Ngjarjet më kryesore që përcollën botën në 2023
Luftë e pamëshirshme në Ukrainë, një përpjekje për rebelim në Rusi, konflikt në Kaukaz, dhunë në Lindjen e Mesme, një verë me ngjarje të motit ekstrem, të nxitura nga ndryshimet klimatike. Këto janë disa prej ngjarjeve kryesore që karakterizuan vitin 2023, shkruan “Epoka e re”.
Mbi 80 të vrarë në sulmin vetëvrasës në një xhami në Pakistan
30 janar – Një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë brenda një xhamie plot me njerëz, në një kompleks policor, në Peshavar të Pakistanit, duke vrarë më shumë se 80 persona e duke plagosur të paktën 200 të tjerë. Për sulmin zyrtarët pakistanezë fajësuan organizatën Tehreek-e-Taliban Pakistan, apo TTP, e cila e mohoi përfshirjen.
Tërmeti në Turqi dhe Siri ua merr jetën 50 mijë personave
6 shkurt – Një termet prej 7.8 ballësh goditi Turqinë juglindore dhe pjesë të Sirisë, në orët e hershme të 6 shkurtit, i pasuar nga tërmete të shumta më të vogla. Numri i të vdekurve e kaloi shifrën 50 mijë në të dyja vendet. Tërmetet dëmtuan dhe shkatërruan qindra mijëra ndërtesa, duke lënë edhe një numër të madh të njerëzve pa strehë.
Lëshohet fletarrestim kundër Putinit
17 mars – Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një fletarrestim ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për përgjegjësi për krime lufte të kryera gjatë pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia. Akuzat përfshijnë dërgimin e paligjshëm të fëmijëve dhe transferimin ilegal të njerëzve nga Ukraina drejt Rusisë. Kremlini e quajti vendimin të papranueshëm dhe tha se ky fletarrestim është i pavlefshëm brenda Rusisë.
Arrestohet ish-kryeministri i Pakistanit
9 maj – Agjencia Kundër Korrupsionit e Pakistanit e arrestoi ish-kryeministrin Imran Khan në Gjykatën e Lartë të Islamabadit. Khan ishte rrëzuar nga posti në vitin 2022 dhe përballej me akuzat se kundërligjshëm kishte shitur dhurata shtetërore dhe kishte fshehur pasuri si kryeministër. Mbështetësitë e tij u ngritën kundër arrestimit të tij, teksa policia shtypi protestat duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.
Charles III, zyrtarisht Mbret i Anglisë
6 maj – Në Angli është mbajtur ceremonia madhështore dhe fetare në Westminster Abbey për kurorëzimin e monarkut Charles III. Kurorëzimi është ndjekur nga shumë personalitete që kanë marrë pjesë nga e gjithë bota dhe mijëra njerëz që ishin mbledhur në Londër. Kryepeshkopi i Canterbury Justin Welby ia ka vendosur kurorën e Shën Eduardit mbi kokë Charles III, pjesa më e rëndësishme e shërbimit të kurorëzimit. Kjo është hera e vetme që Charles do ta mbajë kurorën e Shën Eduardit, e cila është e rezervuar për kurorëzimin e një monarku të ri. Mediet britanike kanë shkruar se ky është kurorëzimi i parë i Britanisë në 70 vjet, teksa kurora 360-vjeçare është mbi 30 cm e gjatë, me peshë rreth 2.23 kg dhe e bërë prej ari të ngurtë 22 karatësh.
Erdogani rizgjedhet president i Turqisë
28 maj – Rexhep Tajip Erdogan është shpallur edhe një herë fitues i zgjedhjeve presidenciale në Turqi, duke e mposhtur kështu rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu.
Erdogani tash e nëntë vjet e udhëheq vendin si president, ndërkaq pjesë e udhëheqjes së shtetit ka qenë që 20 vjet. Në vitet 1970 dhe 1980 Erdogani ishte aktiv në qarqet islamike, duke iu bashkuar Partisë pro-islamike të Mirëqenies.
Në vitin 2001 ai themeloi një parti të re, me rrënjë islamike, Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ku në vitin 2002 AKP kishte fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe që atëherë ka qeverisur vendin. Erdogani ishte kryeministër i Turqisë nga viti 2003 deri më 2014, duke kaluar pastaj po këtë vit në president të vendit. Prej 2018-s në Turqi presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e kryeministrit nuk ekziston më.
Rusia shkatërron digën Nova Kahovka në Ukrainë
6 qershor – Shpërthimi i digës Nova Kahovka në lumin Dnjepër shkaktoi vërshime masive në një zonë të okupuar nga Rusia në Jug të Ukrainës. Fshatra dhe qyteza u përmbytën, ndërsa mijëra njerëz u detyruan të evakuohen. Ukraina akuzoi Rusinë, e cila kontrollonte digën që nga muajt e hershëm të vitit 2022, për sabotim të qëllimshëm. Zyrtarët rusë në territoret e okupuara në bregun lindor të Dnjeprit thanë se ishte Ukraina ajo që shkatërroi digën për ta larguar vëmendjen nga mungesa e sukseseve në fushëbetejë.
Kanadaja dhe ShBA-ja përfshihen nga zjarret
7 qershor – Zjarret pyjore u përhapen nëpër Kanada ndërsa tymi arriti deri në lindje të Shteteve të Bashkuara duke ngritur alarmin për cilësinë e ajrit, qindra kilometra larg vatrave të tyre. Për zjarret e përhapura u fajësua moti i pazakonshëm i nxehtë dhe i thatë, i nxitur nga ndryshimet klimatike. Ngjarje të tjera të shkaktuara nga moti ekstrem u regjistruan më vonë gjatë verës. Muaji korrik ishte muaji më i nxehtë i regjistruar, ndërsa pjesë të mëdha të Evropës u ballafaquan me përmbytje dhe zjarre të rrezikshme gjatë gushtit.
Ndërron jetë Silvio Berlusconi
12 qershor – Ish-kryeministri i Italisë, i cili ishte përballur me skandale të shumta, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Përtej përpjekjeve të tij politike, ai ishte një biznesmen i suksesshëm, dhe njihet për themelimin e kompanisë më të madhe mediatike italiane. Kryeministri italian më jetëgjatë i pasluftës është përfshitë në skandale dhe akuza për korrupsion. Ai e ka udhëhequr Italinë tri herë midis viteve 1994 dhe 2011, gjithsej për 9 vjet.
Wagneri merr nën kontroll Rostovin, vritet Prigozhini
24 qershor – Forcat e armatosura të grupit mercenar Wenger, të udhëhequra nga Yevgeny Prigozhin, morën kontrollin e qytetit jugor rus Rostov. Prigozhini dërgoi disa prej forcave private të tij drejt Moskës, duke e quajtur avancimin “marsh për drejtësi”, për largimin e komandantëve të korruptuar ushtarakë, që ia i fajësoi për humbjet në Ukrainë. Kremlini arriti një marrëveshje me Prigozhinin për t’i dhënë fund rebelimit, duke thënë se udhëheqësi i mercenarëve do të largohej drejt Bjellorusisë, dhe se ndaj tij nuk do të zhvillohej rast penal. Prigozhini dhe udhëheqës të tjerë të Wangerit më vonë u konfirmuan të vdekur, pas rrëzimit të një avioni në rajonin rus Tver, më 24 gusht.
Mbahen protesta masive kundër kodeve të veshjeve të grave në Iran
15 korrik – Në korrik në Iran vazhduan protestat masive kundër zbatimit të kodeve të ashpra të veshjes fetare për gratë. Në Teheran gratë dhe vajzat hoqën shamitë e tyre të kokës në një teatër plot njerëz. Në Rasht demonstruesit u ballafaquan me policinë, e cila u përpoq t’i arrestonte gratë protestuese. E ashtuquajtura “polici e moralit” e Iranit shtoi patrullimet për t’i zbatuar kodet e veshjes, mes zemërimit dhe protestave në mbarë vendin, pas vdekjes së një gruaje iraniane, MahsaAmini, gjatë kohës sa ishte në paraburgim në shtatorin e vitit 2022. Ajo ishte arrestuar për shkak se gjoja nuk e kishte veshur si duhet hixhabin.
Ngrehet aktakuzë kundër Donald Trumpit
1 gusht – Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi ish-presidentin Donald Trump për konspiracion për mashtrimin e Shteteve të Bashkuara përmes pengimit të Kongresit për caktimin e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Trumpi i hodhi poshtë akuzat. Më vonë gjatë muajit gusht Trumpi u ngarkua me disa akuza të tjera penale në shtetin e Xhorxhias, për korrupsion me bashkëpunëtorët e tij për ta zhbërë humbjen e tij zgjedhore më 2020. Ai, po ashtu, po përballet me akuza për mashtrim biznesor, për shkelje gjatë fushatës dhe për nxjerrje të dokumenteve të ndejshme nga Shtëpia e Bardhë në kohën kur ai po vazhdon garën e tij për t’u kthyer në pozitën e presidentit më 2024.
Azerbajxhani nis operacionin për ta rimarrë Nagorno-Karabakun
19 shtator – Forcat azerbajxhanase nisën një operacion për ta rimarrë në kontroll Nagorno-Karabakun, një territor i kontestuar, i banuar me shumicë armene. Protestat shpërthyen në kryeqendrën e Armenisë, Jerevan, teksa turmat e zemëruara kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinian. Forcat separatiste armene në Nagorno-Karabakun u pajtuan për një armëpushim më 20 shtator, vetëm 24 orë pas fillimit të operacionit ushtarak. Sulmi shtyu mbi 100 000 armenë të ikin nga territori brenda më pak se një jave. Pashinian akuzoi Azerbajxhanin për “spastrim etnik” në rajon, një deklaratë që u mohua kategorikisht nga Bakuja.
Narges Mohammadi fiton Çmimin Nobel për Paqe
6 tetor – Komiteti Norvegjez ia dha Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023 aktivistes iraniane për të drejtat e grave, Narges Mohammadi, e cila po vuan një dënim me burgim prej 12 vjetësh. Komiteti i Nobelit i bëri thirrje Iranit ta lirojë Mohammadin, e cila ka bërë fushatë për të drejtat e grave dhe për shfuqizimin e dënimeve me vdekje. Ajo ishte ndër mijëra protestuesit e arrestuar gjatë demonstratave masive më 2022.
Hamasi sulmon Izraelin, lufta vazhdon
7 tetor – Grupi radikal palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm në jug të Izraelit, duke lëshuar raketa nga Gaza dhe duke dërguar luftëtarë matanë kufirit. Sulmuesit e Hamasit vranë mbi 1 200 persona dhe morën pengë rreth 240 izraelitë. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u tha qytetarëve se vendi ndodhej në luftë. Izraeli u kundërpërgjigj me bombardimin më të ashpër të Rripit të Gazës në historinë 75-vjecare të konfliktit të tij me palestinezët. Gjatë muajve pasues sulmet ajrore dhe tokësore vranë më shumë se 18 600 palestinezë. Rreth dy milionë njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, duke nxitur kritika ndaj operacioneve të Izraelit nga ana e disa qeverive të huaja.
Afganistani goditet nga tërmetet
7 tetor – Një varg tërmetesh goditën provincën e Heratit në Afganistan dhe në ditët pasuese duke shkaktuar shkatërrim të madh. Shpëtimtarët nxituan të gjejnë të mbijetuar mes rrënojave, disa prej të cilëve u dërguan në spitale me transport ajror. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se gati 1 500 njerëz u mbytën nga tërmetet.
Pakistani dëbon dhjetëra mijëra afganë
30 tetor – Në fund të tetorit dhjetëra mijëra afganë që jetonin në Pakistan nxituan drejt kufirit para skadimit të një afati që u kërkonte atyre të largoheshin nga vendi. Islamabadi tha se rreth 1.7 milion refugjatë dhe emigrantë pa dokumente duhej të largoheshin deri më 1 nëntor, në të kundërtën do të përballeshin me arrestim dhe dëbim. Vendimi nxiti kritika të shumta nga agjencitë e OKB-së dhe grupet për të drejtat e njeriut. Mbi 400 000 njerëz hynë në Afganistan deri në dhjetor, teksa grupet humanitare thanë se shumë njerëz nuk kishin strehim adekuat, ushqim, ujë të pijshëm dhe tualete.
Henry Kissinger ndërron jetë në moshën 100-vjeçare
29 nëntor – Diplomati amerikan dhe nobelisti Henry Kissinger ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare. Duke shërbyer si këshilltar i shquar i presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, Kissingeri kishte pasur ndikim të fuqishëm në politikën e jashtme të ShBA-së. Ndërsa shumë e admiruan përvojën e tij, të tjerë e cilësuan si “kriminel lufte për shkak të mbështetjes së tij për diktaturat”, veçanërisht atë të Amerikës Latine.
Në vitin 1973 Kissingerit dhe Le DucTho të Vietnamit u është dhënë dhe ndarë çmimi Nobel për Paqe. Kjo përzgjedhje bëri që ata të jepnin dorëheqje, e cila është thënë se kishte ardhur shkaku i bombardimit sekret amerikan të Kamboxhias.
BE-ja pajtohet për hapjen e negociatave me Ukrainën
14 dhjetor – Teksa Ukraina po vazhdon një luftë gati dyvjeçare kundër pushtimit rus, Bashkimi Evropian u pajtua për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me vendin e dërrmuar. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpriti vendimin si votim besimi ndaj Ukrainës, teksa ajo po kërkon ndihma për luftën e saj, përfshirë fondet e propozuara nga Shtetet e Bashkuara që po vazhdojnë të kundërshtohen në Kongres.