë përmbushur obligimet sipas kontratës. Sipas një njoftimi për medie, MINT tha se ka marrë këtë vendim pasi ka shqyrtuar qindra ankesa të konsumatorëve, duke shtuar se obligon operatorët kabllorë “t’i largojnë kushtet e padrejta në kontratë”. MINT tha se detyrimi i vendosur që konsumatorët ta paguajnë pjesën e mbetur të kontratës, nëse operatorët kabllorë ndryshojnë përmbajtjen e shërbimit/kanalet, është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Zgjerohet skema “Superpuna”

Qeveria e Kosovës ka vazhduar platformën “Superpuna” e cila ka nisur një vit më parë. Përmes kësaj platforme, ekzekutivi në Prishtinë subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një ngjarje të organizuar për këtë çështje, tha se me vazhdimin e platformës do të zgjerohet edhe grup-mosha e personave që do të kenë të drejtë të aplikojnë.

Hyn në fuqi vendimi i BQK-së për pagesat me euro

Më 1 shkurt në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet e serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje. Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

Lekaj dënohet me tre vjet e tetë muaj burgim për rastin e 53-milionëshit

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës. Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar, ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, përmes të cilit ia ndalon për një periudhë prej tre vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit në administratën publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi…